Zbardhen të tjera detaje nga dosja CEZ-DIA, 30 argumente dhe prova në duart e prokurorëve specialë, ja si qeveria “Berisha” ka dhënë miliona lekë për punë të pakryera, dalin në pah faturat fiktive

0
44

Drejtësia e re po qep dosjen “CEZ-DIA që mund të fundosë jo vetëm ish-presidentin Ilir Meta, por edhe Sali Berishën bashkë me zyrtarë të ish-qeverisë së tij. Në 30 vite, si Berisha dhe Meta janë zhytur në shumë afera, por gjithmonë ata i kanë shpëtuar ndëshkimit. Por së fundmi ka pasur një zhvillim të bujshëm nga SPAK. Prokurorët po “zbërthejnë” prapaskenat të një interviste me video që rrezikon të “përvëlojë” kreun e Partisë së Lirisë dhe pas kësaj “Kutia e Pandorës” hapet. Me Ilir Metën ikin dhe të tjerët. Për këtë provë është thirrur në SPAK, gazetari Fatos Mahmutaj. Ai u mor në pyetje në lidhje me një intervistë që i ka marrë bashkëshortes së Kastriot Ismailajt pronar i Kompanisë DIA, i vetmi i ndëshkuar për këtë aferë. Mahmutaj ka zbardhur detaje të reja mbi intervistën që ka realizuar me Vojsava Ismailajn, bashkëshorten e Kastriot Ismailajt pronar i Kompanisë DIA i përfshirë në aferën 400 milion euro të CEZ-DIA.

30 argumente dhe prova në duart e prokurorëve specialë

Përveç kësaj prove, gazeta ka zbardhur dhe të tjera detaje nga dosja CEZ-DIA. Mes të paditurve në SPAK nga juristi Romeo Kara është dhe Berisha. Dosja po “qepet” tashmë në SPAK dhe janë rreth 30 argumente e prova të dorëzuara nga juristi Kara. Sipas tij, qeveria favorizoi çekët, të cilët lidhën marrëveshje me 8 kompani të tjera për të mbledhur detyrimet e prapambetura. “Në periudhën prill-maj 2011, CEZ-i lidhi tetë kontrata të tjera debt collection, të ngjashme me atë të DIA-s. Kompanitë me të cilat u lidhën këto kontrata përfituan rreth 19 mln dollarë, edhe pse dyshohet se nuk kanë punuar realisht për t’i merituar ato para. Farë pak kohë pasi u lidhen këto tetë kontrata debt collection, ERE nxori vendimin 87 dt. 29 Qershor 2012, i cili e ulte përsëri çmimin e blerjes së energjisë nga KESH-i tek CEZ-i, duke favorizuar përsëri CEZ-in dhe disfavorizuar shtetin shqiptar”, thuhet ndër të tjera në dosje. Sipas juristit Kara, Berisha e Meta janë përgjegjës që shteti shqiptar ka humbur rreth miliona euro. Një emër që përmendet në padi është Elvis Mata. Ky i fundit ka qenë Drejtor Ekzekutiv i kompanisë DIA dhe ishte ai i cili zbuloi skandalet në fjalë. Sipas juristit Kara, ai ka pasur lidhje me njerëz pranë Berishës dhe Metës. “Elvis Mataj ka pasur njohje te hershme me Ismailajn. Ai ka bërë edhe disa punë të tjera për të, kur ka pas punuar si drejtor, në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë. Elvisi ka pasur edhe me Ilir Metën njohje të hershme, pasi kanë milituar bashkë në Forumin Rinor Eurosocialist, si dhe në LSI. Elvisi është themelues i LSI si dhe drejtuesi i parë i LRI. Po kështu Elvis Mataj është edhe vëllai i ish-këshilltarit të kryeministrit Berisha, Endri Mataj”, thuhet në padi. Duhet theksuar se Elvis Mataj ka pasur rol thelbësor dhe në gjyqin ndaj Kastriot Ismailajt, i cili u dënua me burg.

Skandalet

Në padinë e tij juristi Romeo Kara tregon se si u favorizua DIA dhe u shpërblye për punë të pakryera. Ai përdor në padinë e tij një dëshmi të drejtuesve të CEZ. “Në pikën 31 të dëshmisë së tij, Hejsek pohon se: Raporti i Identifikimit të Debitorëve u dorëzua në fund të Marsit 2011, në kundërshtim me marrëveshjen DIA-CEZ. Marrëveshja në fjalë parashikonte sipas tij se: raporti duhej të dorëzohej 3 muaj pas firmosjes së marrëveshjes, pra me 1 dhjetor 2010. Në pikën 32 të dëshmisë së tij Hejsek pohon se: vetë DIA kishte pranuar se ky raport nuk ishte realisht një identifikim i debitorëve, por një punë e thjeshtë kompjuterike, pra ishte në kundërshtim me marrëveshjen. Ky fakt tashmë është provuar gjithashtu edhe nga prokuroria dhe gjykata”, thuhet në padi. Sipas juristit, në dokumentacionet e OSHEE-së, ekzistojnë tre fatura të paguara lidhur me procesin fals të identifikimit të debitorëve. Faturat mbajnë datat: dy më 25 Nëntor 2010 dhe me një datë 3 Dhjetor 2010. Pra faturat mbajnë një datë shumë më të përparshme së data e presupozuar e dorëzimit të punës në Mars 2011 dhe për më tepër që puna nuk u krye asnjëherë. Shuma totale e këtyre faturave është 1,485,000 Euro. Ne OSHEE kemi dokumentacion që provojnë një nxitim për tu kryer patjetër kjo pagesë me urgjence pikërisht në datën 26 Nëntor 2010. “Ky nxitim për të paguar DIA-n për një punë të pakryer asnjëherë korrespondon me: Vizitën e përbashkët Ismailaj-Meta në Prage, më 29 nëntor 2910; Vizitën e dyshuar të përbashkët Ismailaj me Shkëlzen Berishën në Prage dhe të pasqyruar në Raportin Përfundimtar të Komisionit Hetimor të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet më tej.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here