Kreu i Lëvizjes “Odgovor” në Serbi, Boban Bogdanoviç ka reaguar lidhur me prezencën e kryeministres serbe Ana Brnabiç në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë dje.
Kujtojmë se Brnabiç refuzoi të merrte pjesë në fotografinë familjare të liderëve për shkak se prapa tyre rreshtohej edhe flamuri i Kosovës.
Megjithatë Bogdanoviç është shprehur se me këtë veprim ajo ka “mashtruar” opinionin publik në Serbi.
Ai u shpreh përmes një postimi në platformën “X” se pasi refuzoi të merrte pjesë në fotografi, Brnabiç ka firmosur një marrëveshje, në të cilën përfshihej edhe Kosova.
Bëhet fjalë për marrëveshjen e pranimit të kualifikimeve profesionale, të cilat tanimë do të njihen për shtetasit kosovarë edhe në Serbi.
“Kryeministrja e Serbisë refuzoi një foto të përbashkët në Tiranë për shkak të Republikës së Kosovës, ndërsa pak orë më vonë firmosi një dokument për pranimin e kualifikimeve profesionale të Republikës së Kosovës, de jure dhe de facto!”, shkroi Bogdanoviç.












































