Lëkunden pozitat e ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. Ish-ministrja u shkarkua këtë të hënë nga posti i ministres, ndërsa gazetari Arsen Rusta, ka deklaruar dje se brenda pak ditësh ndaj ish-ministres Olta Xhaçka do ketë një tjetër fletë-thirrje në SPAK. Gjatë një prononcimi për mediat, Rusta bën me dije se veprimet proceduriale ndaj ish-ministres janë në fazën finale. “Ndaj znj. Xhaçka ka dy hetime aktualisht. Bëhet fjalë për pronat e ushtrisë por edhe abuzimet me asetet e ushtrisë. Bëhet fjalë për një kallëzim të PD-së, Albana Vokshit dhe Xhemal Gjunkshit për përdorimin e helikopterit në fushatë në Dibër, për plot 8 herë, të dokumentuar nga PD. Ndërsa ka një kallëzim edhe të kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri për abuzim me pronat në zonën e bregdetit dhe në bashkinë Himarë. Ky kallëzim është regjistruar, pritet të shortohet, dhe më pas të marrë dritën jeshile nëse do të kryhen veprime në terren. Znj. Xhaçka do ta shohim ditët e ardhshme në Prokurorinë e Posaçme. Do ta shohim për një fletë-thirrje, deklarime, apo një masë sigurie, kjo mbetet për t’u parë, por burime bëjnë me dije se ndaj znj. Xhaçka veprimet proceduriale ndaj saj janë në fazën finale”, theksoi Rusta. Kujtojmë se dy ditë më parë, gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, Rama ka njoftuar ndryshimet në kabinetin qeveritar. Në fund të fjalës së tij, Rama deklaroi largimin nga posti i Ministres së Jashtme për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe zëvendësimin e saj me Igli Hasnin.
Në hetim 3 çështje për ish- ministren Olta Xhaçka
Ndërkohë, pak ditë më parë gazetari Klodian Tomorri, publikoi një lajm në lidhje me një urdhër të SPAK-ut dhe oficerëve të BKH-së për gjeneralët e ushtrisë shqiptare, sekuestrime telefonash dhe veprime konkrete procedurale. “E vërteta është se oficerët e BKH-së dhe SPAK-ut kanë qenë më shumë sesa një herë në Ministrinë e Mbrojtjes, ndoshta me dhjetëra, dhe çështja në hetim nuk është një, por disa. Nuk ka vetëm një çështje si ajo që përflitet e Sarandës, ku te forcat detare pretendohet se është bërë një kontratë e paligjshme, korruptive, një objekt i komandës së marinës detare është në hetim nga SPAK-u, etj., por janë 3 çështje. Së pari, është kallëzimi i ish-deputetit të PD-së, ish-Shefit të Shtabit të Ushtrisë, Xhemal Gjunkshi, i cili ka kallëzuar në vitin 2019 ministren Olta Xhaçka, pasi ka shkuar gjatë zgjedhjeve lokale të atij viti me helikopterin e ushtrisë në fushatë. E dyta, është një çështje në lidhje me flotën tonë detare në Shëngjin të Lezhës. Te baza e kësaj flote është bërë një ndërtim”, deklaroi ai. Gazetari deklaroi se çështja tjetër është ajo e godinave dhe e të gjitha ambienteve të flotës detare në Sarandë. Ai tha se Xhaçka është thirrur disa herë dhe ka dhënë sqarimet e saj në SPAK.“Dhe e treta është ajo e godinave dhe e të gjitha ambienteve të flotës detare në Sarandë. Olta Xhaçka, ish- ministre e Jashtme, hetohet për 3 çështje të ndryshme gjatë kohës që ka qenë ministre e Mbrojtjes dhe në atë periudhë janë këto 3 hetime të ndryshme nga njëra-tjetra në SPAK. Zonja Xhaçka është thirrur disa herë, ka dhënë sqarimet e saj. SPAK-u ka përparuar shumë me zbardhjen e së vërtetës të ngjarjeve dhe përgjegjësive ligjore, të cilat i kërkojnë edhe brenda komandës ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, por edhe te pjesa politike, siç është ish-ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka”, nënvizoi Tomorri.