Qysh nga 19 maji i vitit 2021, kur Sekretari Amerikan i Shtetin, Antony Blinken e shpalli ish-kryeministrin Sali Berisha person “non grata” në emër të Departamentit Amerikan të Shtetit me akuza të forta se gjatë kohës që ishte kryeministër është përfshirë në akte korruptive si keqpërdorimi fondeve publike, minim i demokracisë dhe ndërhyrje me proceset publike duke përdorur fuqinë për përfitime personale dhe pasurimin e aleatëve politik përfshi familjen në kurriz të konfidencës publike të qeverisë shqiptare dhe institucioneve, kanë rrjedhur shumë ngjarje, madje shumë prej të cilave përtej çdo lloj parashikimi. Kjo pasi çdo ditë që kalon, po dalin në pah shumë prova dhe fakte që tregojnë se ish-kryeministri Berisha mashtron kur thotë se ai nuk kishte arsye që të shpallej person i padëshiruara nga amerikanët. Propagandën e “non gratës” e rrëzon në tokë sërish Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili ka nxjerrë detaje nga dosja e “e zezë” e Sali Berishës. DASH në raportin më të fundit, atë për Klimën e Investimeve në vend, ku një seksion i posaçëm i dedikohet sigurisë dhe dhunës politike në Shqipëri përmend ish-liderin demokrat dizenjuar “non grata” nga SHBA-të për korrupsion madhor që përpiqet të kthejë përmbys me dhunë selinë e partisë së tij. Si shembull të dhunës politike, DASH sjell Sali Berishën, të cilit i rikujton gjithashtu se në 21 Janar 2011, teksa ai qëndronte në zyrën e Kryeministrit, Garda e Republikës vrau 4 protestues. Pra dosja e tij sa vjen dhe shtohet dhe listës i është bashkuar dhe dhuna në selinë blu. Nga ana tjetër, DASH me zbardhjen e këtyre akuzave po i tregon autoriteteve shqiptare rrugën për të nisur hetimet ndaj “non gratës”.
DASH zbardh akuzat e forta për Sali Berishën
“Dhuna politike është e rrallë, rasti më i fundit janë përpjekjet e udhëhequra nga një ish-lider shqiptar, i dizenjuar nga Qeveria Amerikane për korrupsion të konsiderueshëm publik, për të thyer selinë e partisë në janar 2022, çka kërkonte ndërhyrjen e policisë; si dhe protestat politike në 2019 që përfshinin raste të mosbindjes civile, dhuna e nivelit të ulët dhe dëmtimi i pronës, përdorimi i gazit lotsjellës nga policia. Më 21 janar 2011, forcat e Gardës qëlluan dhe vranë katër protestues gjatë një demonstrate të dhunshme politike”, shkruan DASH. Berisha e ka luajtur bukur rolin gjatë gjithë këtyre muajve kauzën e pafajësisë dhe atë të një politikani babaxhan, që nuk ka abuzuar me pushtetin, duke helmuar kështu me propagandë mbështetësit e tijnë mënyrë që t’i mbajë të karikuar dhe pranë vetes, gjatë këtyre ditëve të vështira që po kalon, por mesa duket amerikanët e kanë çdo gjë të dokumentuar.
SHBA informacion të dokumentuar për Berishën
Vetë SHBA deklaroi me anë të Yuri Kim se shpallja non grata e Sali Berishës erdhi pasi u mblodhën prova nga shumë institucione amerikane. “Nuk është vetëm DASH. Përfshihen agjenci si Departamenti i Thesarit, FBI, CIA. Përfshihen një gamë ekspertësh për të parë faktet. Së pari, për të mbledhur faktet dhe pastaj për të shqyrtuar faktet, dhe pastaj ndërtimi i një dosjeje që Sekretari i Shtetit të ketë besim ta nënshkruajë,” u shpreh ambasadorja në atë kohë. Kim sqaroi se procesi për shpalljen non grata të dikujt merr vite dhe nuk bëhet brenda ditës e as nga një individ i vetëm. “Më shumë se 200 persona janë dizenjuar nga Departamenti i Shtetit për përfshirje në korrupsion domethënës. Të gjitha ato raste kalojnë një proces shumë rigoroz shqyrtimi nga një numër agjencish”, deklaroi ajo.
