Ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij do të vijojnë të qëndrojnë nën masa sigurie sa i takon aferës “Partizani”. Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka rrëzuar kërkesat e avokatëve të tyre, të cilët kërkuan që Malltezi të lirohet nga burgu dhe Berishës t’i hiqet masa e “detyrimit të paraqitjes”, me pretendimin se vendimi u zbardh me vonesë dhe masat duhet të shuhen. Avokatët, si të Berishës ashtu dhe Malltezit kërkuan në fillim të seancave përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja. Mirëpo të dyja kërkesat janë rrëzuar. GJKKO i ka cilësuar të pabazuara kërkesat dhe gjykimi vijoi nga Gjoka. Kjo e fundit pasi dëgjoi palët, vendosi të mos i shuajë masat e sigurisë. “Ne kërkuam përjashtimin e gjyqtares, e dyta kërkesë. Një reagim krejt i ftohtë dhe një vendimmarrje si të gjitha të tjerat. Sigurisht kjo seancë ia vlejti për të dokumentuar shkeljen e radhës së gjykatës. Vendimi i zbardhur na u dha sot. Imagjinoni që vendimet janë të pa ekzekutuara, vendimet janë të pa depozituara në sekretarinë e gjykatës. Ndërkohë që Gjykata dhe Prokuroria flisnin sikur ato vendime janë komunikuar. Ne e konsiderojmë të pa ekzekutuar atë vendim, pavarësisht se këta i qëndrojnë shkeljes. Një gjykatë dhe një prokurori që shkel Kushtetutën, Kodin e Procedurës Penale e ka në dorë të dytë. Të dyja kërkesat janë rrëzuar”, deklaroi ai. Nga ana tjetër, avokati ka zbuluar se vendimi për masën e sigurisë i është dërguar Berishës në Kuvend. Po ashtu SPAK ka mbajtur procesverbal mbi deklarimet e tij në media. “Janë dy vendime të padepozituara njëri 12 ditë dhe tjetri 15 ditë me vonesë. Ç’ka ka bërë që ne akoma nuk kemi bërë animimin në Apel ndërkohë që ne duhet të kishim mbaruar punë sot në Gjykatën e Apelit me ankimimin dhe ligjvënësit jo më kotë ka vënë afate rreptësisht të përcaktuara dhe sot prokurorët flisnin mbi një bazë tjetër ligjore për të justifikuar veprimet e tyre ligjore. Prokurorët arrijnë deri aty sa tentojnë të manipulojë edhe njoftimin e këtyre vendimeve, pasi prokuroi pretendon se zoti Berisha ka marrë dijeni, ia kanë dorëzuar një punonjëse të Parlament dhe ne nuk e dimë se kush është kjo punonjëse. Nuk ka asnjë lloj shënimi që marr përsipër njoftimin dhe çfarë ka bërë me këtë vendim, plus tjetër ka mbajtur një procesverbal nëpër portalet në ueb që sipas prokurorisë, dalja e Berishës nëpër intervista tregon që ai ka dijeni për vendimin dhe në këtë mënyrë vendimi është i ekzekutuar. Plus pastaj mosdepozimi i vendimeve të cilat jo vetëm që këto vendime duhen bërë brenda 48 orëve por i duhen komunikuar personit, mirë që personi nuk dashka, po avokatët që i detyron ligji, i cili i thotë se depozitimi i vendimeve i komunikohen edhe avokatëve”, nënvizoi Gjokutaj.
