Prokurorja e SPAK Doloreza Musabelliu është paraqitur në seancën kundër Laert Haxhiut. Seanca u shty pasi nuk është bërë e mundur njoftimi i dëshmitarit të fundit Arsen Gjuti.
Në seancë pati debate mes palëve pasi Laert Haxhiu ka refuzuar që të marrë dijeni për seancën e sotme nëpërmjet oficerit të kontaktit.
Fillimisht ka pretenduar se është i sëmure me COVID më pas ka refuzuar takimin me agjentin.
Avokati Detar Hysi refuzoi që të vijonte mbrojtjen pasi pretendon se është i zgjedhur nga familjarët dhe jo nga vet Laert Haxhiu. Avokati tha se nuk mund të mbrojë një person i cili nuk i ka dhënë tagrin sepse tashme sipas tij kanë ndryshuar kushtet ligjore duke qenë se Laert Haxhiu ka një adresë dhe duhet të vendos vet për avokatin.
Trupa gjykuese e kryesuar nga Erjon Çela vendosi që të mos e pranojë kërkesën e avokatit, pasi togat e zeza bënë me dije se gjykimi do vazhdojë në mungese pasi nuk mund të presin pambarimisht Laert Haxhiu, i cili refuzon që të marrë dijeni për procesin në vendin tonë. Seanca e radhës u caktua në 19 tetor ora 14:30.
Haxhiu po gjykohet në Shqipëri për masakrën e Lushnjës në vitin 2017, ngjarje për të cilën më herët janë dënuar me burgim të përjetshëm bashkëpunëtoret e tij Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi. Laert Haxhiu ndodhet i arrestuar në Greqi ku ka kërkuar azil ndërsa Shqipëria kërkon ekstradimin e tij.
Së fundi ai u ekspozua nga dëshmia e Artan Tafanit lidhur me disa ngjarje të rënda kriminale të viteve të fundit, ku sipas tij planifikonte të kryente atentate ndaj 2 prokurorëve dhe një avokati.