Gjykata e Stasburgut ka dhënë vendimin për Aleks Nikën, duke dalë në përfundimin se ka dy shkelje në këtë çështje: vrasja dhe më pas moszbardhja e vrasjes!
Këto janë shkelje të dy aspekteve të së drejtës së jetës, thuhet në vendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, të siguruar nga gazetarja Anila Hoxha.
Aleks Nika mbeti i vrarë në protestën e 21 janarit 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bashkë me 3 protestues të tjerë. Familjarët e Nikës dërguan padi në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Ndërkohë, dy vite më parë, Prokuroria e Tiranës rihapi hetimin për vrasjen e Aleks Nikës. Megjithatë, familjarët e Nikës janë të zhgënjyer nga drejtësia shqiptare, ndërsa janë shprehur “Prokuroria po luan ping pong” me dosjet. Ndaj, ata iu drejtuan Gjykatës së Strasburgut.
Protesta që përfundoi në tragjedi
Në 21 janar 2011, opozita socialiste thirri në protestë qytetarët, pas videoskandalit Meta-Prifti, ku flitej për aferë korruptive. Protestuesit u mblodhën para Kryeministrisë, me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha.
Por, kur turma tentoi të hynte në oborrin e Kryeministrisë, situata u tensionua dhe shumë shpejt nisën të shtënat me armë nga ambienti i brendshëm. Plumbat lanë pas katër viktima: Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn.
Sali Berisha akuzoi Partinë Socialiste se donte t’i bënte puç. Ndërsa opozita akuzoi si urdhërues të vrasjeve kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm.
Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.










































