Elton Javori është qëlluar për vdekje me dy plumba në bark sapo ka zbritur nga automjeti i tij tip “Porche” në lagjen “16 prilli” në Fier.
Viktima u transportua drejt spitalit të Fierit, por nuk arriti që t’i mbijetojë plagëve të marra.
Mësohet se viktima kishte rreth 2 javë që ishte kthyer nga Gjermani, ku jeton edhe i vëllai, ndërsa nuk njihej si person problematik.
Dyshohet se ai ka pasur një konflikt së fundmi, por ende nuk dihen motivet e vrasjes së tij.
Krimi ndodhi rreth 100 metra larg banesës së Elton Javorit, rreth orës 11:00, në rrethana ende të paqarta.
Uniformat blu raportuan se autori i ngjarjes është identifikuar dhe se janë ngritur pika kontrolli për kapjen e tij.
Pas ngjarjes reagoi edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, ku premtoi se kjo ngjarje do të zbardhet shpejt edhe autori do të vihet para drejtësisë.
“Grupi hetimor po kryen hetimet, janë marrë të gjitha masat për kapjen e autorit.
Është identifikuar autori po punohet sqarimin e rrethanave dhe motiveve të ngjarjes që çuan në këtë krim të rëndë.
Ju siguroj që brenda një kohe të shkurtër policia e shtetit në lidhje me rastin do të vejë para drejtësisë autorin”, tha Muhamet Rrumbullaku
Rreth orës 11:00, në lagjen “16 prilli”, është vrarë me armë zjarri shtetasi E. J., 41 vjeç, banues në Fier.
Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë identifikuar autorin dhe po punojnë për kapjen e tij.
Janë ngritur pika kontrolli në çdo aks rrugor, si dhe vijon intensivisht krehja e zonës.
Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit.












































