Google search engine
Home Sport Siti fiton derbin e Mançesterit me Junajtid, Liverpuli shkatërron Notingham Forest

Siti fiton derbin e Mançesterit me Junajtid, Liverpuli shkatërron Notingham Forest

0
118

Dje u luajtën shumica e dueleve të javës së dhjetë në kampionatin elitar anglez, ku padyshim spikaste derbi i Mançesterit mes Sitit dhe Junajtid, fituar thellë 3-0 nga “qytetarët”, skuadër që drejtohen nga tekniku i njohur katalanas, Pep Guardiola. Në fakt, Mançester Siti e ka fituar bindshëm derbin e Mançesterit. Siç thamë, ndeshja i ka takuar xhiros së dhjetë të Premier Leagues. Erling Haland ishte njeriu i ndeshjes. Shënoi dy gola dhe asistoi në një tjetër. Për 1:0, sulmuesi shtatlartë shënoi në minutën e 26-të nga penalltia. Me kokë më pas në minutën e 49-të realizoi me asistim të Bernardo Silvas. Dhjetë minuta para se të mbyllej ndeshja, bashkëveproi me Fil Fodenin, i cili realizoi për 3:0. Me këtë fitore, Siti tani ka 24 pikë në pozitën e tretë. 24 pikë i ka edhe Arsenali në vendin e dytë, ndërsa Totenhemi është i pari me 26 pikë. Junajtid që pësoi disfatën e pestë të edicionit aktual ka 15 pikë në vendin e tetë. Po në kampionatin anglez, Liverpuli ka shënuar fitore bindëse përballë Notingham Forestit të dielën duke e mposhtur me rezultatin, 3:0, në ndeshjen që i takoi javës së dhjetë në Premier League. Golin e parë e shënoi Diogo Jota në minutën e 31-të, kurse katër minuta më vonë, Darvin Nunez realizoi për 2:0. Mohamed Salah shënoi golin e tretë. Ai realizoi në minutën e 77-të për fitoren e dytë rresht të Liverpulit në Premier League. Liverpuli ka fituar 23 pikë nga dhjetë ndeshje. Duhet theksuar se rivaliteti në Premeir League angleze këtë edicion është shumë i madh, pasi në garën e titullit përveç Sitit që shihet si pretendent kryesor, janë edhe Junajtid, Njukasëlli, Liverpuli, e padyshim Arsenali. Kësaj liste mund t’i shtohet edhe Totenhemi. Kuptohet, lufta bëhet për të qenë në top-4 të renditjes, pozicione që i sigurojnë pjesëmarrje në Ligën e Kampioneve që organizohet nga UEFA. Për momentin, dy favoritët kryesorë janë Siti dhe Arsenali (që kanë të dyja nga 24 pikë), edhe pse kryesimin e mban Totenhemi me 26 pikë, skuadër që ka pasur një ecuri fantastike në këtë fazë të parë të kampionatit anglez. Po dje, Evertoni arriti një fitore tepër të rëndësishme në Londër, pasi mposhti 1-0 Uest Hemin falë golit të Dominik Kalvert-Levin në minutën e 51-të. Sulmuesi kryesor i Evertonit shënoi një gol të bukur, duke i dhuruar skuadrës së tij tri pikë të arta në një transfertë të komplikuar. Vazhdon momenti i vështirë për Uest Hemin, që regjistroi humbjen e tretë radhazi. Djemtë e David Mojes mbeten në vendin e nëntë me 14 pikë, ndërkohë që Evertoni është ngjitur në kuotën e 10 pikëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here