Nga akuzat për vrasjen e Xhuvanit, te “babi i Zenit të Gërdecit”, si e kaluan “ylberin” Bardhi dhe Berisha, ja piruetat e “Judës” së Lulzim Bashës në raport me Saliun dhe ish-shefin e tij

0
97

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u ulën bashkë në një tavolinë këtë të martë, ndërsa vendosën t’i shpallin luftë imperalizimit amerikan në Shqipëri dhe kudo në botë. Edhe pse sot na shfaqen krah për krah dhe flasin me superlativa për njëri-tjetrin, në kohën kur Bardhi kishte raportet të mira me Lulzim Bashën dhe ishte armik me Berishën e shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, të dy hidhnin akuza të ndërsjellta. Partia Demokratike dhe vetë këta deputetë që përbëjnë sot grupin “Bardhi”, luftuan fort kundër “berishizmit”, pasi zgjodhën aleancën me SHBA përpara hallit dhe interesit familjarë të Sali Berishës. Por ky premtim dhe qëndrim prej qëndrestarësh u venit një ditë të bukur nga Juda Gazment Bardhi, i cili sapo mësoi se ish-shefi i tij, Lulzim Basha kishte shfaqur ambicien për të kandiduar për kryetar të PD u hodh në veprim dhe përmes një piruete që do ta kishin zili edhe akrobatët e cirkut, u gjend papritur në prehrin e Sali Berishës, të cilit çfarë nuk i kishte thënë. Tashme një Zot e di çfarë e shtyu Gazin të merrte këtë vendim aventuresk dhe siç thuhet në filozofi, koha do ta tregojë arsyen e vërtetë se si kaluan “ylberin” dhe po mbrojnë hallin e Berishës kundër aleancës së Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimin, Gazka me disa petritë.

Disa nga akuzat e Bardhit për Berishën

Por për të kuptuar më mirë “ylberin” e kaluar për hir të “bashkimit”, po ju risjellim luftën e egër të Gazment Bardhit me Sali dhe Shkëlzen Berishën. Në datën 30 maj 2022, Gazment Bardhi, shpërtheu në sulme të forta ndaj Sali Berishës. Arsyeja ishte se ky i fundit në seancën e asaj dite në parlament e akuzoj hapur Bardhin, si të përfshirë në vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, me rastin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. Asokohe në një postim në “Tëitter” atë pasdite Gazment Bardhi përmend dhe djalin e ish-kryeministrit Berisha dhe tragjedinë e Gërdecit. “Babi i Zenit, njeriut të vetëm përgjegjës për 26 të vrarë në Gërdec, duhet të gjejë kohë të paktën ti shkojë për ngushëllim baxhanakut të tij. Koha ku çdo punë e emërim kalonte nga zyra e Zenit ka mbaruar me vendim të DASH në 19 Maj 2021. Sa më parë ta kuptosh aq më mirë për ty!”, shkruante Bardhi. Por reagimi i Bardhit për sa i takon Gërdecit, nuk është i vetmi. Pak ditë më herët ai kishte bërë një deklaratë po aq të fortë duke dërguar mesazhin se pikërisht dosja e Gërdecit dhe implikimi i djalit, Shkëlzenit, është ajo që alarmon më së shumti Sali Berishën. “Atyre që sot Sali Berisha u duket shpëtimtar, shumë shpejt do ta kuptojnë se ngjitja e tij në krye të PD-së nuk ka lidhje as me sjelljen e demokratëve në pushtet, as me një betejë të vërtetë opozitare kundër Edi Ramës! Ka lidhje vetëm me hallin e tij për vdekjen e 26 qytetarëve të pafajshëm në Gërdec, për shkak të babëzisë së familjarëve të tij për tu pasuruar në kurriz të jetës dhe shëndetit të shqiptarëve”, deklaronte Bardhi atëherë, akuza këto që nuk janë të vetmet, pasi ai e ka sulmuar Berishën edhe në momente të tjera.

Disa nga akuzat e Berishës ndaj Bardhit

Megjithatë i menjëhershëm ishte reagimi i kreut të “Foltores”, Sali Berisha, i cili i është përgjigjur ashpër Gazment Bardhi. Ish-kryeministri theksoi se Bardhi po lufton për të shpëtuar shpirtin e tij, por është i pashpresë. Madje Berisha i bëri thirrje që të sqarojë rolin e tij në vrasjen e Elbasanit, ku humbi jetën Pjerin Xhuvani vetëm 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. Por përveç sulmeve të Sali Berishës atëherë ra në sy edhe reagimi i Shkëlzen Berishës, i cili e quajti Bardhin, “gazra” dhe “të shoqatës”. “Për hir të bashkimit mendoj se të gjitha emërimet në PD, duhet t’i rikthehen si ekskluzivitet shoqatës së gazrave!”, shkruante atëherë Shkëlzen Berisha. Mirëpo sot pas rreth 1 viti e pak, duket sikur Shkëlzen Berisha ka qenë profetik. Gazmend Bardhi “për hir të bashkimit” ka gëlltitur me kushedi çfarë të gjitha akuzat për Sali Berishën që kujtuam më lartë dhe siç mendonte atëherë Shkëlzen Berisha, ka marrë ekskluzivitetin e “bashkimit” të opozitës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here