Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim kërkesën e bërë nga deputetët e grupit Bardhi-Berisha dhe Partisw Demokratike zyrtare kundër marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët afrikanë, duke i dhënë kështu një “shuplakë” qeverisë. Në njoftimin e publikuar, Gjykata Kushtetuese sqaron se duke qenë se padia është marrë në shqyrtim, atëherë automatikisht, pezullohet ratifikimi i marrëveshjes Rama-Meloni në Kuvend, që pritej të votohej e miratohej në seancën plenare të ditës së sotme. Bëhet me dije se seanca për shqyrtimin e padisë, do të mbahet në 18 janar, në orën 10:00. “Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 11 dhjetor 2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen vendosi ta kalojë atë për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve. Mbledhja e Gjyqtarëve, e mbledhur në datë 13 dhjetor 2023, vlerësoi se kërkesa plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë dhe vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh. Bazuar në nenin 52, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Parashikimet ligjore
Sakaq, sikundër e parashikon ligji, pranimi i kërkesës, fut në lojë nenin 52 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, i cili detyron Kuvendin të bllokojë ratifikimin e marrëveshjeve në momentin që gjykata vendos shqyrtimin e tyre. “Gjykata Kushtetuese shqyrton pajtueshmërinë me Kushtetutën të marrëveshjeve ndërkombëtare para ratifikimit. Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje për shqyrtimin e këtyre çështjeve vetëm me kërkesë të subjekteve të parashikuara në nenin 134, shkronjat “a”, “b”, “c”, e “ç”, të Kushtetutës. Gjykata mund të vihet në lëvizje edhe nga subjektet e parashikuara në shkronjat “d”, “dh” “e”, “ë” ‘f” “g” “gj”, “h” dhe “i”, të Kushtetutës, për çështje që lidhen me interesat e tyre. Në rast se çështja ka kaluar në seancë plenare, pezullohen procedurat për ratifikimin e marrëveshjes. Shqyrtimi i kërkesës përfundon brenda tre muajve nga data e paraqitjes së saj. Në rast se Gjykata Kushtetuese vendos papajtueshmërinë e marrëveshjes ndërkombëtare me Kushtetutën, ajo nuk mund të ratifikohet”, thuhet në nenin 52. Pra, është pika 3 ajo e cila specifikon gjithçka. Pakti pezullohet dhe elementi tjetër është se Gjykata ka 3 muaj afat të mbarojë shqyrtimin. Kushtetuesja njoftoi se seanca e parë do të mbahet më datë 18 janar dhe ka afat deri në shkurt të vendosë. Në rastin më të mirë, nëse shqyrtimi mbyllet që më 18 janar (mund të ndodhë të shtyhet ose të ketë seancë tjetër), vetë Kushtetuesja ka 1 muaj kohë që të marrë vendimin, që do të thotë se së paku deri në shkurt pakti nuk zbatohet. Plani i Ramës dhe Melonit ishte që në qershor të ishte gati infrastruktura dhe në të niste mbërritja e refugjatëve, por me shumë mundësi kjo s’ka për të ndodhur. Vendimi i Kushtetueses shtyn ardhjen e tyre, gjithmonë nëse në fund gjykata e pranon marrëveshjen, pasi nëse refuzohet, atëherë do të mbeten vetëm fotot e Ramës me Melonin. Nuk është hera e parë që Kushtetuesja shqyrton marrëveshje me rëndësi kaq të madhe.
Bardhi akuza GJK-së: Koordinohet me Ramën
Por pak orë para se Gjykata Kushtetuese të dilte me njoftimin ku sqaron se ka marrë në shqyrtim padinë e bërë nga deputetët kundër marrëveshjes me Italinë, deputeti Gazment Bardhi në një prononcim për mediat u shpreh se në rast se Gjykata Kushtetuese do të merrte në shqyrtim kërkesën, atëherë procedura e ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend, pezullohet. “Në një akt të paprecedent, me heshtje dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendimin për kalimin në seancë gjyqësore të kërkesës së deputetëve të opozitës lidhur me Marrëveshjen me Italinë për emigrantët, akt që shoqërohet me pezullimin e procedurës parlamentare të ratifikimit të saj nga Kuvendi. Shqyrtimi paraprak i kërkesës është një proces formal, që nuk kërkon shqyrtimin në themel dhe as kohë për analizë të thelluar”, tha Bardhi. Ai shtoi se ka dyshime serioze për një koordinim mes Ramës dhe Gjykatës Kushtetuese, pasi sipas tij, kryeministri ka urdhëruar Kuvendin që të afrojë me një javë procedurën e miratimit të marrëveshjes në Kuvend, që të votohet ditën e nesërme përkundër datës 21 dhjetor që ishte parashikuar në kalendarin e punimeve të fundvitit.“Duke shfrytëzuar mosveprimin në kohë të Gjykatës Kushtetuese, nën dyshimin serioz të një koordinimi mes tyre, Edi Rama urdhëroi Kuvendin që të afrojë me një javë procedurën e miratimit nga Parlamenti. Edhe pse është njoftuar zyrtarisht për përshpejtimin e procedurave në Kuvend, mosveprimi në kohë i Gjykatës Kushtetuese për një çështje me natyrë urgjente, praktikisht asgjëson mundësinë e kontrollit kushtetuese mbi përmbajtjen e marrëveshjes, që detyrimisht shqyrtohet përpara ratifikimit. Ky përbën aktin më të shëmtuar të dhunimit flagrant të Kushtetutës nga vetë Gjykata Kushtetuese, si një tjetër provë e kontrollit të plotë të saj nga Edi Rama”, tha Bardhi. Kujtojmë se më 6 dhjetor, 30 deputetë të Bardhit dhe Berishës kanë dorëzuar në gjykatën Kushtetuese padinë kundër marrëveshjes me Italinë për emigrantët duke e cilësuar si anti-kushtetuese. Në të njëjtën ditë edhe PD zyrtare me kryetar Lulzim Bashën, dorëzoi në GJK një padi kundër marrëveshjes, por padia është kthyer mbrapsht për mungesë dokumentacionesh.










































