Kryeministri hungarez shpërtheu ndaj Bashkimit Evropian në përvjetorin e kryengritjes anti-sovjetike të Hungarisë në vitin 1956, duke e krahasuar anëtarësimin e vendit të tij në Union me 4 dekadat e pushtimit sovjetik.
Viktor Orban akuzoi BE-në se po përpiqet t’i zhvasë Hungarisë identitetin e saj duke i imponuar një model demokracie liberale, që sipas tij hungarezët nuk e duan.
“Ne vallëzuam sipas tingujve të vërshëllimës së Moskës. Edhe Brukseli vërshëllen, por ne vallëzojmë sipas qejfit tonë. Dhe nëse nuk duam, nuk vallëzojmë fare”, tha Orban.
Orban, i konsideruar një nga aleatët e vetëm të presidentit Putin në BE, iu desh të përballej me opozitën e disa mijëra qytetarëve që mbushën rrugët të hënën. Një demonstratë e mbajtur në Budapest kritikoi politikat e tij dhe marrëdhënien me Rusinë, pavarësisht luftës në Ukrainë.









































