Trondit Frrok Çupi: Amerikanët i kanë ‘qepur’ dosjet dhe provat kriminale të Sali Berishës, Ilir Meta ka vite që hetohet nga FBI, ja parashikimi i tmerrshëm për Shkëlzenin pasi të mbyllen hetimet mbi aferën e “Gërdecit”

0
126

Analisti i njohur, Frrok Çupi ka paralajmëruar telashe për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ish-kryeministrin Sali Berisha dhe madje djalin e këtij të fundit, Shkëlzeni, duke qenë se ata dyshohen se janë përfshirë në afera kriminale dhe korruptive. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, analisti Çupi theksoi se amerikanët i kanë “qepur” dosjet dhe provat kriminale të Sali Berishës, ndërsa shtoi se Ilir Meta ka vite që hetohet nga FBI. Sipas tij, familja Berisha është përfshirë kokë e këmbë në aferën e “Gërdecit”.

-Zoti Çupi, si e komentoni deklaratën e kryeministrit Edi Rama që ta marrë KFOR nën patronazh veriun e Kosovës?

Nuk bëhet fjalë për ‘patronazh’. Është fjala që NATO të marrë në kontroll të plotë veriun e Kosovës. E bëra këtë qartësim edhe për arsye se shumëkush, madje e ashtuquajtura ‘opozitë’, e ngatërron dhe e bën ‘rrumpallë’ gjithë fjalorin ligjor e politik mbi situatën në Kosovë. Madje edhe vetë përcaktimet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara thonë qartë se ‘Kosova, pas Luftës, vendoset nën administrimin e OKB, posaçërisht nën administrimin e Misionit UNMIK, që u krijua në 10 qershor 1999, një ditë pas përfundimit të Luftës. Që atëherë nuk ka ndryshuar asgjë në statusin e OKB mbi Kosovën. UNMIK e administron sigurinë e Kosovës përmes KFOR, që është NATO. Ajo çfarë kërkon Edi Rama, kryeministër, është ajo çfarë ka vendosur OKB, KS, SHBA, BE… mbi funksionimin e Republikës së Kosovës. NATO (KFOR) aty është prezent. Ishte vetëm një moment kur NATO u shpërfill nga qeveria Kurti, ditën kur me policinë e vet, qeveria Kosovare, vendosi në zyra me masa policore kryetarët e katër komunave në Veri me shumicë serbe. Kjo ka qenë data 26 maj 2023. Që atë ditë në veri të Kosovës është përshkallëzuar tensioni mes Serbisë dhe Kosovës. Kurti nuk i dëgjoi thirrjet e NATO- s, SHBA dhe BE për bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve. Në thelb, Kurti hodhi poshtë statusin e Republikës ku ai është kryeministër, duke bërë ‘nul’ rezolutën 1244 të OKB, dhe duke neglizhuar NATO-n. Kjo solli këtë situatë ku jemi sot: Një polic i Kosovës i vrarë, dy të plagosur dhe katër sulmues serbë të vrarë, dhe gjithashtu alarm për fillimin e një konflikti Serbi- Kosovë. Gjithashtu Kosova është vënë nën sanksione të BE. Çfarë duhet bërë?, po pyet bota. Kryeministri i Shqipërisë, sipas detyrave Kushtetuese, propozoi që ‘Veriu i Kosovës të vihet nën kontrollin plotë të NATO’. Por nuk bëri propozim ‘teveqel’, siç bëjnë nacionalistët idiotë dhe politikanë të papërgjegjshëm. Shqipëria foli me gjuhën që i takon shtetit- amë dhe shtetit që është anëtar i NATO, kandidat për në BE dhe kryesues i KS të OKB. Menjëherë pas propozimit të Ramës, të njëjtën gjë kërkuan sekretari i përgjithshëm i NATO-s, BE, SHBA: ‘NATO të marrë kontrollin në Veri’. Sepse duhet ndaluar lufta. Këta që nuk duan NATO-n në Veri, këta duan luftën, por luftën ta bëjnë të tjerët e këta të gajasen rrëzë mullarit. Ja, kjo është e gjitha.

-SPAK po heton me thellësi Gërdecin. Dëshmitarët që ka thirrur mund të rrëfejnë rolin e Shkëlzen Berishës në atë krim shtetëror. Mendoni se ka ardhur momenti qe te zbardhet afera e Gërdecit?

