Tirana në krizë loje e rezultatesh, tension me tifozët, cilësia e emrave e kundërt me pozitën në renditje

0
80

Humbja e Tiranës nga Egnatia dy ditë më parë tregoi qartë krizën që ka mbërthyer klubin bardheblu, i cili ka zbritur në vend të katërt, 6 pikë larg kreut dhe në një situatë të tensionuar ku lojtarët, stafi e drejtuesit kanë zënë llogoret e tyre dhe as po gjejnë të mesmen e përbashkët që të nxjerr nga situata e vështirë. Duhet parë nëse problemi është financiar apo thjesht grupime kundër stafit. Tek Tirana këto histori përsëriten çdo sezon. gjithsesi, humbja e fundit nxori në pah një fakt të dhimbshëm, ecuria e Tiranës në lojë dhe rezultate është e kundërt me emrat që ka në përbërje, të cilët janë cilësorë.

Fshirja e komenteve të tifozëve, shenjë krize dhe tensioni

“Klubi që heq të drejtën e komentit në postimin e rezultatit me Egnatian në profilin zyrtar në rrjetet sociale, është epilogu i trishtë i një humbjeje që konfirmon krizën e Tiranës. Ndoshta dhe vetë e kanë kuptuar se nuk ka nevojë për koment”, kështu shkruan në artikullin e tij “Supersport”. Dy herë në avantazh me një gol të shënuar që në minutën e 4-t, dy herë të rikuperuar dhe më pas të përmbysur në një zhgënjim total. E gjitha pas një dushi të ftohtë në derbi, të dominuar nga rivalët e kuq të Partizanit. Aty ku u mundën duke u shfaqur me një sulm që, nëse e cilëson të vakët, e mban me hatër, një mesfushë ku komanduan të kuqtë dhe një mbrojtje që nuk të dhuron në asnjë moment siguri. Në derbi skuadra në fushë për asnjë moment nuk arriti të ngjitej në lartësinë e tifozerisë së zjarrtë në tribuna, e detyruar të linte stadiumin e zhgënjyer. Ndaj Egnatias duhej të ishte ndeshja e reagimit, por ndodhi e kundërta. 4 humbje në 5 ndeshjet e fundit konfirmojnë se Tirana është në krizë. Një çështje “Shehi” që mbetet pezull, me Ahmatajn që në daljet e para nuk ka mundur të shikojë dritën në fund të tunelit, problemet duken më të mëdha se thjesht drejtimi teknik. Vjet, Tirana e humbi titullin për shkak të golavarazhit me Partizanin, por edhe këtë vit duket me probleme.

Ecuria e Tiranës në garë, e kundërt me cilësinë e emrave

Tirana e nisi si pretendente sezonin, por fusha po tregon të kundërtën. Në 9 javë Tirana ka shënuar 13 gola, ka sulmin e 4 të kampionatit, ku shifrat shpëtojnë vetëm Florent Hasanin, i vetmi që jep shkëndijë edhe në fushë. Kaina ka shënuar 2, Liridon Latifi 1, ndërsa Kristal Abazaj asnjë. Për sa u përket lojtarëve të krahut, pavarësisht bagazhit teknik, kontributi lë për të dëshiruar edhe në lojë, ku duken më të lehtë nga sa duhet për Tiranën. Pastaj mbrojtja, 15 gola të pësuar në 9 javë, janë vërtet shumë, sidomos për një skuadër pretendente. Një repart ku luajnë lojtarë të konfirmuar. Doka, Hoxhallari, Mici, duhej të ishte krejt ndryshe. Vështirë se mund të jetë një çështje thjesht e karakterit teknik. Klubi është se ka ndihmuar me çështjet e mbetura pezull, duke nisur nga drejtimi i stolit. Apeli në këtë moment është për vetë lojtarët, me gjithë respektin për emrat. Te tifozët, edhe pse këtë herë pa gojë në postimin e klubit, po krijohet bindja se kjo është një skuadër emrash, jo lojtarësh, e aq më pak luftëtarësh. 13 pikë në 9 ndeshje, me më pak se 1.5 pikë për takim, janë pak për një skuadër që synon titullin kampion dhe performancë cilësore në Europë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here