SHBA, Belgjika, Franca, Austria dhe Londra pritet të tronditin pushtetarët e korruptuar në vendin tonë. Gazeta “Sot” ka mësuar se pozitat e disa politikanëve shumë të rëndësishëm në Shqipëri do të shkunden nga themelet, pasi kanë dalë zbuluar në biseda me anëtarë të fuqishëm të grupeve kriminale. Sinjalet i dha Parisi me goditjen e fundit që bëri në bashkëpunim me SPAK ku u fundosën biznesmenë të fuqishëm të lidhur me politikën, ish-prokurorë dhe drejtues policie vetëm nga dosja e përgjimeve që ata dispononin për grupet kriminale. E njëjta skemë, po ndiqet dhe në vendet e tjera ku operojnë kriminelë të rrezikshëm shqiptarë.
700 milionë biseda të regjistruara nga FBI
Janë me miliona biseda që SHBA, Franca, Belgjika, Austria dhe Londra kanë për grupet kriminale në Ballkan, ku Shqipëria kryeson nga këto vende duke mbajtur rekorde të zeza. Ishte Daniel Lichtenegger, kreu i Zyrës për Luftën kundër Narkotikëve në Kriminalin Federal Austriak, i cili zbuloi disa muaj më parë se disponojnë një softuer të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) në lidhje me 700 milionë biseda, ku 140 anëtarë të mafies së drogës në Ballkanin Perëndimor janë arrestuar dhe ka ende përgjime që akoma nuk janë zbardhur. Në biseda nuk fundosen vetëm ata, por edhe lidhjet e tyre me pushtetin, siç tregoi dhe rasti i fundit i Francës.
Serveri që disponon Belgjika
Edhe hetuesit belgë kanë arritur të sekuestrojnë një server, ku kanë komunikuar anëtarë të grupeve kriminale që operojnë atje. Janë transkriptuar qindra biseda mes anëtareve të grupeve kriminale. Bisedat kryesisht lidhen me trafikun e drogës dhe vrasjeve që kanë ndodhur në Belgjikë për larje hesapesh, apo edhe shantazh ndaj kundërshtarëve. Një pjesë e komunikimeve janë të vlefshme edhe për autoritetet tona, për shkak të personazheve dhe përmbajtjes së mesazheve të transkriptuara, ku është shfaqur dhe përfshirja e politikës shqiptare, pasi ka dosje që po hetohen, të cilat përfshijnë zyrtarë të lartë të fuqishëm. Nga burimet e gazetës “Sot”, politikanë të njohur po hetohen nga belgët si të lidhur me krimin e organizuar, në afera për blerje votash, si edhe shantazh ndaj kundërshtarëve. Për këtë arsye, belgët ia kanë dorëzuar autoriteteve shqiptare në kuadër të kryerjes së verifikimeve që janë në vazhdim i një hetimi të nisur prej tyre. Mësohet se të dyshuarit kanë komunikuar mes tyre në aplikacione si EncroChat, Sky Ecc por, edhe Matrix, apo edhe në telefona “BQ”.
Bashkëpunimi me SPAK
Autoritet belge dhe ato shqiptare të paktën vitin e fundit, kanë pasur një bashkëpunim të ngushtë mes tyre, duke shkëmbyer vazhdimisht informacione. Për t’i shkuar deri në fund hetimit, belgët kanë ngritur dhe një “seli” në vendin tonë ku mbajnë kontakte të ngushta me SPAK. Kohët e fundit ata i kanë shpeshtuar vizitat e tyre në vendin tonë. Përveç bashkëpunimit me autoritetet shqiptare, belgët kanë raportuar edhe tek Eurojust, i cili është një institucion i Bashkimit Europian, që ka në fokus bashkëpunimin gjyqësor për çështjet penale. I themeluar në vitin 2002 nëpërmjet vendimit të Këshillit të BE-së, me seli në Hagë, qëllimi i krijimit ishte për të përmirësuar menaxhimin e krimit të organizuar ndërkufitar duke stimuluar bashkëpunimin investigativ dhe policor midis agjencive të shteteve anëtare të Bashkimit Europian.
Si po ndiqet e njëjta skemë me Francën
Belgjika po vepron njësoj siç vepruan autoritetet franceze, të cilat ‘zbërthyen’ aplikacionin ‘Sky’. Pushtetarët e lartë të lidhur me krimin po i tradhton teknologjia. Ideja se aplikacioni ‘Sky’ sipas tyre është plani më i sigurt për të komunikuar dhe se hetuesit nuk do të mund t’i gjurmonin dot, po tregon se grupet kriminale dhe politika i kanë bërë llogaritë gabim. Kjo pasi nuk e kishin menduar se një ditë bisedat e tyre me sfond kriminal në këtë aplikacion, do të binin në duart e hetuesve. Por ky aplikacion nuk ishte i padepërtueshëm për hetuesit francezë, belgë, austriakë dhe londinezë dhe ekspertët e tyre të specializuar në ç’kodimin e aplikacioneve të tilla, sado të sofistikuara që ato mund të jenë. Siç thuhet edhe në dosjen e Francës, një ndihmë të vyer në këtë rast ia kanë dhënë edhe vetë përdoruesit e saj, të cilët kanë lënë gjurmët e tyre të krimit në këtë aplikacion, gjatë bisedave që kanë zhvilluar.
*SPAK po ndjek modelin italian për të shkuar te “Peshqit e Mëdhenj”
Prokuroria e Posaçme në Shqipëri po ndjek modelin italiane për të shkuar te “Peshqit e Mëdhenj”. Shumë “koka” të politikës në Itali janë fundosur vetëm pasi kanë rënë në përgjime. Kjo skemë, ndonëse kërkon kohë, është e suksesshme, pasi qëndron si dëshmi e fortë se zyrtarët e lartë të korruptuar e kanë të vështirë të gjejnë mënyra për të shpëtuar nga prangat. Efektivitetin e këtij plani SPAK e provoi pak muaj më parë. Kanë qenë përgjimet që kanë çuar në arrestimin e sekretares së përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë. Por nuk do të jetë i fundit, pasi në rrezik janë politikanë, zyrtarë të lartë, por edhe prokurorë të SPAK-ut që kanë mbyllur dosjet e korrupsionit.