Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, prezantoi dje propozimet për Reformën Zgjedhore, gjatë një takimi që zhvilloi në Fierit me mbështetësit e PD-së, në këtë qytet. Basha u shpreh se një nga propozimet kryesore ka të bëj me listat e hapura, me qëllim që votuesit të kenë mundësi të zgjedhin vetë deputetin, jo kryetari. Ai shtoi se një tjetër problematikë që duhet zgjidhur është barazia e votës, teksa bëri thirrje që numri i votuesve për mandat deputeti të jetë i njëjtë në të gjithë vendin. Basha vijoi duke thënë më tej se vota e diasporës po ashtu duhet të kthehet në realitet, ndërsa tha se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit duhet të kenë mundësi të votojnë në zgjedhje nga aty ku jetojnë. Gjithashtu theksoi Basha, ne propozojmë që Presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Ndërkohë Basha njoftoi se, PD brenda muajit do të ndërmarrë amendament për heqjen e imunitetit të deputetëve që hetohen nga SPAK. Mes të tjerash Basha tha se, “pushteti është një mjet për të zgjidhur hallet e njerëzve dhe jo për njerëzit një mjet për të ardhur dhe mbajtur pushtetin”. Ai theksoi se, “listat e hapura janë A-ja e alfabetit tonë politikë kur vjen puna tek reforma zgjedhore”. “Lista të hapura, pa kufizime, pa artifica, pa herës. Kush merr më shumë vota futet në parlament dhe përfaqëson me dinjitet qytetarët që e kanë votuar. Natyrisht në vetvete nuk mund të funksionojë pa disa zgjidhje të tjera. Ne e dimë që sot për shkak të zhvillimeve, elementë të cilët nuk kanë, nuk gëzojnë besimin e njerëzve, por përpiqen ta blejnë atë, janë në parlament, janë në bashki, janë në institucione. Një sistem i listave të hapura, i pavaksinuar ndaj të korruptuarve që përdorin paranë dhe krimit të organizuar që përdor paranë e pisët dhe mjetet e tjera për të diktuar personat që do në Kuvend, apo bashki apo institucione të tjera, pra vaksinimi i listave të hapura përmes vetingut të politikanëve. Kjo është një iniciativë e jona që në fakt është një përforcim i ligjit për dekriminalizimin”, deklaroi Basha.









































