Dosjet e SPAK për përgjimet në “EncroChat” dhe “Sky” me kriminelët, eksperti i kriminalistikës zbulon se transkriptet e reja do të tronditin institucionet shqiptare

0
72

Eksperti për Sigurinë dhe Kriminalistikën, Ervin Karamuço, ka paralajmërua një tjetër “tërmet” në institucionet shqiptare, pasi pritet të dalin të tjera transkripte nga aplikacioni “Sky ECC”. Dje, në një emision televiziv, Karamuço deklaroi se “Metamorfoza 2” do të shkaktojë goditje edhe më të madhe se “Metamorfoza 1”, e cila çoi në pranga disa prej emrave më të rrezikshëm të botës së krimit.“Metamorfoza 2 do jetë edhe më e madhe, përfshin edhe institucione të tjera, Dogana, Tatimet. Do jetë një veting për të gjitha institucionet shtetërore dhe më tej”, deklaroi Karamuço. Kujtojmë se aktualisht në janë dy oficerë të inteligjencës shqiptare që janë duke zbërthyer mesazhet e inkriptuara në aplikacionin Sky, i cili ka më shumë se 16 mijë përdorues nga Shqipëria.

Balla paralajmëron “furtunë” në Policinë e Shtetit

Ndërkohë, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla dje gjatë raportimit të tij dje në Komisionin e Integrimit paralajmëroi  një furtunë në Policinë e Shtetit. Balla tha, se çdo punonjës policie që ka pasur një profil apo akses në rrjetet “EncroChat” apo “Sky ECC” do të përjashtohet nga radhët e kësaj strukture. Të dhënat e para, sipas tij, janë se ka disa, por hetimet vazhdojnë. “Kemi një numër të konsiderueshëm të punonjësve të policisë të arrestuar për shkak të shkeljeve, ku ka edhe shkelje të procedurave të kalimit kufitar. Procesi i vetëpastrimit të Policisë është një prej çështjeve më të rëndësishme që unë vlerësoj që janë pjesa e kalimit të policisë në një nivel tjetër, ku qytetarëve të ju kthehet besimi tek policia. Në këto 30 e kusur vite ka pasur dhe ka punonjës policie të cilët rezultojnë të jenë të përfshirë ose në kontakte me botën e krimit dhe duhet të ju informoj se i kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore që ne të kemi informacionin sa shpejt dhe po e them këtu që për çdo punonjës Policisë së Shtetit, i cili do të rezultojë të ketë pasur akses në rrjetet komunikimi qoftë Sky apo EncroChat do të përjashtohet nga Policia e Shtetit”, deklaroi ai. Më tej Balla theksoi se do të krijohet një strukturë e re e Policisë së Shtetit.“SPAK po zhvillon hetime të thelluara dhe besoj se shumë shpejt do të kemi disa rezultate konkrete, ku do të vetëpastrohet jo vetëm policia prej tyre, por edhe shoqëria. Vetëpastrimi është i rëndësishme dhe pastaj që mbi bazën e këtij lloj vettingu të ri në Policinë e Shtetit, të krijojmë një strukturë të re të Policisë së Shtetit dhe këtu dua ta informoj kuvendin me një njoftim që kam bërë dje për krijimin e një strukture të re brenda Policisë së Shtetit. Ne do të kemi një forcë kombëtare të sigurisë publike e cila do të riparojë efikasitetin dhe eficencën e policisë në nivel vendo”, u shpreh ai..

Ministri: Prioritet kryesor, lufta kundër lëndëve narkotike

Nga ana tjetër, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, tha se lufta kundër drogës duhet të jetë një betejë ku duhet të përfshihen të gjithë. Gjatë fjalës së tij në Komisionin për Çështjet Europiane, Balla u shpreh se lufta kundër drogës është prioritet i qeverisë.“Lufta kundër drogës duhet të jetë një betejë ku duhet të përfshihemi të gjithë. Prioritet kryesor, lufta kundër lëndëve narkotike. Opozitës t’i bëj thirrje që të bëhemi pjesë të ndërtojmë një koalicion kombëtar, çdokush që mund të kontribuojë në apelin që “droga vret shoqërinë”, u shpreh Balla. Ministria Balla vijoi duke thënë se Policia e Shtetit po godet një sërë grupesh kriminale të cila veprojnë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera.“Sa i përket indeksit të kriminalitetit për krimin e organizuar, Shqipëria ka përmirësim. Policia e Shtetit ka goditur dhe po godet një sërë grupesh kriminale, të cilat veprojnë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera. Për herë të parë, ne po e shtrijmë komunikimin tonë për të goditur grupe kriminale ku janë të përfshirë shqiptarë dhe në vendet e Amerikës Latine dhe Jugore. Të godasim sa më shumë grupe kriminale”, nënvizoi ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here