Ja kush janë 3 ushtarakët e lartë që rrezikojnë të arrestohen për aferën me tjetërsimin e pronave të ushtrisë, Artur Meçollari nxjerr dosjen hetimore që ndodhet në tavolinën e SPAK dhe “demaskon” presidentin Bajram Begaj

0
110

Kapiteni i rangut të parë dhe ish-numri dy i Forcës Detare, Artur Meçollari ka publikuar dje në rrjetet sociale një faksimile të kallëzimit të tij bërë në SPAK, kundër disa prej zyrtarëve më të lartë të Ushtrisë Shqiptare, kur ajo drejtohej nga presidenti Bajram Begaj. Mes personave të kallëzuar është dhe Presidenti aktual i Republikës, i cili në kohën kur ka ndodhur abuzimi me pronat e ushtrisë sipas kallëzimit, ka qenë Shef i Shtabit të Përgjithshëm. “Përse Presidenti nuk informon publikun që është marrë në pyetje dy herë nga SPAK? Pasi rezulton person nën hetim për dosjes hetimore nr. 109/2021. Në çdo vend demokratik, kur Kreu i Shtetit pyetet, pavarësisht statusit, merret në pyetje nga institucioni i hetimit, informimi i publikut është detyrim. Natyrisht, mund të mos jepen shumë të dhëna, për të ruajtur sekretin hetimor, por fakti që është pyetur, për çfarë çështje në hetim dhe cili ka qenë statusi i tij, janë detyrime për t’i bërë të njohura për publikun. Dosja hetimore, që është kallëzuar nga ana ime, është regjistruar në prill 2021 me nr. 109, pra gati 3-vjet më parë. Nga tre personat e kallëzuar, njëri është ish-shefi i shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Bajram Begaj, sot President. Bëhet fjalë për ndërtimin e një godine 4-katëshe në bazën detare të Shëngjinit  pronë në Planin e Vendosjes dhe Përhapjes”, shkroi ai, teksa në faksimile ushtarakët që janë kallëzuar nga Kapiteni i rangut të parë dhe ish-numri dy i Forcës Detare, Artur Meçollari, janë Gjeneral Major Bajram Begaj, Gjeneral Brigade, Ilir Xhebexhia dhe Kolonel Artur Kurti.

Meçollari: SPAK ka tre vjet që heton

Ndërkohë, ish- zv/komandanti i Flotës Detare, Artur Meçollari, ka thënë se hetimet e prokurorisë së Posaçme, përveç gjashtë rasteve që lidhen me pronat e Forcës Detare, përfshijnë edhe lirimin e tre pronave të tjera, ish-Policinë Ushtarake në SAUK, ish SHIU-n te Fresku, ish-Parkun e Automjeteve tek Mbikalimi “Shqiponja” të kallëzuara nga ish-Presidenti Ilir Meta, si dhe mirëmbajtjen e helikopterëve dhe muzeun “Sekret” prej 6 milion Euro në Bërzhitë. “SPAK u ka sekuestruar tashmë celularët e rreth 30 civilëve dhe ushtarakëve, ndër të cilët drejtori i Pronave në Ministri, tre drejtorë në Shtabin e Përgjithshëm, si dhe tre gjeneralë në detyra komanduese”, vijon Meçollari. Ish- zëvendës shefi i Flotës Detare thotë se niveli i korrupsionit në hierarkinë e lartë të Forcave të Armatosura është bërë i frikshëm. Sipas tij, edhe pse SPAK ka tre vjet që heton, ende ka tentativa për tjetërsimin e pronave të ushtrisë për qëllime korruptive. “Prej nëntë muajsh Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Ministria e Mbrojtjes i kanë dërguar Presidentit “Planin e ri të Vendosjes dhe Përhapjes së FA”. Ky propozim synon legjitimimin e disa veprimeve të mëparshme në shkelje të ligjin që po hetohen nga SPAK, si dhe nxjerrjen nga plani i përhapjes, për interesa okulte, të një sërë pronave të tjera të lakmueshme në bregdet”, shton ai. Në mars të vitit 2021 ish-zëvendës shefi i Forcave Detare Meçollari, ka akuzuar të gjithë zyrtarët e lartë, përfshirë edhe ish-ministren e Mbrojtjes asokohe, Olta Xhaçka, presidentin Begaj dhe ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, Bardhyl Kollçaku (aktualisht deputet i PS) se janë përfshirë në zullume sa i takon tjetërsimit të pronave të ushtrisë.

Gafa te jetëshkrimi i Presidentit Begaj

Nga ana tjetër, ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari së fundmi ka publikuar një gafë të bërë në jetëshkrimin e Presidentit Bajram Begaj. Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”, Meçollari ka publikuar fotot ku thuhet se Begaj ka 31 vite karrierë ushtarake. Meçollari shprehet se kjo gjë nuk është e vërtetë pasi sipas llogarive nga viti 1998 deri në vitin 2022, ku ai u lirua, bëjnë 24 vite karrierë ushtarake dhe jo 31. “Është çmendur aritmetika 2022 – 1998 = 32 presidenti ynë i nderuar, Bajram Begaj është titulluar oficer në FA në vitin 1998 dhe liruar nga FA në vitin 2022. Në jetëshkrimin e tij në faqen zyrtare (shqip dhe anglisht) thuhet: “Me një karrierë të gjatë ushtarake prej 32 vjetësh (With a long military career of 32 years). Nuk bëjnë 32 vjet, por 24. Paska vjetërsi shërbimi më shumë se unë që jam titulluar oficer në 1989 dhe liruar në 2020, pra 31 vjet. Një oficer me një karrierë brilante, sipas ligjit në kufijtë e 24 vjet shërbim ushtarak gradohet kolonel. Ditën e lirimit nga FA në 2022, Presidenti i nderuar me 24 vjet karrierë ushtarake kishte 5 vjet në gradën gjeneral”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here