Performanca fantastike e Berishës i dha fitoren Empolit, Ramadani “ylli” i ri i Leçes

0
131

Lojtarët e Kombëtares vijojnë të paraqiten mjaft mirë me ekipet e tyre në Europë. Sidomos të vlefshëm janë lojtarët që luajnë në dy seritë e kampionatit italian, të cilët kanë dhënë prova se po rrisin kuotat e tyre në treg falë performancave cilësore. Padyshim që ky është lajm i mirë për trajnerin Silvinjo në ekipin përfaqësues, sepse forma e mirë nxit rezultate pozitive në prag të dueleve të fundit në eliminatoret e Europianit “Gjermani-2024”. Por lojtarë si Berisha, Hysaj, Ismajli, Asllani e veçanërisht Gjimshiti, po tregojnë me vepra në fushën e lojës se janë në top-futbollistët e momentit në Europë, duke marrë edhe vëmendjen e medias sportive në kontinent.

Berisha protagonist në fitoren e Empolit, statistika të qëndrueshme

Në Kombëtare ai është padiskutim titullari i parë, një barrierë e pakalueshme në prapavijë dhe gardian i hekurt e me shumë autoritet. Ndërkohë, në Itali, Etrit Berisha ishte vendimtar në fitoren e dytë sezonale të Empolit (Fiorentina-Empoli 0-2). Portieri i Kombëtares Shqiptare tregoi se pritjet e një “gardiani” mund të marrin vlerë më të madhe se golat e shënuar. Sipas “Sofascore”, Berisha ishte më i miri i ndeshjes së zhvilluar në “Artemio Franchi”, duke u vlerësuar me notën 8.9. Berisha, gjatë gjithë lojës ka arritur të presë pesë gjuajtje brenda zonës dhe të fitojë 3 (nga tre gjithsej) duele ajrore. Sigurisht që performanca në nivelin më të lartë nga ana e “gardianit” kuqezi u dha më shumë vlerë golave të shënuar nga Caputo dhe Giasi. Empoli duket se po del nga kriza e rezultateve të fillimsezonit e për këtë ka meritë të padiskutueshme 34-vjeçari me sigurinë që ofron mes shtyllave.

Mesfushori/ Ramadani “ylli” i ri i Leçes në Serie A

Mesfushori kuqezi, Ylber Ramadani, luajti në qendër të mesfushës te Leçe që fitoi pikë nga udhëtimi tek Udineze. Të hënën mbrëma në kuadër të xhiros së nëntë të Serie A, Udineze e Leçe barazuan 1:1. Ramadani e kompletoi ndeshjen, ndërsa u ndëshkua me karton të verdhë. Ai është i padiskutueshëm në përbërjen bazë të Leçes që renditet e dhjeta në kampionatin italian me 13 pikë nga nëntë ndeshje. Udineze i ka vetëm gjashtë pikë dhe renditet e 17-ta. Florian Thauvin kaloi në epërsi Udinezen me golin nga penalltia në minutën e 49-të. Roberto Pikoli i siguroi pikën Leçes me golin e minutës së 83-të.

Statistikat e Kombëtares, shkëlqen edhe stoli

Dy ndeshjet e fundit të Kombëtares, treguan se kuqezinjtë kanë bërë progres në lojën e tyre, që dëshmohet jo vetëm nga fitoret, por edhe golavarazhi dhe tregues të tjerë sportivë, që janë në përmirësim të vazhdueshëm. Si në duelin me çekët, ashtu dhe me bullgarët, Kombëtarja demonstroi forcë, kualitet dhe padyshim qëndrueshmëri në parametrat e lojës dhe kjo është mjaft e rëndësishme për stafin teknik dhe vetë grupin. Siç dallohet, kuqezinjtë e Silvinjos dominuan qartësisht në çdo aspekt në një takim ku “linjat e dyta” treguan se nuk kanë shumë diferenca krahasuar me ekipin e parë. Shqipëria ushtroi presing, arriti të realizonte dy gola dhe tregoi se mekanizmat dhe direktivat e teknikut Silvinjo funksionojnë për mrekulli. Kristjan Asllani u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here