Humbja me Kukësin në fundjavën që lamë pas duket se ka qenë fatale për trajnerin Migen Memelli, i cili është shkarkuar nga drejtimi i Vllaznisë, e klubi ka hyrë në bisedime me disa teknikë për të vendosur se cili do të drejtojë skuadrën tani e tutje. Rezultatet janë ato që masin punën e trajnerit dhe pas 10 javësh garë Vllaznia ndodhet në zonën e poshtme të renditjes, diçka që nuk mendohej nga drejtuesit. Edhe pse skuadra ka realisht probleme, dihet që “kokë turku” në këto raste bëhen pikërisht trajnerët.
Shkarkimi
Në fillim lajmin e dhanë mediat vendore, por që u konfirmua zyrtarisht më pas nga klubi. Kështu, duhet thënë se mbyllet edhe zyrtarisht aventura e Migen Memellit te Vllaznia, teksa nga momenti në moment pritet edhe zyrtarizimi i klubit shkodran. Trajneri pogradecar mori drejtimin e kuqebluve në fillim të verës, duke i udhëhequr ata në turin e parë të eliminatoreve të Conference League, si dhe në 10 javë kampionat. Ndonëse pati mundësinë të ndërtojë vetë skuadrën dhe kohë pafund për të punuar, Memelli nuk arriti të përmbushë pritshmëritë e tij në Shkodër, duke grumbulluar vetëm 12 pikë në 10 javët e para, shumë pak për një skuadër që synon të jetë në katërshen e parë të renditjes. Vendimtare për shkarkimin e teknikut ka qenë humbja minimale 1-0 në Kukës, ndaj vendasve që luajtën për më shumë se 60 minuta me një lojtar më pak. Me largimin e Memellit, Vllaznia bëhet klubi i 7 i Superiores, që ndërron trajnerin brenda 10 javëve të para, një shifër kjo mjaft e lartë, që konfirmon mungesën e projekteve afatgjata dhe serioze.
Komunikata e Vllaznisë
Klubi shkodran lëshoi dje një komunikatë për shtyp, ku njoftonte prerjen e marrëdhënies me Memellin. “Klubi i Futbollit Vllaznia njofton ndërprerjen me mirëkuptim të dy palëve marrëveshjen me trajnerin Migen Memelli. Falenderojmë trajnerin për gjithë kontributin e dhënë gjatë kësaj periudhe nën drejtimin e Vllaznisë. Pavarësisht pozicionit jo të mire të renditjes aktuale te ekipit tonë, ne vlerësojmë maksimalisht përpjekjet, ndershmërinë, integritetin e trajnerit Memelli dhe i urojmë suksese në karrierën e tij të ardhshme”, thuhet në njoftimin e klubit të Vllaznisë së Shkodrës.
Ikën Memelli e vjen Osmani
Ndërkohë, dje pasdite u mësua edhe emri i trajnerit të ri. Kështu, Qatip Osmani do të jetë trajneri i Vllaznisë. Shqiptari nga Maqedonia e Veriut ka arritur marrëveshjen me kuqeblutë dhe pritet të mbërrijë në Shkodër të hënën, ku do të bëjë prezantimin zyrtar dhe do të drejtojë seancën e parë stërvitore. Osmani do të marrë vendin e Migen Memellit, i cili nuk përmbushi pritshmëritë e drejtuesve, pasi grumbulloi vetëm 12 pikë në 10 javë dhe krijoi shumë tension me disa prej futbollistëve. Tekniku Osmani ka një eksperiencë të konsiderueshme në Maqedoninë e Veriut, ku ka drejtuar Shkëndijën e Tetovës në disa periudha të ndryshme, Shkupin e Renovën. Pikërisht te kuqezinjtë nga Tetova ka arritur rezultatet më të mira, duke fituar edhe titullin kampion, teksa u largua nga aty vetëm në fund të sezonit të kaluar. Kjo do të jetë eksperienca e parë në Shqipëri për Qatip Osmanin, që do të provojë të bëjë mirë në një klub me emër e histori si Vllaznia.









































