Gati projektligji, Inteligjenca Artificiale do përdoret për tenderat, Agjencisë së Prokurimit Publik paralajmëron ‘dosje virtuale’ për çdo kompani që garon

0
48

Inteligjenca Artificiale do të përdoret edhe për realizimin e tenderave. Digjitalizimi i sistemit të prokurimeve publike është një nga synimet kryesore të projektligjit ‘Për prokurimin publik’, që u diskutua dje në Komisionin e Ekonomisë. Sipas relacionit përllogaritja e fondit limit për tenderat dhe vlerësimi i ofertave pjesëmarrëse në garat që hapen do të bëhet në mënyrë elektronike. “Rritet transparenca dhe eficenca në procedurat e prokurimit. Projektligji synon përdorimin e digjitalizimit dhe zhvillimit teknologjik në disa elementë të procesit. Përllogaritja e fondit limit, vlerësimi i ofertave, apo studimi i tregut. Prezanton për herë të parë përdorimin e inteligjencës artificiale dhe proceseve të robotizuara në sistemin dinamik të blerjes dhe ankandit elektronik. Dokumentet do të gjenerohen automatikisht ndërmjet komunikimit të institucioneve”, u shpreh ministrja Elisa Spiropali. Digjitalizimi i sistemit, do t’i japë mundësi Agjencisë së Prokurimit Publik, që të hetojë edhe të dhënat e kompanive pjesëmarrëse, me synim që në gara të mos marrin pjesë kompani fiktive. Po ashtu synohet edhe ngritja e ‘dosjes virtuale’ të kompanive, mbi bazën e të dhënave të të cilës do të vendoset fati në tender. “A kemi bërë një rregullim që i jep fund pjesëmarrjes së kompanive në tendera me 1 ose 2 punëtor, dhe që janë gjobëvënës sepse nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë punë. Por ndodh që fitojnë edhe gara?”, u shpreh deputeti Erion Braçe. “Do formalizohen dhe kontrollohen edhe të dhënat e operatorëve ekonomik në të gjitha fazat, që të shmangen kompanitë fiktive. Do marrim të dhëna nga shumë institucione që të jetë garë reale. Dosja virtuale do të ketë të gjitha dokumentet që vijnë nga sistemet e tjera, QKB, tatime etj, ngarkohen edhe dokumentet e subjektit privat, shërben si portofol. Dhe dokumentet aty nuk mund të manipulohen”, u shpreh drejtuesja e APP, Reida Kashta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here