Avokati Çedomir Stojkoviç është ndaluar ditën e sotme në Serbi, pasi vizitoi varrezat e familjes Jashari në Prekaz.
Lajmin e bëri të ditur vetë Stojkoviç, i cili tha se u mbajt për katër orë nga anëtarët e Agjencisë së Sigurisë Informative të Serbis dhe më pas u lirua për lëvizje të lirë.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në platformën ‘X’, Stojkoviç shprehet se lirimi i tij nuk është rezultat i vullnetit të autoriteteve.
“Unë u lirova sepse autoritetet ishin në dijeni se nëse do të më arrestonin edhe mua, presioni nga publiku botëror do të ishte shumë i madh”, shkroi ai.
Më tej ai shprehet se tani presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, duhet të shpjegojë pse është ai përjashtim në krahasim me Nikolla Sanduloviçin, i cili u rrah brutalisht nga shërbimi sekret serb pasi u publikuan pamjet nga vizita e tij te të rënët në Prekaz.
“Në shtetin e Aleksandër Vuçiqit ligjet zbatohen në mënyrë arbitrare. Unë bëra një gjë edhe më të ‘keqe’ se Nikolla – mbajta një fjalim edhe te varri ku ai vendosi lule. E arrestuan dhe e rrahën. Unë jam i lirë”.
Sipas avokatit Stojkoviç, zyrtarët e BIA-s që folën me të kishin një qasje profesionale, bënin pyetje që i interesonin, u sollën me mirësjellje, dhe se nuk ndjeu asnjë armiqësi pavarësisht siç tha, mosmarrëveshjeve të tyre.
“Paraburgimi im prej katër orësh (maksimumi ligjor) është rezultat i vendimeve të dikujt tjetër. Gjatë asaj kohe kemi pasur mundësi të shkëmbejmë mendime pa tension. Në fjalët e shkëmbyera, shoh një shans për të ndryshuar mendimin e tyre, sigurisht për arsyet e mia. Sepse edhe BIA duhet ta kuptojë se armiku është nga brenda dhe këta janë të gjithë ata që Serbinë e reduktojnë në nivelin e një komuniteti primitiv, duke filluar nga presidenti. Ndoshta prokurori publik në Beograd mendon ndryshe. Të shohim kur të shkoj atje”, shkroi Stojkoviç.
Kujtojmë edhe njëherë se Stojkoviç ishte në Prekaz dhe vendosi lule te varri i Blerina Jasharit, e cila ishte vetëm shtatë vjeç kur u vra nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Përveç luleve, avokati la edhe një letër ku ndër të tjera, ai tha se shpresa dhe ëndrra fillojnë me fjalën “më fal”.