8 prokurorë shprehën interes për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme, SPAK, duke kandiduar pranë Këshillit te Lartë të Prokurorisë. 3 prokurorë që synojnë një nga 3 vendet në SPAK, ushtrojnë detyrën në Prokurorinë e Tiranës, 2 në Prokurorinë e Durrësit, një në Vlorë dhe një tjetër në Elbasan, si dhe një tjetër pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Afati për të kandiduar për të qenë pjesë e Prokurorisë se Posaçme, u mbyll dje në orën 00:00. Kandidatët janë: Ndini Tavani, prokuror në Prokurorinë e Tiranës, Sonila Muhametaj, prokurore në Prokurorinë e Tiranës, Bledar Maksuti, prokuror në Prokurorinë e Tiranës, Anita Jella, prokurore në Prokurorinë e Durrësit, Pali Deçolli, prokuror në Prokurorinë e Durrësit, Albert Kuliçi, prokuror në Prokurorinë e Vlorës, Kreshnik Ajazi, prokuror në Prokurorinë e Elbasanit, Olsi Dado, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.
Ndini Tavani, prokurori i dosjeve të nxehta
Ndini Tavani është një emër i njohur në strukturat e drejtësisë, ai është publik për mediat pasi në duart e tij kanë kaluar dhe po kalojnë mjaft dosje të nxehta. Tavani ishte një nga kandidatët për SPAK, por me skenarët e shkarkimit nga KPK dhe rikthimit në detyrë nga KPA, ai vazhdon të jetë prokuror në prokurorinë e Tiranës. Ndini Tavani është njeriu që nuk ka pasur akuza për korrupsion dhe kundërshtarët e tij apo ata që ka nën hetim nuk kanë mundur ta akuzojnë apo sulmojnë. Ai ka mundur të kryejë së fundmi një hetim të thelluar për disa nga njerëzit e medias, gjobat dhe për korrupsion. Individë që flasin gjoja për luftë ndaj korrupsionit, por mediat e tyre u shërbejnë gjobave dhe shantazheve mediatike, fshihen në skuta anonime kanë frikë t’i përmendin emrin Ndini Tavanit. Jo vetëm kaq. Ky është prokurori i hekurt që ka çuar pas prangave për herë të parë ish-ministrin e Sali Berishës, Spiro Ksera. Gjithashtu, ai ka zbuluar se disa personazhe mediatikë fshehin pasuri të vëna nga paratë e gjobave, prona të cilat nuk justifikohen me të ardhurat e deklaruara në shtet, pasi u është kryer një hetim i plotë pasuror. Në prokurori, dosjes së Tavanit për gjobaxhinjtë, i janë shtuar edhe dhjetëra kallëzime nga biznesmenë të ndryshëm, të cilët janë sulmuar dhe akuzuar, duke i shtrënguar për të dhënie pasurie.
Sonila Muhametaj, prokurore në Prokurorinë e Tiranës
Ajo njihet ndryshe si “prokurorja rebele”, pasi në shtator 2018, Sonila Muhametaj u transferua me urdhër të kryeprokurores Arta Marku pas një konflikti në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për dosjen “Shullazi”. Muhametaj paditi zonjën Marku në Gjykatën Administrative dhe e fitoi çështjen, duke u rikthyer nga Prokuroria e Pukës në atë të Krimeve të Rënda. Ajo ka patur në duar dosje të tjetërsimit të pronave në bregdet si edhe hetime grupesh kriminale.
Bledar Maksuti, prokuror në Prokurorinë e Tiranës
Bledar Maksuti është prokurori që zbuloi në kohë rekord vrasësit e Behar Sofisë disa kohë më parë, e cila u krye në mes të kryeqytetit. Ai e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore dhe e ushtron funksionin e prokurorit prej vitit 2008.
Anita Jella, prokurore në Prokurorinë e Durrësit
Anita Jella ka patur në duar një nga dosjet e nxehta që vazhdon akoma të shkaktojë debat, ajo me hetimet pas tërmetit të 26 Nëntorit.
Pali Deçolli, prokuror në Prokurorinë e Durrësit
Përsa i përket Pali Deçollit, ai e ka nisur karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore. I emëruar prokuror në vitin 2012, Deçolli ka ushtruar funksionin për rreth një dekadë si prokuror i i Prokurorisë së Rrethit të Durrësit. Ai njihet si personazhi që kërkoi sekuestrim të pasurive të Lulzim Berishës i konsideruar nga Prokuroria Shqiptare dikur si kreu i bandës së Durrësit.
Albert Kuliçi, prokuror në Prokurorinë e Vlorës
Albert Kuliçi është një prokuror që është përballur dhe me eliminim pasi ai ka një karrierë të mbushur me dosje të nxehta hetimore. Disa vite më parë atij i kanë vendosur tritol në makinë. Ai ka patur në dorë dosje politikanësh dhe dosje të tjetërsimit të pronave në bregdet. Një nga këto dosje është për ish-kryebashkiakun e Vlorës Shpëtim Gjika dhe 7 të pandehurit e tjerë, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të bashkisë Vlorë. Gjika në cilësinë e kryetarit të Bashkisë, Ardian Musta në cilësinë e nën/kryertarit dhe zyrtarët e tjerë si Ilir Banushi, Arben Beqiraj,Taulla Zanaj,Gentian Sherifaj, Merita Mema dhe Petro Thanasko, ishin vënë në akuzë nga prokuroria e Vlorës për çështjen e konçesionit 15-vjeçar të parkimeve në rrugët e Vlorës. Në muajin shkurt 2019 prokuroria e Vlorës (Albert Kuliçi) ngrit ndaj të pandehurve të mësipërm akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, duke dërguar dosjen në gjykatë.
Kreshnik Ajazi, prokuror në Prokurorinë e Elbasanit
Ky prokuror ka në duar dosjen e grupit të Laert Haxhiut. Kujtojmë që arrestimi i Artan Tafanit, tashmë i penduari i drejtëisë ka zbardhur 16 ngjarje kriminale, ku mes tyre 6 atentate të bujshme. Tafani zbuloi se të gjitha vrasjet ishin organizuar dhe porositur nga Laert Haxhiu. Aktualisht Laert Haxhiu ndodhet në burg në Janinë, teksa autoritetet shqiptare e konisderojnë si një nga më të rrezikshëm në Shqipëri dhe Evropë.
Olsi Dado, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
Olsi Dado nuk e ka për herë të parë punën me drejtësinë e re, pasi para disa muajsh është komanduar prokuror në SPAK pas kërkesës së kreut të këtij institucioni, Altin Dumani. Ky i fundit e ka bërë kërkesën përkohësisht për shkak të nevojave të SPAK-ut. Pas komandimit në SPAK, Dado la detyrën që mbante, atë të drejtorit të Marrëdhënieve me Jashtë e Ekstradimet në Prokurorinë e Përgjithshme.












































