Nis hapja e gropës për kullën 64-katëshe të Zenit, autoritetet dhe biznesmenët e përfshirë në projektin “Mali i Tiranës”

0
106

Lëvizja Bashkë ka reaguar dje në rrjetet sociale ndaj punimeve për ndërtimin e kullës së “Foltores”, në qiellgërvishtëse 64-katëshe që do të ngrihet në mes të Tiranës duke shkatërruar një prej lulishteve të fundit të kryeqytetit. Fadromat e kompanisë “Nova Construction” kanë shkulur sot pemët e lulishtes. Pronarët e kësaj kompanie që do të ndërtojë kullën janë përfolur si të lidhur me familjen e Sali Berishës. Opozita është kritikuar se përse nuk e denoncon kullën, që Lulzim Basha e ka çuar tashmë në SPAK. Ndërkohë Lëvizja Bashkë fton qytetarët të ngrenë zërin dhe të mos pranojnë “goditjen e rëndë ndaj jetës urbane” në Tiranë. “Parkut po i bëjnë gropën! Aktivistët e Lëvizjes Bashkë dëshmojnë se shkatërrimi i parkut pas Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ka avancuar ndjeshëm. Fadromat e kompanisë Nova Construction kanë shkulur pemët dhe po hapin themelet e përbindëshit të radhës prej betoni. Dalëngadalë qytetit do t’i merret fryma dhe qytetarët do të kenë një park më pak. Këto ditë Lëvizja Bashkë ka dërguar disa shkresa drejt institucioneve përgjegjëse pasi dyshojmë se leja e ndërtimit është dhënë në kundërshti me ligjin”, thuhet në reagim. Ndër të tjera, Lëvizja Bashkë fton qytetarët të ngrenë zërin dhe të mos pranojnë “goditjen e rëndë ndaj jetës urbane” në Tiranë.“Zvarritja e dhënies së informacionit për procedurat e dhënies së lejes së ndërtimit, përputhjen e saj me planin urbanistik dhe kryerjen e konsultimit me banorët është pjesë e omerta-së mafioze që kërkon të fshehë ndërtimin e kësaj kulle. Katër protestat e organizuara nga Lëvizja Bashkë për mbrojtjen e parkut e nxorën këtë krim ndaj qytetit në dritën e diellit të vëmendjes publike. Gjithsesi mbrojtja e parkut kërkon më shumë angazhim dhe vetëbesim nga qytetarët. Ndaj i ftojmë të gjithë të ngrenë zërin për këtë goditje të rëndë ndaj jetës urbane, individualisht dhe kolektivisht. Vetëm kësisoj do të mundemi ta transformojmë rezistencën qytetare në një aksion masiv dhe të suksesshëm. Nëntoka kriminale, oligarkia ekonomike dhe politikanët e korruptuar nuk mund të fitojnë gjithmonë!”, thuhet në reagim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here