Ertjan Kofsha kampion bote, trajneri Toska: Ky është vetëm fillimi

0
87

Peshëngritja shqiptare regjistroi dje një tjetër sukses madhor në garat ndërkombëtare. Sportisti Ertjan Kofsha, doli kampion bote për të rinj në Kampionatin Botëror që po zhvillohet në Meksikë. Shtangisti shqiptar shoqërohej në këtë aktivitet nga presidenti i federatës tonë Elez Gjoza, e jo nga trajneri Leonard Toska, për shkak se meksikanët, në mënyrë të pakuptimtë e të papranueshme, nuk dhanë vizë. Gjithsesi, sportisti bëri një garë shumë të mirë, duke realizuar në stilin e shkëputjes një rezultat fantastik me 159 kg dhe duke zënë vendin e parë, pozicion që i dha medaljen e artë në këtë stil. Paraqitje të mirë ai bëri edhe në shtytje, edhe pse me vetëm një provë të realizuar saktë, duke përfunduar në pozitë të kënaqshme e po ashtu dhe në dygarësh me 345 kg. Padyshim që është një sportist i së ardhmes dhe mosha e tij fare re, vetëm 18 vjeç, dëshmon se ai ka të ardhme të madhe e të gjatë në peshëngritje. “Spektakël i vërtetë nga Kampioni Ertjan Kofsha, duke i siguruar Shqipërisë medaljen e artë në stilin e shkëputjes. Një paraqitje e shkëlqyer e sportistit tonë, i cili arriti të shpallej Kampion Bote në këtë stil”, shkruan federata jonë e shtangës e më tej vijon: Kampioni i Botës Ertjan Kofsha i dhuroi Shqipërisë jo vetëm emocione të forta por edhe medaljen e artë, duke i bërë të gjithë krenarë. Ai rrëmbeu medaljen në stilin e shkëputjes me 159 kg dhe u rendit i katërti në botë në total në dygarësh me plot 345 kg. Puna e palodhur e sportistit bashkë me trajnerin e tij Leonard Toska dha një rezultat të shkëlqyer në këtë event kaq madhor. Rruga e artë sapo ka nisur për Ertjanin, i urojmë vetëm suksese”, nënvizon federata.

Qëndrimi i Toskës për gazetën “SOT”

Trajneri Leonard Toska e ka drejtuar përgatitjen dhe garën e sportistit Ertjan Kofsha nëpërmjet telefonit, duke dhënë udhëzime pranë Gjozës për mënyrën se si sportisti duhet të përballonte ngarkesën dhe presionin psikologjik, por edhe strategjinë në garë. “Ertjani konkurroi në peshën 89 kg dhe në stilin e shkëputjes i realizoi të tria provat, duke bërë një paraqitje shumë të mirë e dinjitoze, ndërsa në stilin e shtytjes humbi dy prova me 186 kg dhe arriti të realizojë provën e fundit. Ertjan Kofsha është sportisti më i vogël i këtij aktiviteti. Kjo do të thotë se në vitin 2024, si në Europian dhe në Botëror është i vetëm, pasi konkurrentët aktual largohen e kalojnë në kategorinë e të rriturve. Synimi për vitin e ardhshëm, padyshim që është dalja kampion Europe për të rinj dhe kampion bote për të rinj. Kampionati Europian do të zhvillohet në Poloni, kurse Botërori do të zhvillohet në Madrid, por ne do të marrim pjesë edhe në kampionatin europian të të rriturve që do të luhet në Sofje të Bullgarisë. Në këtë aktivitet do të marrë pjesë edhe Samuel Rrasa”, shprehet për gazetën “Sot”, trajneri i Shtërmenit, Leonard Toska. Siç duket dhe nga fjalët e trajnerit, sportisti Ertjan Kofsha është për momentin shtangisti më i mirë i vendit, me shumë të ardhme, por tekniku si duket dëshiron të fusë sa më shpejt në “tregun” e medaljeve edhe të riun tjetër të talentuar, Samuel Rrasa, ende pa mbushur 16 vjeç.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here