Një ditë pas fitores së zgjedhjeve në Partinë Demokratike, kreu i saj Lulzim Basha ka nisur një agjendë intensive takimesh, ku më kryesoret janë mbledhja e dy prej forumeve më të rëndësishme të PD-së, Kryesia dhe Kolegji i Kryetarëve. Kryetari i Partisë Demokratike i propozoi dje Kryesisë mbajtjen e Kuvendit Kombëtar në 2 shtator. Agjenda e Kuvendit Kombëtar do të jetë si vijon: Ndryshime statutore; Vendime organizative në përputhje me vendimet statutore; Miratimi i agjendës politike të Partisë Demokratike. Mirëpo, në bazë të ndryshimeve në Statut do të bëhet dhe riorganzimi i partisë, ku me shumë mundësi do të ketë ndryshime në të gjitha organet e tjera drejtuese të partisë dhe spastrim të partisë nga berishistët, ku njëri që rrezikon shkarkimin është Gazment Bardhi, i cili mban postin e kreut të grupit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PD. Po ashtu, gazeta “SOT” ka mësuar se zoti Lulzim Basha ka emëruar zonjën Mirela Karabinën si zëdhënëse të Partisë Demokratike, kompetent ekskluzive e kryetarit të Partisë Demokratike për ta emëruar, e cila i bashkohet automatikisht i bashkohet edhe Kryesisë së PD si anëtarë.
Lufta kundër korrupsionit, ja dy hetimet parlamentare që do të kërkohen në shtator
Por përveç mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, Kryesia ka vendosur prioritet luftën ndaj korrupsionit në nivel qendror dhe lokal. Kështu PD do të kërkojë në shtator dy hetime parlamentare: hetimin për fondet e IPARD, ku paratë e taksapaguesve europianë u devijuan për projekte dhe afera korruptive si dhe ridërgim i kërkesës për hetimin parlamentar të gjithë atyre që kanë përfituar statusin investitor strategjik. “Mbledhja e parë e Kryesisë së Partisë Demokratike nën drejtimin e Lulzim Bashës, përveç mbledhjes së Kuvendit Kombëtar në 2 shtator, ka vendosur si prioritet luftën ndaj korrupsionit në nivel qendror dhe lokal. Shtatori do të sjellë edhe 2 nisma kundër korrupsionit nga Partia Demokratike: Kërkesën për hetim parlamentar të fondeve të IPARD, ku paratë e taksapaguesve europianë u devijuan për projekte dhe afera korruptive; Ridërgim i kërkesës për hetimin parlamentar të gjithë atyre që kanë përfituar statusin investitor strategjik, për të parë se çfarë përfitimesh strategjike kanë sjellë për zhvillimin e vendit, përveç pasurimit të pushtetarëve”, thuhet në njoftimin e PD. Ndërkohë në mbledhjen e Kryesisë, të cilën e nisi me 30 minuta vonesë, Bashës iu bashkuan 18 nga 27 anëtarë të saj, çka tregon se Basha ka shumicën në këtë organ. Kështu në mbledhje morën pjesë vetëm të besuarit e tij, ndërsa grupi i Bardhit, me gati 10 deputetë bojkotoi. Më konkretisht në mbledhje morën pjesë: Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj, Flutura Açka, Merita Bakiu, Kreshnik Çollaku, Gazmend Koduzi, Oriola Pampuri, Arbi Agalliu, Gentian Gaba, Taulanda Jupi, Jemin Gjana (Online), Fitim Zekthi, Endri Hasa, Indrit Sefa, Roland Bejko (Online), Taulant Zeneli, Xhemal Gjunkshi dhe Agron Kapllanaj (Online). Nga ana tjetër, dje Basha mblodhi edhe Kolegjin e Kryetarëve, të cilët i falënderoi që mbështetën rikthimin e tij dhe i shtruan rrugën e zgjedhjeve.
18 anëtarët e Kryesisë që morën pjesë në mbledhje
1. Lulzim Basha
2. Enkelejd Alibeaj
3. Flutura Açka
4. Merita Bakiu
5. Kreshnik Çollaku
6. Gazmend Koduzi
7. Oriola Pampuri
8. Arbi Agalliu
9. Gentian Gaba
10. Taulanda Jupi
11. Jemin Gjana (Online)
12. Fitim Zekthi
13. Endri Hasa
14. Indrit Sefa
15. Roland Bejko (Online)
16. Taulant Zeneli
17. Xhemal Gjunkshi
18. Agron Kapllanaj (Online)