Mënyra se si filloi kjo punë, dmth., gjykimi mbi Gërdecin, do të thotë ‘pesë me hiç’, siç thuhet në popull. Thërritja e Shkëlzenit, e Aldos dhe e Fatmirit, është vetëm një ‘shoë’; ose një ushqim për të ngopur budallenjtë. Thërritja e tyre nuk ka asnjë vlerë për gjykimin e krimit monstruoz në Gërdec. Aty janë vrarë 26 vetë, mes tyre një fëmijë 7 vjeç dhe kunati i kryeministrit Berisha. Janë vrarë nga qeveria. Kryeministri Berisha vendosi, në kundërshtime të gjitha kushtet ligjore e teknike’ që të ngrejë në Gërdec fabrikën e vdekjes së njerëzve. Është një vrasje masive me dorën e qeverisë. Madje jo vrasje e thjeshtë me plumb kokës, por një vrasje ku u poqën njerëzit; u poqën në zjarr e në barut. E si qenka kjo puna e Drejtësisë, që na fton birin e kryeministrit e nuk merr nën pranga vetë kryeministrin. E si qenka që dy ministra të urdhëruar nga Berisha thërriten si dëshmitarë, por nuk thërritet vetë Berisha? Le të mos bëjmë parashikime të tmerrshme, që sapo të mbarojë kjo farsë, Shkëlzeni të shpallet ‘hero’, Fatmiri ‘senator amerikan’ dhe Aldo ‘ministër i Drejtësisë’. Sepse ky gjyq po bëhet për të ‘larë’ në ujërat e tmerrit Saliun, Shkëlzenin, Fatmirin dhe Aldon… Të vdekurit janë të vdekur, atje në tokë. Një Popull i tërë, një Drejtësi dhe një Qeveri, nuk paskan mundësi që të japin  drejtësi për qytetarët që i ka vrarë qeveria e tyre në mënyrë masive. Kjo është e rëndë. Pasi të ndodhë kjo, nuk do të ketë më asnjë shpresë për Drejtësi, asnjë shpresë për të dënuar qeverinë që vret qytetarët e vet dhe asnjë shpresë se do të ndëshkohen fajtorët e mëdhenj.

-Ndërkohë dhëndri i Sali Berishës, i biri Shkëlzeni, Ilir Beqaj, Frida Krifca, Belinda Balluku, Mirela Kumbaro jane në listën e dosjeve të SPAK sipas deklaratave te fundit te Altin Dumanit. Madje kreu i SPAK njoftoi se disa nga dosjet si ajo e Gërdecit po plotësohen me informacion dhe nga amerikanet, mendoni se SPAK do i shkojnë deri ne fund hetimeve dhe do te çojnë ne burg këta emra “VIP”?  Burime për gazetën kanë bërë me dije gjithashtu se Ilir Meta është nën radarët e FBI, madje gjatë vizitës së tij të fundit në SHBA ai është pyetur për 19 orë familjarisht në zyrat e FBI, mendoni se amerikanët kanë filluar t’i qepin dosjen ish-presidentit njësoj siç vepruan me Sali Berishën?

Amerikanët i kanë ‘qepur’ dosjet dhe provat kriminale të Sali Berishës, që prej shumë viteve të shkuara. Këtu janë të gjitha ato që nevojiten, në zyrat e Drejtësisë. Edhe ‘radarët mbi Ilir Metën’ aty kanë qenë prej vitesh. Krimi i llahtarshëm i tyre është kryer këtu, në këtë tokë e mbi këta njerëz që janë shqiptarët. Po ndodh tmerri: Ndërsa krimi është i njohur dhe i shpallur botërisht, gjurmët e tij ndodhen në çdo rrugicë e në çdo fytyrë njeriu…, Drejtësia thotë ‘po mundohem të gjej prova’. E rëndë. Por nga Amerika nuk kemi ç’kërkojmë më tepër. Në Kosovë po i thonë Amerikës ‘ik zhduku në punën tënde, se je naive’, ndërsa këtu po i themi: ‘Amerikë, eja na lidh këpucën që na shkeli Berisha’. Në të dy rastet ndodhet krimi në mes. Vetëm gjykata shqiptare duhet t’i dënojë këta rrënues të jetës së njeriut. Se nuk mund ta bëjë dikush tjetër…, ose le të presim ta bëjë Zoti.

Intervistoi: Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here