Raportuesi i Kombeve të Bashkuara, Fabian Salvioli, ka paralajmëruar rrezikun e nisjes së luftës mes Kosovës dhe Serbisë. Pas vizitës në të dyja shtetet, raportuesi special Fabian Salvioli vlerësoi se papërgjegjshmëria publike e liderëve për të vijuar dialogun mund të çojë në një përsëritje të konfliktit te armatosur. “Glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe mohimi i krimeve të luftës është një praktikë e vazhdueshme në të dyja vendet. Autoritetet e Kosovës kanë mungesë vullneti për të ndjekur penalisht dhe ndëshkuar rastet e krimeve të luftës, në të cilat dyshohet se janë përfshirë ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duhet një program efektiv dhe funksional për mbrojtjen e dëshmitarëve, i cili aktualisht mungon në Kosovë”, tha Salvioli. Në lidhje me Dhomat e Specializuara në Hagë, ku gjykohen ish-udhëheqësit e UÇK-së, raportuesi special vuri në dukje se ngurrimi i dëshmitarëve për të dëshmuar për shkak të frikës nga hakmarrja në thelb po pengon përparimin në dhënien e drejtësisë për krimet e luftës. Raporti i OKB-së dëshmon se autoritetet në Kosovë nuk kanë dhënë dokumentacionin përkatës për personat e zhdukur gjatë luftës. Ky raport do të shqyrtohet në seancat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, të cilat do të mbahen në selinë e OKB-së nga data 11 Shtator deri më 6 Tetor të këtij viti.
Serbia i fryn zjarrit të konfliktit
Nga ana tjetër, besniku i Vuçiçit, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, tha dje se kryeministri i Prishtinës, Albin Kurti, është gjeneratori kryesor i krizës dhe problemit më të madh në Ballkanin Perëndimor dhe se nëse bashkësia ndërkombëtare nuk qëndron në rrugën e tij, ai me siguri do të nisë një luftë. “Kurti është i interesuar vetëm për këtë. Atij nuk i intereson jeta paqësore, pajtimi, bashkëpunimi ekonomik, rrugët, tregtia apo zhvillimi i infrastrukturës. Atij i intereson vetëm se si do ta zbatojë politikën e tij ekstremiste”, tha Daçiç.
Ndikimi i Turqisë në Ballkan
Duke komentuar dërgimin e dronëve turq në Prishtinë, Daçiç tha se nuk është ndonjë informacion sekret dhe se ai është i vetëdijshëm se Turqia historikisht ka patur dhe ka interes për Ballkanin. “Ata thanë se nëse diçka ndodh në Sarajevë, duhet të ketë një reagim në Stamboll. Por atëherë nuk mund ta kuptoj se si, nëse diçka ndodh në Banja Luka, nuk mund të merrni një reagim nga Beogradi”, tha Daçiç. Ai shtoi se Beogradi sigurisht që nuk e interpreton këtë në një kuptim pozitiv dhe do të nevojiten një sërë bisedimesh për këtë temë, sepse Serbia ka bërë shumë për normalizimin e marrëdhënieve me Turqinë, ndërsa në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Shqipëri, ata “kultivuan kundërshtarët e Erdoganit”.
Serbia përdor kartën e Putinit për Kosovën
Me rastin e ardhjes së presidentit të Ugandës, Joveri Kagutu Museveni në Serbi, Daçiç tha se vendi nuk e njeh Kosovën. “Museveni tha se Uganda do ta njohë Kosovën kur ta bëjë këtë presidenti rus Vladimir Putin”, tha Daçiç për TV “Pink”. Kujtojmë se analistë dhe ekspertë kanë thënë se Rusia e sheh Ballkanin si një aset strategjik ku mund të minojë rolin e institucioneve perëndimore dhe të pretendojë se NATO ka dështuar të sigurojë stabilitet. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe ai rus, Vladimir Putin po luajnë me kartën e Kosovës për të mbledhur nacionalistët dhe për të krijuar mosmarrëveshje. “Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mund të regjistrojnë disa marrëveshje, si me marrëveshjen e fundit për lëvizjen e lirë, por pa një afat të caktuar për njohjen ndërshtetërore, ato do të vazhdojnë pafundësisht. Vuçiç dhe Putin luajnë kartën e Kosovës për të mbledhur nacionalistët dhe për të krijuar mosmarrëveshje. Beogradi dhe Moska llogaritin se nxitja e konfliktit në veri të Kosovës do t’i shpërqendrojë zyrtarët perëndimorë nga marrja e ndonjë vendimi të vështirë për njohjen reciproke nga frika e dhunës”, u shprehën ekspertët.