Google search engine
Home Politike Brukseli kërkon “kokën” e Frida Krifcës, thirrje institucioneve shqiptare të bashkëpunojnë për...

Brukseli kërkon “kokën” e Frida Krifcës, thirrje institucioneve shqiptare të bashkëpunojnë për hetimet e vjedhjeve të fondeve për bujqësinë, gati të zbarkojnë prokurorët e BE

0
111

Frida Krifca, e cila do të mbahet mend si ministrja që shkatërroi bujqësinë dhe blegtorinë shqiptare duke abuzuar me fondet e Bashkimit Evropian të destinuara për fermerët dhe blegtorët shqiptarë, duket se nuk do të ketë telashe vetëm me drejtësinë shqiptare.  Në progres raportin e Komisionit Evropian për vitin 2023, teksa përmenden edhe hetimet për akuzat për abuzime me fondet e IPARD në sektorin e bujqësisë, Brukseli kërkon të merren urgjent masa. Po ashtu kërkohen hetime për abuzuesit, çka do të thotë hapur se Bashkimi Evropian kërkon “kokën” e Frida Krifcës, pra që te hetohet me themel, ndërkohë që vihet theksi që lehtësohen procedurat hetimore duke i dhënë më shumë akses OLAF-it, në mënyrë që të kopsitë dosjen, e cila do të çonte drejt burgut ministren, e cila më herët ka mbajtur postin e drejtoreshës së Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), institucion ky që merret drejtpërdrejt me financat dhe donacionet që Bashkimi Evropian jep për bujqësinë shqiptare. “Shqipëria duhet të përmirësojë bashkëpunimin e saj me Komisionin Evropian për hetimet. Në vitin 2022, raportoi 71 raste të parregullsive dhe mashtrimeve të dyshuara në programet IPA dhe IPARD. Megjithëse bashkëpunimi për hetimet është përmirësuar, Shqipëria duhet të shtojë përpjekjet e saj në zhvillimin e një historie solide në bashkëpunimin në hetime, duke ofruar, ndër të tjera, asistencë efektive operacionale për hetuesit nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) në mënyrë që ata të mund të delegojnë plotësisht detyra e tyre në kryerjen e një kontrolli në vend në përputhje me Rregulloren e BE”, evidenton raporti.

Si u vodhën fondet e BE?

Sipas informacioneve, OLAF (Zyra Europiane kundër Mashtrimit) që në vitin 2021 ka pasur dyshime se fondet që vinin nga BE tjetërsoheshin. Madje në mars të vitit 2021, përfaqësues të OLAF zbarkuan në zyrat e AZHBR duke konfiskuar dokumentet dhe kompjuterët. Në atë kohë, në krye të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ishte Frida Krifca. Po atë kohë u përfol se në godinën e Ministrisë së Bujqësisë dhe AZHBR-së pati një operacion nga OLAF ku u sekuestruan disa kompjutera, dokumente dhe prova të tjera në funksion të hetimit për shpërndarjen e granteve të bujqësisë.  Dyshohet se janë shpërdoruar miliona euro nga AZHBR përmes mos respektimit të procedurave ligjore në shpërndarjen e granteve për fermerët, duke bërë që një pjesë e madhe e tyre të vidhen. Ndërkohë, nuk janë të pakta rastet e protestave nga vetë fermerët se nuk janë mbështetur me para (kur fondet gëlonin), apo se nuk gjenin treg për prodhimet e tyre. Për të mos folur pastaj për dyshime se janë hapur hetime konkrete për tendera fiktive, falsifikime dokumentesh sikur paratë janë dhënë për sera, stalla, ferma lopësh e bagëti të imëta, punishte qumështi, pemëtore, ullishte apo bujtina malore që në fakt nuk ekzistojnë. Kundrejt kësaj panorame, bujqësia vijon të mbetet ndër sektorët më të keqfinancuar dhe të vështirë. Bllokimi i fondeve te BE është një lajm i keq fillimisht për fermerët, përpunuesit për plane investimi dhe vetë Shqipërinë Programi IPARD – përmes të cilit lëvrohen fondet e BE-së – është një shpërblim për ecurinë e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit të saj në BE, një proces ky me kushte, teka, standarde të dyfishta, mungesë besim.

Çfarë është IPARD II?

IPARD II është Instrumenti i Bashkimit Evropian për Asistencën e Para-Aderimit për zhvillimin e bujqësisë, agropërpunimit dhe agroturizmit. Më 29 tetor të 2018 Shqipëria u përgatit të niste aplikimet që u mundësonte fermerëve dhe agrobizneseve vendas akses në fondet e BE-së pasi Komisioni Evropian dha zyrtarisht dritën jeshile për fillimin e zbatimit të IPARD II. IPARD II u mundësonte fermerëve dhe agrobizneseve shqiptare të kishin akses në 71 milionë euro të financuara nga BE-ja për periudhën 2014-2020 – e cila do të plotësohet me 23 milionë euro nga qeveria shqiptare. Kjo, duke vënë në dispozicion gjithsej 94 milionë euro fonde për investime në bujqësi dhe zhvillimin rural. Tre fushat e mbuluara nga IPARD II përfshinin investimet në asetet fizike të njësive bujqësore, përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit dhe diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here