Britania e Madhe duket e vendosur për të goditur të korruptuarit dhe inkriminuarit, ndërsa në mënyrë sistematike ka paralajmëruar se do të sjellë disa valë shpalljesh “non grata”, ku subjekt pritet të jenë politikanë, biznesmenë dhe të gjithë ata që sipas Londrës, minojnë sundimin e ligjit në Shqipëri dhe jovetëm. Gazeta “Sot” zbuloi disa muaj më parë nga burime konfidenciale se përveç ish-kryeministrit Sali Berisha, edhe disa biznesmenë, pronarë mediash, deputetë, ish-presidentë, ministra dhe ish-ministra në Shqipëri janë pjesë e “listës së zezë” së Anglisë. Madje mësohet se disa ish-ministra të qeverisë “Rama” dhe të Partisë Demokratike, tashmë e kanë marrë njoftimin nga Londra se janë shpallur “non grata”. Ata akuzohen për korrupsion, për pastrim parash, përfshirje në afera dhe blerje votash. Por Britania nuk ndalet me kaq, pasi një tjetër sinjal i fortë erdhi së fundmi. Mësohet se në tryezën e kryeministrit Rama ka shkuar një listë me persona “non-grata”, pjesë e së cilës janë edhe tre ministra të rëndësishëm të qeverisë aktuale. Mësohet se futja e 3 ministrave në listën e zeze të Londrës e ka kapur të papërgatitur Ramën, i cili nuk po ngre kokë, pasi gjysmën e qeverisë dhe mazhorancës e ka në burg. Kështu që përpara kësaj situate, burime të sigurta i pohuan gazetës “SOT” se kryeministri Rama po mendon të bëjë ndryshime në qeveri në shtator. Pra, ofensiva e SPAK, e cila i ka shpallur luftë korrupsionin dhe krimit, duke burgosur shumë zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste dhe lista e britanikeve me “non-grata”, po detyrojnë Ramën që të shkërmoqë qeverinë e tij të korruptuar dhe inkriminuar.
Paralajmërimi
Por lajmin se britanikët kanë përpiluar një listë të re me emrat e personave të shpallur “non-grata” në Shqipëri e ka konfirmuar dje edhe deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula teksa ishte duke folur në një studio televizive. “Flitet për një listë non-gratash që ka emra të mëdhenj nga mazhoranca, ministra, etj. Shoh një vjeshtë shumë të nxehtë”, deklaroi Sula. Ndërkaq disa ditë më parë eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë me dije se Britania e Madhe ka përpiluar një listë të re me emrat e personave të shpallur “non-grata” në Shqipëri. “Britanikët kanë një politikë shumë të gabuar që mbajnë sekret emrat “non grata”. Lista e re që ka ardhur, duhet të bëhet transparente për publikun, ndryshe nuk ka asnjë vlerë…”, shkroi Kramuço në “Facebook”. Ndërkohë në muajin shkurt të këtij viti edhe ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith deklaroi për mediat se gjatë 2023 do ketë edhe biznesmenë dhe personalitet të tjerë si politikanë që kanë ndikuar negativisht në përparimin dhe demokratizimin e vendit, të cilët siç thotë diplomati do shpallen të padëshiruar, duke hyrë kështu në “listën e zezë”. “Gjatë këtij viti do të ketë aksione të mëtejshme. Gjatë vitit 2023 do të sanksionohen politikanë dhe biznesmenë shqiptarë. Do të ketë të tjerë non grata për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Do të marrim aksione kundër trafikantëve. Ne do të vijojmë që të investojmë për arsimin dhe universitetet”, deklaroi diplomati Alastair King-Smith.
Hetimet e Londrës për “non gratat”
Vetë Britania e Madhe ka paralajmëruar se institucionet ligjzbatuese angleze kryejnë një gamë të gjerë hetimesh, përpara se të shpallin dikë “non grata”. “Kërkohet kohë për të arritur disa standarde e më pas mbërritur në vendimmarrje. Këto lloj ndalesash ndërmerren nga Sekretarja e Punëve të Brendshme ndërsa sanksionet anti-korrupsion nga Sekretari punëve të Jashtme dhe më gjerësisht për ato që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë nga prokurorë të pavarur. Ju do të shikoni më shumë rreth kësaj më vonë këtë vit e më tutje. Kjo do jetë diçka që do të bëhet rutinë. Sapo prova dalin në dritë, raportime të gazetarëve apo nga të tjerë ne do të shikojmë se çfarë veprimesh do të marrim të ndihmojmë qëllimin final në dhënien fund pa-ndëshkueshmërisë”, kanë thënë zyrtarët britanikë. Gjithashtu si nga SHBA dhe Britania është paralajmëruar se ka nisur dhe faza e dytë pas non gratave, ajo e burimit të pasurive. Amerikanët dhe britanikët paralajmërojnë se kanë nisur procedurat për të identifikuar në mënyrë të qartë burimet ekonomike, por edhe mediatike që kanë mbështetur politikanët e shpallur “non grata”. Pra laku po ngushtohet për “non-gratat” dhe ardhja e Lord Stuart Peach pak muaj më parë në vendin tonë, ku u takua me presidentin Bajram Begaj, ka terrorizuar pushtetarët e lartë të korruptuar në Shqipëri. Megjithëse lëvizjet e britanikëve nuk mund të shkaktojnë “tërmet” në opinionin publik, pasi ata operojnë dhe në privatësi duke mos zbuluar emra.










































