Plas sherri Balluku-Ibrahimaj, këshllitari i kryeministrit Edi Rama zbardh detaje nga përplasja mes anëtareve të qeverisë dhe të vërtetën për shkarkimin e ministres së Financave

0
135

Pas disa kritikave të lëshuara në adresë të qeverisë nga deputetë të Partisë Socialiste të kryesuar nga Fatmir Xhafaj, Petro Koçi, Erion Braçe dhe Pandeli Majko, kryeministrit Edi Rama duket se i ka hyrë sherri edhe brenda ekzekutivit. Këtë të mërkurë u mblodh Asambleja Kombëtare e PS, ndërkohë që disa minuta para mbledhjes u përhap lajmi se Delina Ibrahimaj ishte shkarkuar nga detyra e ministres së Financave. Vetë zonja Ibrahimaj para mbledhjes së Asamblesë e mohoi lajmin, ndërsa të njëjtin qëndrim shkurtimisht para gazetarëve mbajti edhe kryeministri Rama. Por teksa ministrja Ibrahimaj dhe Rama ishin në unison, këshllitari mediatik i kryeministrit Edi Rama, zoti Baton Haxhiu këmbëngul se ministrja e Financave është shkarkuar. Madje ai ka treguar edhe arsye se përse ajo është bërë “kurban”, për të cilat paralajmëroi se do të nxjerrë detaje të reja. Sipas portalit “Albania Post” të Baton Haxhiut, Ibrahimaj është shkarkuar pas sherrit që ajo ka pasur me zv/kryeministren Balluku. Pra, zonja Ibrahimaj është shkarkuar si ministre e Financave sipas këshilltarit të Ramës, edhe pse ajo vijon të jetë në detyrë.  “Edhe pse ajo publikisht nuk e pranon, e as eprori i saj, kryeministri Edi Rama, në një “Jo” të thatë për mediat, kur pyetën lidhur me çështjen. Vetë ministrja i komentoi si thashetheme vere lajmet e qarkulluara rreth shkarkimit të saj. “Janë thashetheme vere, nuk jam shkarkuar as kam dhënë dorëheqjen”, tha ajo nën trysninë e gazetarëve. Pavarësisht këtij komenti të ministres, Albanian Post i qëndron raportimit se ajo është shkarkuar nga detyra, te cilën e ushtronte prej dy vitesh. Madje AP ditën e nesërme të 27 korrikut do të sjellë detaje të reja rreth shkarkimit dhe konfliktit mes vetë ministres dhe zëvendëskryeministres, Belinda Balluku”, shkruan ndër të tjera portali “Albania Post” të Baton Haxhiut.

Çfarë ndodhi?

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama mblodhi dy ditë më parë Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste për të njoftuar dy lëvizje të rëndësishme brenda PS-së. Ndryshe nga socialistët e tjerë të cilët para se të hynin shfrytëzuan momentet për tu përqafuar dhe përshëndetur njëri tjetrin me buzëqeshje, Rama ka hyrë i vetëm. Duket që nuk e ka fshehur dot tensionin aq më tepër që pak para se të mblidhej Asambleja u njoftua se ishte shkarkuar ministrja e Financave, por ky lajm më pas u përgënjeshtrua nga vetë ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj. “Jo nuk jam shkarkuar. Është koha e thashethemeve të verës”, deklaroi Ibrahimaj. Këtë e konfirmoi edhe kryeministri Rama, i cili u shpreh: “Jo, jo”.

Karriera e Ibrahimajt

Delina Ibrahimaj e mori portofolin e shtetit më shtator 2021, duke shërbyer në këtë detyrë për më pak se dy vjet. Në vitin 2016 e në vijim ajo ka qenë anëtare e Këshillit të Statistikave, INSTAT, në 2017 e në vijim anëtare e Këshillit Drejtues të FED Invest dhe anëtare e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Ndërsa, ajo mori emër në vitin 2019, kur u emërua në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, të cilën e mbajti deri në vitin 2021, përpara se të emërohej ministre. Ajo ka qenë po ashtu në drejtimin e INSTAT gjatë viteve 2015-2016 dhe ka koordinuar çështjet financiare dhe ekonomike në Kryeministri më parë. Shkarkimi i Ibrahimajt përbën edhe të dytin në pak ditë nga kryeministri Rama, i cili më parë ka liruar nga detyra ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi dhe në vend të tij emëroi Taulant Ballën në pozitën e lartë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here