Ish-kryeministri Sali Berisha është në alarm pasi po braktiset edhe nga aleati i tij më i ngushtë Ilir Meta. Këtë fakt e kanë evidentuar dhe analistët më të flaktë të ish-kryeministrit demokrat. Ditën e djeshme, në një intervistë televizive, ishte pikërisht Genc Burimi i cili tha se Meta ka heshtur jo vetëm për çështjen e Berishës, por edhe për shumë çështje të tjera për të cilat më herët reagonte. Ai e ka akuzuar ish-presidentin se po e lë në baltë Berishën. Kjo sipas tij, lidhet me sekuestrimin e telefonave nga SPAK-u dhe me proceset hetimore ndaj tij. “Ka shumë kohë, jo vetëm me Berishën, por edhe për veten e tij. Më parë ishim mësuar ta shikonim Metën në konferencë për çdo temë. Kësaj here është komplet i tërhequr. Kjo lidhet edhe me marrjen e telefonave, me hapjen e anketimit nga SPAK-u. Vetëm ky shpjegim mund të jetë. Por që kjo është e gabuar, se edhe Berisha ndonëse i hetuar dhe tashmë i arrestuar kjo nuk e pengon Berishën, ai thotë “drejtësia ka punën e vetë, unë kam timen”. Nëse është i përndjekur politikisht Meta nuk duhet ta ndalojë betejën politike”, tha Burimi.
Heshtja e Ilir Metës
Që nga momenti kur SPAK i vendosi masën e arrestit në shtëpi për Berishën, nga Meta nuk ka asnjë deklaratë zyrtare për rastin në fjalë, as si mbështetje ndaj Berishës, as si akuzë ndaj SPAK. Ilir Meta, postoi dy rreshta në Facebook-n e tij, dhe që prej atëherë e ka qepur gojën. Madje dhe në protestën që zhvilloi Berisha para SPAK kur do ndryshohej masa e tij e sigurisë, u shfaq vetëm Petrit Vasili. Pra duket se ish-presidenti e kanë lënë vetëm aleatin e tij kryesor, përballë drejtësisë. Jo se Meta nuk do ta mbrojë, por ai është i terrorizuar vetë nga një arrestim i mundshëm i SPAK. Me sa duket ai është me zemër të ngrirë, pasi tashmë pritshmëritë e shqiptarëve, e shprehin në të gjitha komentet, shqiptarë të thjeshtë, analistë e deri politikanë, janë që, radhën e ka Ilir Meta. Ai bashkë me Kryemadhin po përgatiten për ditën e qametit, kur t’ju trokasë në derë dhe nuk duan të konsumohen me mbrojtjen e Berishës. Fundja dhe të duan, e dinë që kjo është kauzë e humbur dhe veçse dëmtohen, nëse shfaqen krah Berishës. Ndaj dhe po heshtin. Derisa t’ju trokasin në derë. Ose është dhe mundësia tjetër, që ai po kërkon një lloj amnistie.
Meta-Kryemadhi në panik
SPAK po përgatitet të firmosë masën e sigurie arrest me burg për Ilir Metën, për çështjen CEZ-DIA, dosjen e lobimit dhe shërbimet estetike. Dosjen CEZ-DIA, për shkak të presionit të madh politik, e ka marrë vetë në dorë prokurori i hekurt dhe i pakompromis, Altin Dumani, njeriu i besuar i amerikanëve për t’i dhënë fund tranzicionit dhe kulturës së mosndëshkimit në Shqipëri. Nëse vërtetohet se paratë e aferës CEZ-DIA kanë përfunduar tek LSI dhe xhepat e Ilir Metës, ky i fundit pritet të akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash. Nga ana tjetër, prokurori Sotir Kllapi ka në duar dosjen e lobimit. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Qipro ka ardhur përgjigja zyrtare për letërporositë e SPAK-ut, ku konfirmohet se gjatë viteve 2016-2017, Ilir Meta ka shpenzuar qindra mijëra euro për lobim në SHBA, para këto që nuk u dihet burimi dhe që nuk janë deklaruar as në KQZ dhe as në ILDKPKI. Meta mund të akuzohet për pastrim parash dhe falsifikim formularësh. Tmerri i tyre u konfirmua dhe disa ditë më parë ku Monika Kryemadhi kërkoi rikthimin e provave të sekuestruara nga SPAK, por Gjykata e Apelit të Posaçëm ia hodhi poshtë kërkesën, pasi e konsideroi përpjekjen gjyqësore të deputetes të pabazuar ne ligj dhe në prova. SPAK i ka futur nën hetim pasuror dhe çështje kohe janë dhe fletë-arrestet.