Derbi i madh Partizani-Tirana, luajtur mbrëmë në stadiumin “Air Albania” të kryeqytetit dhuroi emocione dhe spektakël, por edhe një fitore të madhe të “demave të kuq”, të cilët fituan 2-1 dhe me trepikëshin e mbrëmshëm jo vetëm parakalojnë Tiranën në renditje, por ngjiten në vend të dytë, duke pasur edhe një ndeshje më pak. Ishte një fitore e vuajtur por mjaft emocionuese, pasi erdhi në sekondat e fundit. Të tre golat u shënuan në pjesën e dytë dhe pavarësisht ekuilibrave në termat sportivë, fitorja në fund shkoi për Partizanin, që fiton kështu 2-1 duelin e parë derbi për këtë sezon.
Pjesa e parë pa gola
Bardheblutë krijuan rastin e parë të rrezikshëm në minutën e 4-t, por sfera përfundoi në korne, e një minutë më pas regjistroi Partizani rastin e tij por pa gjetur dot kuadratin. Në minutën e 10-të Bintsuka bëhet protagonist, por në momentin e fundit i ndërhyn Najdovski që largon rrezikun. Në minutën e 12-të është sërish Najdovski që i bën një ndërhyrje të saktë Carës duke evituar rrezikun në portën bardheblu. Në minutën e 21-të dhe të 23-të, është Liridon Latifi që bëhet protagonist në sulm për bardheblutë.
Fillimisht e ndal mbrojtja, kurse në rastin e dytë goditja e tij përfundon jashtë kuadratit. Në minutën e 27-të Cara i shkëputet mbrojtjes dhe del i vetëm para portierit, por Abdullahu ndalon gjuajtjen e tij duke shpëtuar një gol të sigurt. Në minutat në vazhdim të dyja skuadrat krijojnë nga një rast, Partizani me Carën dhe Tirana me Abazajn, por mbrojtjet larguan rrezikun. Pjesa e parë mbyllet me Tiranën në sulm, ku Përgjonaj krijon rast goli, megjithatë reagoi si duhet portieri Hoxha.
Pjesa e dytë ka emocion deri në fund
Partizani e nisi pjesën e dytë në sulm. Në minutën e 46-të Cara shfaqet i vetëm pata portës, pason për Rrapajn por gjuajtja e tij ndalet nga Abdullahu. Sërish Abdullahu bën heroin në minutën e 47-të, duke evituar një gol nga Bintsuka. Në të 51′ vjen rast i artë për Tiranën. Bytyçi kthen në asist për Abazajn një harkim të Latifit dhe sulmuesi gjuan, por gjen traversën. Midis minutës së 55-të dhe 65-të tifozët mbushin fushën me tymuese dhe fillimisht Najdovski i Tiranës e më pas Hoxha i Partizanit përpiqen t’i qetësojnë tifozët. Por ndeshja ndërpritet gati dy minuta në të 70′ pasi në fushë u hodhën flakadanë e tymuese.
Tirana përpiqet të reagojë në vazhdim dhe në minutën e 73-të, pas një goditje nga këndi të radhës të bardhebluve, Hoxhallari gjuan dhe gjen traversën. Ka një tjetër gjuajte me kokë dhe është Maget i cili këtë radhë shpëton portën e kuqe. Rezultati ndryshon në minutën e 77-të, ku të kuqtë gjejnë golin. Shënon Maget pas një goditje nga këndi me një gjuajtje me kokë. Trajneri Julian Ahmataj i Tiranës bën ndryshime të menjëhershme, duke shtuar forcat në sulm me Kainën. Loja e bardhebluve bëhet më agresive dhe pas shumë përpjekjesh, në minutën e 90-të Tirana gjen golin e barazimit. Hasani merr një pasim nga e majta dhe nuk gabon me gjuajtjen e tij duke barazuar shifrat.
Por emocionet ishin grumbulluar për në sekondat e fundit, pasi Partizani gjen sërish golin e barazimit në minutën e dytë shtesë, pikërisht me anë të Mensah që devijoi topin e goditur nga Keko. Me këtë rezultat Partizani fiton ndeshjen 2-1 dhe parakalon Tiranën në renditje, duke u ngjitur në vend të dytë, e madje me një ndeshje më pak (atë ndaj Teutës).
Renditja
Nr.Ekipi Pikë
1.Egnatia 16
2.Partizani 14
3.Laçi 13
4.Tirana 13
5.Skënderbeu 12
6.Erzeni 11
7.Vllaznia 9
8.Teuta 8
9.Dinamo 7
10.Kukësi 7