Afrimi i Gazment Bardhit me Sali Berishën nuk ka deligjitimuar vetëm aksionin 2 vjeçar të ish-sekretarit të Përgjithshëm të PD dhe kreut të “Foltores”, pasi siç u pa në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësuesi i Berishës prezantoi dokumentacionin e prodhuar nga Bardhi, duke njohur Partinë Demokratike zyrtare dhe njëkohësisht duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet e ngritur nga Berisha për legjitimitetin e tij. Por shqetësimet nuk janë për çështjen identitare dhe njohjes ligjore, pasi këtë debat publik e humbën, por për postet në “Titanikun” e Berishës, që po dyndet me të dëshpëruar, që luftojnë se kush do të mbetet deri në fund të mbytjes së anijes plot vrima, në krah të “non-gratës”. Pranimi i Gaz Bardhit, nuk ka revoltuar vetëm Indrit Hoxhën, ish-kandidatin e “Foltores” në Bashkinë Vorë në zgjedhjet lokale të 14 majit që shkoi, që u bë zëdhënësi i pakënaqësive për pështymën që gëlltitën bashkërisht, duke u ulur nga halli i përbashkët. Por edhe Flamur Nokën, Salianjin dhe Luçiano Boçin, të cilët po vuajnë këto ditë hijen në të cilën i futi afrimi mes Berishës dhe Bardhit. Mësohet se lartë e poshtë ata që i kanë qëndruar besnikë plakut “non-grata” janë trembur nga shfaqja e Bardhit krah Berishës, pasi prezenca e Judës së Lulzim Bashës, i rrezikon ata në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, duke u vënë në pikëpyetje kandidimin për deputet. Madje këtë “sherr” e paralajmëroi dy ditë më parë edhe ish-deputeti i Myslim Murrizi, ku teksa mbledhjen e deputetëve opozitarë të thirrur nga Gazment Bardhi, zbuloi se ligjvënësit që ishin prezent në atë takim e urrejnë njëri-tjetrin, por sipas tij, shtiren vetëm që të kapin një karrige deputeti edhe pas 2025. Pra, gongu i betejës sapo ka nisur, lehtësia me të cilën janë sharë dhe janë falur me njëri-tjetrin nuk i shqetëson, as opinioni publik që sheh me neveri piruetat qesharake për të kapur një vend imagjinar në kuvendin e ardhshëm, ajo me të cilën do të argëtohen qytetarët është vallja e shpatave e njerëzve hipokritë e pa moral, që po bëjnë një garë të pa parë ndonjëherë në natyrë, ku minjtë kafshohen me njëri-tjetrin për të hipur në një anije në mbytje.
“Foltorja” mesazh grupit të Bardhit
Megjithatë shigjetat e parë ndaj grupi të Bardhit i lëshoi dy ditë më parë ish-kandidati i Rithemelimit për Bashkinë e Vorës, Indrit Hoxha. Ky i fundit teksa ka komentuar në rrjetet sociale mbledhjen e deputetëve të opozitës të thirrur nga Gazment Bardhi kërkoi që prej atyre që iu bashkuan Rithemelimit sot të kërkojnë falje për kostot që i shkaktuan demokratëve këto dy vite. Hoxha thotë se ata nuk duhet të vijnë si triumfator por si të penduar dhe sipas tij, kjo i bashkon demokratët dhe jo interesat e tyre personale në kurriz të njerëzve. “Bashkim po, por rreth vlerave, parimeve dhe interesit të demokratëve. Prandaj të gjithë ata sot që vijnë në partinë e vërtetë të demokratëve në radhë të parë duhet të kërkojnë ndjesë për të gjitha kostot që i shkaktuat demokratëve në këto dy vite. Gjë të cilën se kam parë këto ditë. Duhet të tregojnë qartë në sytë e demokratëve reflektimin dhe pendesën politike dhe njerëzore. Nuk duhet të vijnë si triumfator por si të penduar. Kjo i bashkon demokratët dhe jo interesat e tyre personale në kurriz të njerëzve. Në radhë të dytë në asnjë moment nuk duhet vendosur në diskutim lidershipi i Sali Berishës, i cili është i vetmi që gëzon mbështetjen e gjerë të demokratëve. Me sa kam parë në këto dy drejtime nuk ka qëndrime të qarta. Në këtë kuptim bashkimi pa qartësuar këto dy elemente nuk ka asnjë vlerë të shtuar për opozitën!”, shkroi Hoxha.









































