Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duket i vendosur për të “pensionuar politikisht” Sali Berishën dhe këdo që i shkon pas atij në rrugën qorre ku është futur në dëm të demokratëve. Zoti Basha ishte dhe është i vetmi politikan në Shqipëri që në këto 30 e kusur vite, guxoi, vrau frikën dhe i tregoi vendin ish-kryeministrit Berisha, duke e përjashtuar nga PD, parti kjo që ka qenë në thundrën e ish-kryeministrit prej 3 dekadash. Por pavarësisht këtij vendimi dhe faktit që është shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe Britani e Madhe, Berisha përmes mekanizmave dhe lakenjve të tij brenda Partisë Demokratike ka arritur të qëndrojë në sistem. Këtë të shtunë Lulzim Basha shkarkoi nga posti i kreut të grupit parlamentar, Gazment Bardhin, ndërkohë që ka larguar nga Këshilli Kombëtar të gjitha ata që i kanë dalë kundër dhe që janë rreshtuar krah Berishës. Por gazeta “SOT” ka mësuar se Basha ka vendosur që të spastrojë njerëzit e Berishës dhe Bardhit edhe nga komisionet parlamentare. Sipas ligjit, PD-së si partia më e madhe e opozitës i takon drejtimi i disa komisioneve parlamentare dhe një nënkryetare Kuvendi. Aktualisht në këtë poste janë disa deputetë që janë pozicionuar krah Bardhit dhe Berishës. Për këtë arsye dhe me të drejtën e Zotit, mësohet se Basha në ditët në vijim do t’i largojë atë, duke qenë se është ai që ka në dorë logon dhe vulën e PD. Ndërkohë mësohet se ky nuk është i vetmi telashe që i pret deputetët e rreshtuar krah binonimit Berisha-Bardhi, pasi ata rrezikojnë edhe të sanksionohen nga SHBA-të apo Britania e Madhe, me revokim vizash, për shkak se po luajnë lojën e plakut të shpallur “non-grata”.
Zyrtarja e Lartë e DASH: SHBA nuk bashkëpunon me Berishën
Megjithatë sinjale se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk bashkëpunojnë me Sali Berishën e shpallur “non-grata” dhe këdo që i shkon pas atij, kanë dhënë në mënyrë sistematike edhe zyrtarët e lartë amerikanë. Pak muaj më parë ka qenë ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, e cila nënvizoi qëndrimin e njohur se zyrtarët amerikanë nuk mund të takohen me persona të shpallur “non-grata”, siç është rasti i ish kryeministrit Sali Berisha. “Sekretari Blinken e shpalli Z. Berisha për shkak të akteve të korrupsionit ku ishte përfshirë dhe unë, si zyrtare e qeverisë së SHBA, nuk mund të takohem me persona të shpallur. Besoj që pozicioni i SHBA është shumë i qartë. Në fakt u takova me drejtues të opozitës dhe do të ndaj me ju faktin që më bëri përshtypje se sa shumë biseda jonë u përqendrua jo tek e kaluara por tek e ardhmja dhe se çfarë PD kërkon të arrijë dhe pret për sa i përket çuarjes përpara të objektivave të Shqipërisë”, deklaroi diplomatja Donfried.
Ambasadorja Kim: Nuk bisedojmë me të shpallurit ‘non grata’
Por sinjale se një Parti Demorkatike me ish-kryeministrin Sali Berisha në krye do ta fuste këtë parti në një raport të vështirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë dhënë pak javë më parë edhe nga ish-ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, e cila gjatë një interviste për një media shqiptare, u tregua e drejtpërdrejtë duke kujtuar shpalljen “non grata” të Berishës, teksa theksoi se Uashingtoni nuk bashkëpunon me ish-kryeministrin. “Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur”, deklaroi ambasadorja Kim.
SHBA e shpalli “non grata”, Escobar: Berisha nuk mund të jetë fytyra e PD
Ndërkaq, edhe zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar është shprehur disa muaj më parë se ish-kryeministri Sali Berisha nuk mund të jetë fytyra e PD. “Presidenti Biden e ka bërë të qartë. Sekretari Blinken e ka bërë të qartë. Shtetet e Bashkuara do t’ju kërkojnë llogari të gjithë atyre njerëzve për angazhim në vepra të mëdha të korrupsionit ose në përpjekje për minimin e demokracisë anembanë botës dhe në mënyrë specifike në Ballkanin Perëndimor. Nuk është normale dhe nuk është e pranueshme që një person, i sanksionuar për vepra të mëdha të korrupsionit të jetë fytyra e ndonjë partie. Dhe në këtë aspekt, e kemi bërë të qartë që nëse Partia Demokratike ose ndonjë parti tjetër udhëhiqet apo përfaqësohet nga ndonjë person, i sanksionuar nga Sekretari i Shtetit për vepra të mëdha të korrupsionit, atëherë nuk mund të pritni marrëdhënie normale”, deklaroi Escobar.



































