Vllaznia fiton Klasiken e Shqipërisë me Tiranën, vendosi goli i Balajt

0
116

Java e 17-të e Kategorisë Superiore përfundoi dje me tre ndeshje shumë të forta por që prodhuan edhe rezultate surprizuese. Tirana dhe Vllaznia luanin klasiken e radhës mes tyre. Këtë herë fituan shkodranët që barazuan me pikë bardheblutë në renditje, kurse Teuta vijon të mos shkëputet nga barazimet, duke siguruar të radhës që i jep një pikë, por e mban në fundin e tabelës. Ndërkohë, surpriza e djeshme mund të konsiderohet fitorja e Laçit ndaj Skënderbeut brenda në Korçë, me shifrat 1-0, një fitore që i ngjiti me tri vende kurbinasit dhe zbriti në vend të pestë Skënderbeun.

Vllaznia fiton Klasiken me Tiranën

Vllaznia mposht Tiranën në “Selman Stermasi” dhe fiton sfidën e ashtuquajtur si Klasikja e Shqipërisë. Një gol i Bekim Balajt me penallti i mjaftoi kuqebluve për të dalë me tre pikë shumë të rëndësishme nga kryeqyteti. Në minutën e 36 të pjesës së parë një top i prekur me dorë nga Kaina u akordua penallti nga arbitri Kreshnik Cjapi. Nga pika e bardhë u shfaq kapiteni i kuqebluve që nuk gaboi duke dërguar topin në një krah e portierin Leon Kozi në krahun tjetër. Tirana tentoi të reagonte në pjesën e parë, por edhe në fraksionin e dytë. Megjithatë, bardheblutë nuk ishin mjaftueshëm konkretë edhe pse patën disa mundësi me Lulaj apo Përgjonin. Në fund, shkodranët mund të kishin dyfishuar avantazhin, por Malaj dhe Balaj shpërdoruan. Gjithsesi, në fund ishin shkodranët që festuan në kryeqytet dhe pas këtij trepikëshi, skuadra e Qatip Osmanit ngjitet në kuotën e 23 pikëve në vend të katërt, po aq sa edhe Tirana e vendit të tretë. Bardheblutë e Julian Ahmatajt duken se kanë harruar të fitojnë pasi ndaj Vllaznisë regjistruan ndeshjen e katërt pa fitore.

Teuta tjetër barazim, këtë herë me Erzenin

Nga ana tjetër, u mbyll pa fitues me rezultatin 0-0 derbi i luajtur në “Niko Dovana” mes Erzenit dhe Teutës. ishin durrsakët ata që ishin më pranë fitores pasi në pjesën e parë shpërdoruan një penallti, me Erando Karabecin që gaboi nga 11-metrat. Në vijim pati disa mundësi për të dyja skuadrat, por shënjestra nuk ishte ajo e duhura. Në fund, Teuta e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë pasi në minutën e 88 Ardit Iljazi koleksionoi kartonin e dytë të verdhë. Pas këtij barazimi, Teuta mbetet e fundit me 16 pikë ndërsa Erzeni mban vendin e tetë me 18 pikë.

Laçi shtang Skënderbeun brenda në Korçë

Kategoria Superiore vazhdon të dhurojë rezultate befasuese edhe në këtë javë të 17-të. Kështu, pas humbjes së Tiranës përballë Vllaznisë në “Selman Stërmasi”, vjen edhe disfata e Skënderbeut si skuadër pritëse. Bardhekuqtë u mposhtën në stadiumin “Skënderbeu” nga Laçi me rezultat minimal. Golin që vendosi takimin e shënoi Mjaki në minutën e 12-të. Laçi me këtë sukses katapultohet në vendin e gjashtë, duke iu afruar zonës “play off”, me vetëm dy pikë më pak se ekipi korçar, ndërsa në vendin e katërt mbetet Vllaznia. Një javë para mbylljes së fazës së dytë ka një ngjeshje në renditjen e përgjithshme, që e bën të paparashikueshme ecurinë e kampionatit në gjysmën e dytë të sezonit.

Java 17

Të shtunën

Dinamo City-Egnatia  1-2

Kukësi-Partizani          1-1

Të dielën

Tirana-Vllaznia           0-1

Erzeni-Teuta                0-0

Skënderbeu-Laçi         0-1

Renditja

Nr.Ekipi         Pikë

1.Egnatia         37

2.Partizani       32

3.Tirana           23

4.Vllaznia        23

5.Skënderbeu  22

6.Laçi              20

7.Dinamo        19

8.Kukësi          18

9.Erzeni           18

10.Teuta          16

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here