Pak ditë më parë, Komisioni i Integrimit u bë teatër për skenën e përplasjes mes deputetëve të Partisë Demokratike Kreshnik Çollaku dhe Dashnor Sula, iniciatorë i të cilës ishte Sali Berisha, por ekzekutore u bë Jorida Tabaku. Kërcënimet e deputetit të Berishës ndaj nënkryetarit të Partisë Demokratike nxitën një reagim publik të gjithëanshëm, në veçanti kur në ambientet e Kuvendit u përmendën fjalët “të pres fytin”. Po aq më i madh ishte edhe reagimi ndaj deputetes Jorida Tabaku, e cila, pasi e ftoi në komisionin që ajo drejton, e la Kreshnik Çollakun në dorë të kamikazëve të Berishës. Një veprim tej mase i shëmtuar, i një njeriu në hall, që nuk ka guximin të përballet me të shkuarën e saj. Por mbi të gjitha nuk ka guxim të përballet me Berishën, që po përpiqet ti marr të gjithë me vete në varrin e tij politik, simbol i të cilit është bërë beteja kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe SPAK, si investimin e partnerëve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Por, mesa duket, frika e Jorida Tabakut ndaj Berishës, është më e vogël se frika e saj nga aleatët perëndimor të Partisë Demokratike, përpara të cilëve ajo reciton fjalitë shabllon për integrimin dhe drejtësinë, ndërsa pas shpinës së tyre i përgjërohet Berishës të mos e sulmoj sepse ato që u thotë atyre janë sa për të larë gojën. Kështu, incidenti që ajo shkaktoi me Çollakun u bë shkak i ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar, i cili foli me gojën e ambasadorit gjerman në Shqipëri. Ky i fundit dënoi ashpër veprimin e grupit të Berishës, duke dëshmuar se ata po ndjekin nga afër situatën, dhe nuk do të falin askënd që për interesat e ish-kryeministrit, po shkatërron parlamentarizmin, duke e lënë vendin pa opozitë funksionale. Mesazhi ishte i qartë dhe Tabaku e lexoi me vëmendje, ndaj edhe këtë të hënë, në një intervistë për mediat, ajo u distancua nga aksioni i Berishës në bllokimin e Parlamentit. “Unë do kisha preferuar që betejën ta bënim nëpër institucione. Ne e kemi lënë hapësirën e Parlamentit bosh shumë herë dhe mendoj se nuk duhet ta përsërisim të njëjtin gabim”, deklaroi Tabaku. Një qëndrim që nuk u prit mirë nga Gazment Bardhi, të cilit i është sosur prej kohësh durimi me politikën “as mish as peshk” të Tabakut. Pasi tashmë e ndjen që çmimi që ai po paguan për shërbimin e tij ndaj Berishës është izolimi dhe poshtërimi në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, dhe nuk toleron që të tjerët të dalin të pa lagur nga moçali i “Foltores”. Prandaj edhe para kamerave Bardhi tha se “secili brenda opozitës e ka gjetur vendin e tij, një pjesë pro-mazhorancës dhe pjesa tjetër për t’u përballur me qeverinë”. Një sulm ndaj koleges së tij, e cila pak minuta më parë kishte qortuar publikisht vendimet për të bërë zhurmë në parlament, të cilat janë duke ia lehtësuar punën Ramës, që po kalon buxhetin pa asnjë oponencë. Metodologjia e sulmit të Bardhit është tipike si e Berishës, akuzon të tjerët për diçka që është duke bërë vetë, por sulmet ndaj Tabakut duket se nuk do të kenë të ndalur. Pra, marrëdhënia dashuri dhe urrejtje mes të dyve duket se po anon më shumë nga kjo e fundit këto kohë. Nuk kishte as si të ndodhte ndryshe. Tek Jorida Tabaku Bardhi sheh imazhin e dikujt që mund t’i shpëtojë shkatërrimit të “Foltores”, duke mbajtur një dorë në kadaif dhe një dorë në bakllavë, e mbi të gjitha duke ditur të komunikojë mirë në anglisht. Gjuhë që Bardhi nuk ka mësuar ende, por që do të ketë kohë për të përvetësuar, kur të ndjek Berishën në fatin e tij të zi politik.










































