Letër-porositë nga SHBA mbërrijnë në SPAK, çifti Meta-Kryemadhi në telashe, pritet lëshimi i fletë arresteve, akuza për pastrim parash

0
129

Çifti Meta-Kryemadhi duket se janë në telashe të mëdha me drejtësinë shqiptare dhe atë amerikane. Në kuadër të hetimeve në dosjen e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SPAK kërkoi një vit më parë informacione nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri për llogaritë e LSI-së në përpjekje për të gjetur burimin e parave të lobimit në SHBA, që kjo parti nuk i ka deklaruar në KQZ. Burime të sigurta për gazetën “SOT” bëjnë me dije se letër-porositë me informacione përvëluese nga Uashingtoni kanë mbërritur në SPAK. Mësohet se paratë burojnë nga korrupsioni dhe marrja zyrtarisht si i pandehur i Ilir Metës, Monika Kryemadhit, ndoshta edhe i Petrit Vasilit, Vangjel Tavos dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të kreut të Partisë së Lirisë është e pashmangshme. Pra SPAK në vijim pritet të lëshojë fletë arrestet për akuzën e pastrimit të parave për personat e përfshirë në këtë megaaferë, ku të rrezikuar kryesorë padyshim që janë Meta dhe Kryemadhi. Më pas pritet të fillojnë procedurat e tjera. Meta po hetohet nga SPAK për korrupsion pasiv parashikuar në nenin 259 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet. Gjithashtu, Meta po hetohet edhe për falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve, parashikuar në nenin 190/3 të Kodit Penal, vepër për të cilën parashikohet nga 3 deri në 7 vite burg. Bashkangjitur kallëzimit penal janë kontrata e lobimit, raporti financiar i LSI në vitin 2017 si dhe deklaratat e pasurisë së Metës, Kryemadhit dhe Vasilit për vitin 2017 dhe dosjes i bashkëngjiten edhe formulari i dekriminalizimit të Ilir Metës, certifikata në gjendjen civile dhe aktet e dekretet ligjore që ka firmosur në Presidencë, apo detyra të tjera që ka mbajtur në institucionet shtetërore.

Meta dhe Kryemadhi drejt arrestimit

Kjo do të thotë se nëse hetimet do të vijojnë pa u ndikuar nga klithmat e politikës dhe sulmet e orkestruara prej saj në adresë të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, shumë shpejt do të shohim në bankën e të akuzuarve, disa prej politikanëve shqiptarë që deri më dje e konsideronin veten si të “Pa prekshëm”, sikundër është Meta dhe Kryemadhi. Po kush është Sotir Kllapi, njeriu që ka në dorë mundësinë historike për t’i dhënë goditjen e parë serioze korrupsionit në nivelet e larta dhe kulturës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri?! Sotir Kllapi ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009. Fillimisht ka nisur punën si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Më pas ka ushtruar funksionin e prokurorit në Fier dhe Durrës deri në vitin 2014. Nga viti 2014 deri në vitin 2020, Sotir Kllapi ka drejtuar Prokurorinë e Pogradecit. Ndaj Kllapit nuk është regjistruar asnjë masë disiplinore. Gjatë karrierës, prokurori është vlerësuar shumë mirë prej Prokurorisë Durrës për vitet 2012-2013, është vlerësuar shumë mirë nga prokuroria Pogradec për vitet 2014, 2015 dhe 2016. Në maj të vitit 2020, Kllapi u emërua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në SPAK, duke u vlerësuar me 174 pikë, në krye të të gjithë kandidatëve, duke lënë pas Dritan Prençin, Vladimir Marën dhe Dorina Bejkon.

Trajnimet në SHBA dhe BE

Procesi i vlerësimit të kandidaturave kanë marrë pjesë përfaqësues të SHBA-BE.  Pas emërimit në SPAK, Kllapi ka marrë pjesë në disa trajnime me ekspertë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Prokurori Kllapi kaloi me sukses dhe me lehtësi procesin e vetingut në maj të vitit 2019. Kllapi u konfirmua në detyrë më 13 maj të vitit 2019, duke u vlerësuar pozitivisht në kriterin e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Edhe pse është pjesë e organit të akuzës prej 13 vitesh, Sotir Kllapi nuk ka asnjë pasuri të paluajtshme, të paktën deri në vitin 2018. Prokurori rezulton se ka jetuar me qira në Qytetin Studenti, duke lidhur një kontratë qiraje me Rezidencën Studentore Universitare Tiranë. Megjithatë mbetet për t’u parë se çfarë zgjidhje do t’i japë dosjes së Ilir Metës, e cila mund të jetë edhe dosja që do të shënjojë karrierën e tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here