Brazili u mund nga Uruguaji por më shumë sesa disfata e përfaqësueses mori rëndësi lajmi i dëmtimit të Nejmarit, i cili ka këputur meniskun dhe dëmtuar ligamentet e për pasojë do të mungojë një vit, por mundet që edhe të mos bëhet më për të luajtur. Mediat braziliane e kanë përcjellë lajmin me trishtim, teksa lojtari u është nënshtruar ekzaminimeve dhe së shpejtie dhe operimeve. Në fakt, braziliani Nejmar reagoi vetë pas dëmtimit të rëndë që pësoi në gjurin e majtë. Siç thamë, sulmuesi këputi ligamentin dhe meniskun, duke mbyllur para kohe sezonin dhe duke qenë në pikëpyetje e ardhmja e tij si lojtar profesionist.
31-vjeçari u dëmtua në ndeshjen ndaj Uruguajit, të cilën 5 herë kampionët e botës e humbën 2-0, teksa nëpërmjet rrjeteve sociale kërkoi mbështetjen e të gjithëve: “Është moment shumë i keq për mua, madje më i errëti që kam përjetuar. Kam nevojë për dashurinë e të gjithëve ju. Nuk është e thjeshtë që të dëmtohesh dhe të kryesh ndërhyrje. Jam i gatshëm të jap gjithçka që të rikthehem në fushë.
Kam besim në Zot se do të bëhem mirë. Ju falënderoj të gjithëve për mesazhet inkurajuese“, përfundon postimi i Nejmar në rrjetin e tij social “Instagram”. Braziliani ka qenë i pafat në karrierën e tij, ku shpesh herë dëmtimet e kanë penalizuar sulmuesin, duke e lënë për kohë të gjatë jashtë fushave. Mbetet për t’u parë e ardhmja e futbollistit, pasi dëmtimet ne gju janë më të vështirat dhe duan një kohë të gjatë rikuperimi. Siç dihet, në superligën e Arabisë Saudite këtë sezon kanë shkuar shumë lojtarë të nivelit të lartë nga Europa, kryesisht lojtarë veteranë, përfshi dhe yje si Kristiano Ronaldo, Nejmar e ndonjë tjetër, mes tyre edhe sulmuesi francez Karim Benzema.
Ky i fundit bëri një postim si dedikim për viktimat në Gaza të Palestinës. Por ministri i brendshëm francez, Gerald Darmanin, e akuzoi fituesin e Topit të Artë 2022 se ka lidhje me terroristët myslimanë. Avokati i sulmuesit të Al Ittihad në Arabinë Saudite, Hugues Vigier, hodhi poshtë akuzat dhe mohoi lidhjen e Benzema me grupime terroriste. “Akuza false! Benzema nuk ka pasur kurrë as më të voglën marrëdhënie me këtë organizatë. Ai zgjodhi të jetojë në Arabi, ku organizata e lartpërmendur u shpall ‘terroriste’, diçka që Franca nuk e ka bërë kurrë. Le të vlerësojmë një procedim ndaj ministrit, duke zbatuar për shembull ligjin për manipulimin e informacionit, por edhe për shpifje apo fyerje. Nuk është e pranueshme që ata që na qeverisin të besojnë se janë të autorizuar të veprojnë vetëm nga oportunizmi”, theksoi përfaqësuesi ligjor i Benzemasë.