Deputetët demokratë të rreshtuar së fundmi krah “kamikazit” të Sali Berishës, Gazment Bardhi, të njohur tashmë si fenomeni “Bardhomania”, duket se janë trembur nga rikonfirmimi i Lulzim Bashës në krye të Partisë Demorkatike, ndërsa kanë nisur të hedhin vickla, flasin përçark dhe helmojnë demokratët me mashtrime. Prej 3 muajsh, por veçanërisht gjatë ditëve të fundit një grup deputetësh anonim të nxitur dhe blerë me para nga ish-kryeministri Sali Berisha u përpoqën që të sabotonin zgjedhjet për kreun e ri të PD, por kjo tentativë e tyre dështoi me sukses, pasi sot që flasim demokratët kanë kryetarin e ri dhe ai është Lulzim Basha. Bëhet fjalë për deputetin e Peqinit, Dashnor Sula; atë të Lushnjes, Saimir Korreshi dhe ai i Devollit, Bledion Nallbati, të cilët kanë hipur në qerren e Gaz Bardhit, teksa sulmojnë pa pikë morali për llogari të kreut të “Foltores”, Lulzim Bashën, njeriun që i bëri ligjvënës. Më i ashpër nga këta është treguar deputeti Sula, i cili bashkë me kolegët e tij anonim, u investuan për të bllokuar zgjedhjet për kreun e PD dhe ndërkohë punuan kundër demokratëve në zgjedhjet lokale të 14 majit. Lart e poshtë ka zëra se grupi i deputetëve me në krye zonjën Bardhi që ngritën kryet ndaj Bashës janë paguar nga “non-grata” Berisha me 1.5 milionë euro, shifër kjo që u takon institucioneve ligjzbatuese që ta hetojnë nëse është e vërtet dhe është dhënë në të zezë. Megjithatë për t’u kthyer tek 3 muskutierët, Sula, Korreshi dhe Nallbati, duhet theksuar se ata nuk do të ishin sot në Parlament, nëse Lulzim Basha do t’i kishte futur në listat fituese në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021. Madje zoti Sula, i cili më herët ka ushtruara disa profesione si prokuror, polic tatimesh dhe shitës karburantesh, nuk do të ishte i suksesshëm në politikë, nëse Lulzim Basha nuk do t’i kishte hapur derën e Partisë Demorkatike. Pra, Sula që aktualisht këndon si gjel në plehun e Berishës, është sot deputet falë Lulzim Bashës. Nga ana tjetër, edhe deputeti i Lushnjes, Saimir Korreshi, i rreshtuar krah Berishës, i cili thuhet se ka një simpati të madhe për agrikulturën dhe lidhje të forta me shalqirin, ka nisur të bëhet protagonist me brobullat që flet. Korreshi që është i denjë vetëm për një brigadier kooperative, duhet t’i ulet në gjunjë Bashës që e bëri deputet, pasi derën e Parlamentin ai nuk do ta kishte parë fare. Ndërkaq, të njëjtën linjë si Sula e Korreshi, ka ndjekur edhe djali tjetër plan prishës, deputeti i Devollit, Bledion Nallbati, i cili nëse nuk do ta kishte futur Lulzim Basha në lista fituese, sot që flasim do të ishte duke mbjellë qepë dhe fasule në fushat pjellore të Devollit. Më poshtë gazeta “SOT”, po sjellë disa nga qëndrimet e mbajtura nga deputetetë Dashnor Sula, Saimir Korreshi dhe Bledion Nallbati.