Vrasjet e 21 Janarit që do të fundosin Berishën
Është e dyta herë që në raportin e DASH përmendet 21 janari dhe emri i Sali Berishës. Aleati ynë strategjik, SHBA ka të dokumentuar çdo skandal apo aferë të bërë nga pushtetarët shqiptarë dhe një nga ngjarjet më tronditëse sigurisht janë vrasjet e 4 protestuesve të pafajshëm nga dora e pushtetit. Qeveria Berisha në atë kohë u kujdes që të fshinte çdo gjurmë, regjistrim, apo pamje që i implikonte duke hequr përgjegjësinë nga vetja, por amerikanët i kanë të gjitha provat dhe këtë e vërtetoi pak muaj më parë dhe Artan Hoxha. Gazetari investigativ zbuloi 12 vite më vonë një përgjim ku tregohej se protestuesit janë vrarë me urdhër në intensitetin e protestës. Por jo vetëm kaq, ai tregoi dhe origjinën e kësaj prove “bombë” duke thënë se regjistrimi ishte bërë nga një vend aleat, pasi të gjithë regjistrimet e bëra nga autoritetet vendase, janë fshirë. “Pushteti u sigurua t’i fshinte pamjet. Përveç shqiptarëve, aty kishte dhe diplomatë të huaj. Kishte njerëz shumë tek kualifikuar të vendeve aleatë nuk mund të rinin pa e parë këtë ngjarje. Ata e kanë regjistruar këtë gjë dhe është mbajtur si provë. Më është vënë në dispozicion për të akorduar ngjarjet. Më është kërkuar të bëj mbivendosje, për të lidhur zërin me figurën. Jam tronditur kur e kam dëgjuar. Aty kupton se çfarë ka ndodhur. Kjo është një provë e fortë që tregon se protestuesit janë vrarë me urdhër në intensitetin e protestës. Dhe kur njerëzit ishin lodhur. Ky material është regjistruar nga aletatët tonë. Kur dalin këto vendimet non grata dhe kur këta të shpallur kërkojnë prova mua më vjen të qesh sepse ata e dinë çfarë provash kanë. Regjistrimi është bërë nga një vend aleat. Ma vuri në dispozicion për të bërë leximin e ngjarjes”, u shpreh Hoxha. Pra duket se amerikanët po japin sinjale se 21 janari po shkon drejt zbardhjes.
Berisha plane për të djegur Shqipërinë për interesa personale
Nga ana tjetër Departamenti Amerikan i Shtetit e cilëson Berishën si person që kërcënon sigurinë kombëtare dhe këtë ai e ka provuar në Shqipëri me protestat e dhunshme që ka organizuar. 8 janari shënoi një ditë dramatike se si anëtarë të së njëjtës parti u përçanë dhe shkatërruan godinën e shtëpisë së tyre. Militantë dhe mbështetës të Berishës me vare e çekiçë në duar shqyen dyert e blinduara nga Basha dhe thyen xhama e shkatërruan zyra, ndërsa mbështetësit e Bashës iu kundërpërgjigjën nga brenda me gaz lotsjellës. Kjo bëri që seli blu të kthehej në një skenë krimi për policinë dhe prokurorinë ku u arrestuan 34 persona dhe të tjerë u hetuan në gjendje të lirë. Nga të dyja palët u përmendën se në skenën e dhunshme u shfaqën dhe pjesëtar të grupeve kriminale, por u akuzua se pati dhe kërcënime me armë. Gjithashtu edhe në çdo protestë që ka bërë Berisha janë shfaqur kërcënime për trazira dhe dhunë, provokime ndaj policisë dhe hedhja e molotovëve. Gjithmonë Ambasada Amerikane ka bërë thirrje shtetasve amerikanë në Shqipëri që të qëndrojnë sa më larg protestave ku shfaqet emri i Berishës si organizator.