Berisha sulmon prokurorët e dosjes
Por ky vendim i Gjykatës Posaçme ish-kryeministri Sali Berisha, vijon sulmin ndaj prokurorëve të cilët kanë në dorë dosjen e tij të hetimit për aferën e privatizimi të ish-kompleksit “Partizani”. Dje, në një konferencë për media Berisha tha se Rama kontrollon totalisht SPAK-un. “Po ke dyshime ti që nuk është Edi Rama prapa gjahut politik ndaj opozitës? Po kush mund të jetë tjetër përveç Edi Ramës? Kush është ai që kontrollon totalisht SKAP-in? Po a nuk jam u në që këtu para jush kam denoncuar takimet e fshehta Rama-Dumani? A nuk jam unë këtu para jush që kam denoncuar lidhjet monstruoze të krimit të skapistëve? A nuk jam unë këtu që kam deklaruar skapistët me lidhje të tmerrshme me bandat dhe krimin? Si mund të dyshohet se nuk është Edi Rama prapa kësaj? Arben Kraja ka lënë detyrën për shkak të ligjit të lustracionit, të iniciuar nga Sali Berisha dhe të votuar në Parlament. Në kodin më minimal moral, ai nuk mund të merrte kurrë në shqyrtim një çështje të Berishës. Nuk ka lënë zyrat se kam pasur armiqësi personale ndaj tij, e ka lënë se unë kam bërë ligjin që ish-xhelatët e Sigurimit të Shtetit të dalin nga drejtësia”, deklaroi ai.
Berisha: Jamarbër Malltezi paditi për shpifje disa vite më parë Ballën
Sakaq, Berisha theksoi se Jamarbër Malltezi paditi për shpifje 3-4 vjet më parë Taulant Ballën. Sipas tij, dosja shkoi në Gjykatën e Lartë, e cila vendos si thotë Balla.“Edhe sot, që ta dini ju, në ligjin e sotëm të bërë me këtë reformë, prokurorët bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, nuk mund të jenë në SKAP. Janë të përjashtuar me ligj. Po ky pyet Edi Rama për ligj kur i përdor si të dojë? A e dini ju që Millonai, prokurorja e bandës së Elbasanit, përfaqësuesja e bandës së Elbasanit, merr pak çfarë ka bërë me djegësin e Elbasanit prej Qazim Sejdinit, që ishte kapoja, Don Lala, i denoncuar nga unë kushedi sa herë. Sa herë e kam denoncuar këtu aktin e saj kriminal të marrjes së dosjes së qytetarit Jamarbër Malltezi për lidhjet e saj obskure me Taulant Ballën. Jamarbër Malltezi padit për shpifje 3-4 vjet më parë Taulant Ballën. Dosja shkon në Gjykatën e Lartë. Natyrisht, Gjykata e Lartë vendos siç thotë Taulant Balla”, u shpreh ai. Më tej Berisha theksoi se Rama shërbehet me eksponentë të botës së krimit.“Se çdo prokuror, çdo njeri i drejtësisë është i vetëkuptueshëm që duhet të zbatojë me përpikëri ligjin, por një nga të drejtat më themelore të një njeriu është të ketë një proces të drejtë gjyqësor. Dhe procesi i drejtë gjyqësor, kalon jo fitoi apo nuk fitoi gjyqin, por kalon në shkallët e gjyqësorit deri në Strasburg. Por për përfaqësuesen e Suel Çelës, përfaqësuesen e Taulant Ballës, përfaqësuesen e bandave, ky ligj nuk ka vlerë. Ndaj dhe kjo i shërben Edi Ramës si mercenare. Pra, nuk jemi ne, nuk jam unë. Do flas për gjykatësen po të duash, për atë që është emëruar kryegjykatëse sot. Do t’i dëgjoni, po nuk jam për këto çështje këtu. Po dua të them se kur Edi Rama shërbehet me eksponentë të tillë të botës së krimit, me eksponentë që shkelin ligjet organike dhe kushtetuese të vendit, çfarë pret t’i themi ne?”, nënvizoi Berisha.
Detaje nga vendimi i GJKKO
Ndërkohë, Sali Berisha dhe Malltezi janë marrë të pandehur për abuzime me privatizimin e pronave te ish-Kompleksi “Partizani”. Prokuroria shprehet se nga ana e ish-kryeministrit është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal. Ndërsa Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”.“Në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M. Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij”, shprehet SPAK për Berishën. Ndërsa sa i takon Malltezit, prokuroria deklaron në dosje se: Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, u bë me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga Malltezi; ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpëdrejtë Malltezi; të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lekë ose 5 420 345 euro.










