Sula sulmon Bashën
Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula duke folur për përçarjen në PD dhe zgjedhjet e 29 korrikut, theksoi se nuk e njeh Bashën si kryetar të demokratëve. Në një intervistë për mediat dje, ai tha se Partisë Demorkatike i duhet një fytyrë e re e pa konsumuar që ta drejtojë atë. Më tej Sula shtoi se nuk mund të kesh besim te dikush që ka humbur zgjedhjet 5-6 herë. “Ne si grup nuk e njohim Bashën si kryetar të PD-së, pasi nuk mund të kesh besim te një njeri që ka humbur 5-6 herë. Nuk kam shkuar as në mbledhjen e Kryesisë, pasi nuk e njohim atë Këshill, kryetar apo zgjedhje. Zotëria mund të thotë që unë mund të jem anëtar, por e shoh që u bë dita e dytë që vërshojnë lum urimet. Nuk po ngel asnjë vend pa e uruar për këtë fitore. E kuptoni ku jemi katandisur? Kjo është një turp. Kishte shanset që pas dorëheqjes të jepte kontributin e tij. Kishte një vit e ca që u largua nga skena dhe kishte mundësi për të kontribuar në Parlament me diskutime. I futi ca pushime dhe shyqyr që ndodhi luftë në Ukrainë, e u rikthye. Vishet me bluza si Zelenksy, edhe gruaja e Zelenskyt thotë “kush na i vjedh bluzat ne tela?”. Është bërë meme. Nëse humb 5-6 herë rresht, ke besim te unë? Ke dalë nga kategoria? Çfarë ke ndryshuar te ty? Je bërë më i bukur, më i zoti? Ishalla ka bërë ndonjë shpikje, se rrota është bërë”, deklaroi Sula.
Korreshi: Vetëm Sali Berisha e bashkon Partinë Demokratike
Ndërkaq deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi deklaroi se duhet një proces gjithë përfshirës ku të bashkohet partia. I ftuar në “Çim Peka Live”, ai theksoi se i vetmi që i mbledh demokratët dhe i bashkon është Sali Berisha. “Unë jam për një parti të madhe shumë përfshirëse. Nuk e kam problem që të trokas në derën e Berishës dhe ti them që duhet të gjet zgjidhja bëj çfarë të duash ti. Unë kam thënë që vetëm ai e bashkon PD dhe në momenti n që ai i bie bilbilit dhe ka një proces të gjithë shkojnë pas tij, nuk ka kompleks sepse nuk fiton asnjë njeri tjetër përpos tij por duhet të bëjmë një proces gjithë përfshirës ku të dali një parti e bashkuar”, deklaroi Korreshi.
Nallbati akuza Bashës
Nga ana tjetër edhe deputeti i Partisë Demorkatike, Bledion Nallbati, i cili u angazhua me mbledhjen e 254 firmave për Këshillin Kombëtar që anuloi zgjedhjet, është i qartë në qëndrimin e mbajtur. “Nuk ka zgjedhje në PD. Ka patur mbledhje te Këshillit Kombëtar që ka vendosur që në PD të mos ketë zgjedhje në 29 Korrik. Kur nuk ka zgjedhje, nuk ka kryetar. Lulzim Basha mund të pretendojë se është dhe President i SHBA, por nuk është.”- tha për emisionin “Pa Censurë” deputeti Nallbati, i cili përmend për herë të parë dhe disa premtime që u janë bërë demokratëve gjatë fushatës së zotit Basha. “Pas zgjedhjes të zotit Basha, mbështetësve të tij u është thënë që “PD bëhet më e fortë dhe merr pushtet”. Disave u është thënë “marrim vendet që na takojnë në opozitë, se opozitës i takojnë 40 mijë vende pune”. Këto u janë thënë nga drejtimi i partisë, nga zoti Basha dhe mbështetësit e vet”, theksoi Nallbati dje gjatë një interviste televizive. Po ashtu, deputeti demokrat mbron me forcë tezën se PD nuk mund të bëhet e fortë, nuk mund të përballet me qeverinë duke qenë e ndarë. Megjithatë, zoti Nallbati kujdeset të rrëzojë atë që e quan alibi të grupit Basha se me përpjekjet për të mos njohur ligjërisht procesin zgjedhor të Bashës, PD po i dorëzohet Sali Berishës. “Është alibi për të justifikuar atë që janë duke bërë. Është grupi parlamentar ai që sot e ka mbajtur gjallë këtë parti. Nëse do të ishte dorëzuar grupi, do të kishe sot PD? E mbajti kryesia PD-në, nëse do të ishte dorëzuar kryesia? Ne as e kemi çuar, as kemi ndërmend ta çojmë tek Sali Berisha. Por ne nuk kemi synim të zvogëlojmë PD, siç bëri pjesa tjetër me një të rënë të lapsit, nga 75 mijë anëtarë e çoi në 25 mijë. Duke përjashtuar njerëz, nuk mund të rritesh”, nënvizoi deputeti Bledion Nallbati.









































