Shuhet “Perandori” Franz Bekenbauer, një prej më të mëdhenjve të futbollit botëror

0
85

Një lajm i trishtë erdhi dje për futbolldashësit në Gjermani e në mbarë botën. “Perandori” i futbollit gjerman, Franz Bekenbauer, u shua në moshën 78-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të madhe në futbollin e vendit të tij dhe në futbollin botëror në tërësi. Ishte nga më të mëdhenjtë e lojës së topkëmbës, dëshmuar si kampion si lojtar por edhe si trajner, një nga të rrallët që pati sukses madhor si fitues i titullit botëror si nga fusha dhe nga pankina. Lajmi u njoftua zyrtarisht të hënën në orën 17:12: Franz Bekenbauer vdiq të dielën në moshën 78-vjeçare. Familja ishte ajo që e dha njoftimin zyrtar. “Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se bashkëshorti im dhe babai ynë, Franz Bekenbauer, ndërroi jetë të qetë në gjumë dje, të dielën, i rrethuar nga familja e tij. Ne kërkojmë që ju të jeni në gjendje të mbani zi në heshtje dhe të përmbaheni nga pyetjet”. “Gjermania i thotë lamtumirë futbollistit më të madh. Kampion bote si lojtar në 1974 dhe si trajner në 1990.

Krijuesi i përrallës së verës në 2006. Kampion dhe fitues i Kupës së Europës me FC Bajern. Franz Bekenbauer ishte tërhequr nga publiku për një kohë të gjatë. Vdekja e djalit të tij Stefan (46 vjeç) në vitin 2015 dhe thashethemet për Kupën e Botës 2006 e ndikuan atë. Që atëherë, edhe shëndeti i tij është përkeqësuar. Infarkti i syrit, operacionet e zemrës, plus sëmundja e Parkinsonit me çmenduri të shoqëruar. Perandori ka vuajtur shumë kohët e fundit. Ai tashmë ka ndërruar jetë i rrethuar nga familja e tij. Lamtumirë, Franz!”, shkruante dje menjëherë pas lajmit e përditshmja e madhe gjermane, “Bild”. Kujtojmë që Bekenbauer ka qenë edhe në Shqipëri, qoftë si lojtar e po ashtu si trajner.

Në fakt, fotografia e tij nga bulevardi qendror i Tiranës që në vitet 70-të, tregon një personalitet dhe një lidhje shumë interesante mes tij e Shqipërisë. Ai ka qenë njeri shumë i dashur për sportdashësit shqiptarë e veçmas tifozët që preferonin Gjermaninë. Vitet e fundit ai ishte ambasador nderi në Kosovë dhe gëzonte popullaritet në radhët e shqiptarëve. Për futbollin gjerman ishte një humbje e madhe, pasi ai i dha futbollit të vendit të tij shumë nga jeta dhe talenti i tij, ndaj trashëgimia e tij do të mbetet gjatë. Të famshme kanë qenë sjelljet e tij, ku ai ka luajtur me krah të lidhur për Gjermaninë, duke qenë më i miri në botë në rolin e tij. Pas Peles, Maradonës dhe Krojfit, dje u shua një tjetër “pishtar” i futbollit botëror, “Kaizeri” i futbollit gjerman.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here