Berisha i jep fund me Torinon e kalon tek Empoli, Balliu bën të fortin në Spanjë

0
88

Lojtarët e Kombëtares po nxitojnë të gjejnë skuadër para se të mbyllet afati zyrtar i merkatos së verës. Ndër lojtarët më të diskutuar është portieri Etrit Berisha, i cili ishte pjesë e Torinos, por dëshira e tij është të gjejnë skuadër ku të luajë dhe në skenë është shfaqur një tjetër klub italian. Kështu, sipas medieve, Berisha ndërron skuadër por mbetet në Serinë A. Gardiani i Kombëtares Shqiptare është transferuar te Empoli, ku do të gjejë edhe dy futbollistë të tjerë kuqezi si Ardjan Ismajli dhe Stiven Shpendi. Portieri shqiptar kishte përfunduar jashtë planeve të trajnerit Juriç te Torino, që pas një zënke mes të dyve në fillim të këtij viti, por kontrata e mbante ende në klubin ‘granata’. Dëmtimi i rëndë i portierit të Empolit, Caprile, që do të qëndrojë larg fushave për disa muaj, ka detyruar presidentin e toskanëve që të hyjë në merkato dhe të afrojë Berishën në klub. Palët kanë arritur marrëveshjen për një kontratë një vjeçare, me Berishën që do të kryejë sot testet mjekësore dhe do të vihet menjëherë në dispozicion të trajnerit Zaneti. Gardiani kuqezi pritet të jetë portieri titullar i Empolit deri në rikthimin e Kaprile, teksa ky është një lajm mjaft i mirë edhe për Kombëtaren Shqiptare, duke qenë se krahas Berishës, edhe Strakosha nuk luan titullar prej më shumë se një viti. Empoli do të jetë klubi i pestë në Serinë A për portierin 34-vjeçar nga Prishtina, i cili në të kaluarën ka luajtur me Lacion, Atalantën, Spalin dhe së fundi Torinon.

Ivan Balliu rrëfen dëshirën për të ndalur Atletikon

Rajo Valekano e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme kampionatin në La Liga, teksa skuadra ku aktivizohet edhe mbrojtësi i kombëtares, Ivan Balliu ka koleksionuar dy fitore, ndaj Almerias dhe Granadës. Për më tepër edhe pa pësuar asnjë gol. Por, në javën e tretë përgjegjësitë do të jenë edhe më të mëdha pasi në Vallecas mbërrin Atletiko Madrid. Megjithatë, në një intervistë për “Marca-n”, Balliu thekson se ai dhe shokët e tij nuk i frikësohen ekipit të Diego Simeones dhe janë të bindur se mund të marrin një tjetër rezultat pozitiv. “Jemi shumë të lumtur për fillimin e kampionatit, sidomos për faktin se kemi mposhtur dy rivalë direkt si Almeria dhe Granada. Na janë larguar lojtarë të rëndësishëm në merkato, por kanë mbërritur të tjerë që janë përshtatur më së miri. Kemi shënuar katër gola dhe nuk kemi pësuar, shpresojmë që ta mbajmë sa më gjatë portën e paprekur. Ndeshja me Atleticon? Duhet të qëndrojmë të përqendruar, është ndeshja e parë në shtëpi para publikut tonë. Janë shitur të gjitha biletat, njerëzit kanë shumë dëshirë ta shohin skuadrën. Ne jemi shumë të bashkuar, skuadra qëndron bashkë gjithë kohën. Organizojmë dreka dhe darka. Nga ana tjetër, ata kanë lojtarë të klasit botëror. Është Griezman, Carrasco me të cilin do të kem një duel të gjatë. Në atë zonë afrohet edhe Lemar që të krijojnë superioritet numerik”, theksoi Balliu. Në fund mbrojtësi iu përgjigj pyetjes nëse ishte momenti më i mirë i karrierës dhe si ishin shanset e Kombëtares këtë edicion. “Ndjehem shumë mirë fizikisht, kam besimin e trajnerit dhe të klubit. Ndjehem mirë dhe i vlerësuar këtu në Vallecas. Kombëtarja? Kemi objektiv pjesëmarrjen në Europian, shpresoj t’ia dalim. Na presin dy ndeshje të rëndësishme tani në shtator, na duhet të fitojmë”, përfundoi Balliu.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here