Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu kanë treguar sërish prangat të korruptuarve në Ballkan. Ambasadori i SHBA në Bosnje e Hercegovinë, Michael Murphy, ka bërë thirrje që autoritetet vendase të nisin hetimet për “non gratat”. Në Shqipëri SPAK po heton Sali Berishën, ndërsa ditë të vështira mesa duket e presin dhe Dodikun. Murphy ka thënë se shteti që ai përfaqëson do të vazhdojë që të vendosë sanksione ndaj aktorëve politikë që bëjnë veprime anti-Dejton (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995), dhe antidemokratike. “Sanksionet janë një mënyrë për t’i mbajtur individët ose bizneset përgjegjës për sjellje anti-Dejton dhe antidemokratike. Ne do të vazhdojmë ta përdorim atë”, ka thënë Murphy, pak kohë pasi që ShBA-të kanë sanksionuar fëmijët e Presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska entiteti serb në BeH-Millorad Dodik edhe ky po ashtu i sanksionuar. Ai ka theksuar se interesi i SHBA-së është një BeH e begatë, paqësore, brenda institucioneve euroatlantike. Sipas diplomatit amerikan vendi i tij nuk dëshiron një konflikt të ri në BeH, “ndarje të reja apo probleme në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor”. “Kur vërejmë se politikanë apo parti apo aktorë të tjerë po punojnë kundër këtyre interesave, të cilat janë interesa të përbashkëta për ne dhe qytetarët e këtij vendi, ne reagojmë dhe e kemi shumë të qartë”, pohoi Murphy.
Goditje për “non gratat”
Duke folur për zyrtarët në Ballkan, të cilët tashmë i janë nënshtruar sanksioneve amerikane, dhe vazhdojnë ende të mbajnë poste të larta dhe vazhdojnë të njëjtën politikë de-stabilizuese, ai vlerësoi se prokuroritë dhe gjykatat vendore duhet t’i mbajnë ata individë përgjegjës.Sipas tij, kjo nuk do të thotë se SHBA-të nuk do të veprojnë kur e gjykojnë të përshtatshme. “Kur të veprojmë, le të tregojmë shumë qartë se çfarë e motivoi veprimin tonë. Ne nuk duam t’i shohim këta njerëz në poste publike”, ishte i qartë ai. Më tej, ai ka shtuar se ka “shumë sfida në BeH, nga autokracia që po imponohet gjithnjë e më shumë në Republikën Srpska, përpjekjet për t’i privuar njerëzit nga liritë dhe të drejtat themelore, deri te sulmet e tmerrshme nga RS ndaj Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit”. Duke folur për kërcënimet gjithnjë e më të shpeshta të Presidentit të RS Dodik ndaj sovranitetit të BeH, Murphy përsëriti se synimet e ShBA-së janë karakteri multietnik, sovraniteti dhe integriteti territorial i BeH.
Alarmi i SHBA për Dodik
Gjithashtu së fundmi Ambasada e SHBA-së në Sarajevë kanë lëshuar një reagim përmes të cilit thonë se deklarimet dhe kërcënimet e Millorad Dodik për t’u shkëputur nga Bosnja e Hercegovina janë kundër Marrëveshjes së Dejtonit dhe të rrezikshme, jo vetëm për Bosnje e Hercegovinën por për të gjithë rajonin. Pikërisht për qëndrime të tilla, Ambasada e SHBA-së thekson se Millorad Dodik është sanksionuar nga Washingtoni zyrtar. Retorika separatiste e Milorad Dodik dhe kërcënimet për t’u shkëputur nga Bosnja dhe Hercegovina janë kundër Dejtonit dhe të rrezikshme, jo vetëm për stabilitetin dhe sigurinë e Bosnjë-Hercegovinës, por për stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Deklaratat si kjo, si dhe veprimet e tij kundër Dejtonit dhe përpjekjet për të minuar shtetin e Bosnjë-Hercegovinës janë pikërisht arsyeja pse zoti Dodik është nën sanksionet e SHBA-së”, thuhet në reagim. Tutje theksohet se Kushtetuta e Bosnje e Hercegovinë nuk lejon ndarjen e një entiteti apo njësie shtetërore dhe se iluzionet e Dodikut janë devijim i rrezikshëm nga e ardhmja paqësore. “Sipas Kushtetutës së Bosnje-Hercegovinës nuk ka të drejtë që një ent apo ndonjë njësi tjetër nënshtetërore të shkëputet. Iluzionet e zotit Dodik janë një devijim i rrezikshëm nga e ardhmja paqësore, demokratike dhe e begatë që qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës, përfshirë ata që jetojnë në Republika Srpska, duan dhe meritojnë. Shtetet e Bashkuara gjithmonë kanë mbështetur dhe do të vazhdojnë të mbështesin integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multietnik të Bosnjë dhe Hercegovinës”, përfundon reagimi i SHBA.


































