Google search engine
Home Politike Socialistët përgatiten për zgjedhje, Rama mbledh Asamblenë Kombëtare

Socialistët përgatiten për zgjedhje, Rama mbledh Asamblenë Kombëtare

0
95

Pavarësisht fitores plebishitare që korri në zgjedhjet lokale të 14 majit, socialistët duket se i pret një gusht i “nxehtë” dhe sezon i ri i ngarkuar politikisht. Kryeministri Edi Rama pasi triumfoi në zgjedhjet vendore që sapo lamë pas, në delir të plotë paralajmëroi se do të vijonte drejtimin e pushtetit vendor dhe qendror pa probleme. Por zhvillimet e fundit dhe skandalet që kanë përfshirë selinë rozë, ku kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici ndodhet në burg, Rrahman Rraja dha dorëheqjen nga mandati i deputetit dhe ish-zv/kryeministri Arben Ahemetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtarë, duket se kanë hedhur në erë planet e kryesocialistit Rama. Ky i fundit në mënyrë të beftë, është detyruar të thërrasë Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste në këtë fund korrik përvëlues. Mbledhja e Asamblesë Kombëtare do të mbahet sot dhe ajo vjen pas skandaleve që kanë mbërthyer mazhorancën, brenda së cilës kanë nisur të shfaqen edhe zëra deputetësh që nuk janë dakord me lidershpin e partisë. Burime nga PS i pohuan gazetës se kryeministri Rama pritet të kërkojë nga vartësit e tij që të jenë gati për zgjedhje të parakohshme, pasi ato janë mbrapa derës, për shkak të presionit në rritje që i është vendosur Partisë Socialiste nga ofensiva e SPAK, goditje e së cilës ka vënë me shpatulla pas murit ish-numrin dy të qeverisë i përfshirë në aferën e “djegsave” dhe madje edhe një kryebashkiak të sapozgjedhur si Gjici i skandalit erotik. Kështu që nisur nga ky presion, Rama ka menduar të thërrasë Asamblenë për të karikuar të vetët dhe ua bërë të qartë që të punojnë sikur zgjedhjet do të mbahen nesër. Madje sikundër pohuan të njëjtat burime nga selia rozë, sot ne Asamble me tone të ashpra dhe tejet ultimative, Rama pritet t’ua ripërsërisë të vetëve qëndrimin e tij, se PS nuk do të jetë mburojë për cilindo zyrtar apo politikan, qoftë vendor apo qendror, nëse ka punë me drejtësinë.

Porositë

Por karikimi për zgjedhje të parakohshme, të cilët mund të mbahen ose edhe mund të mos mbahen në vjeshtën që pritet të trokasë dhe mesazhi se askush nuk do jetë imun para SPAK nëse është përfshirë apo përfshihet në afera korruptive e kriminale, nuk janë të vetmet porosi që do të lëshojë kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së sotme të Asamblesë Kombëtare. Mësohet se Rama, pritet të kërkojë riorganizimin strukturor të partisë, ku nuk përjashtohen lëvizje emra të rinj në postet e saj. Gjithashtu ka zëra që Rama mund të bëjë lëvizje edhe në kabinetin qeveritar, për shkak se disa nga ministrat aktualë kanë llogari të hapura me SPAK, ndonëse gazeta nuk arriti të konfirmoi një lajm të tillë.

PS “zien” nga debatet

Megjithatë mbledhja e sotme e Asamblesë Kombëtare të PS, vjen në një kohë kur ujërat në Partinë Socialiste sa vijnë dhe turbullohen. Teksa skandalet po shtohen njëra pas tjetrës, e njëjta gjë po ndodh edhe me pakënaqësitë brenda selisë rozë. Në seancën e fundit parlamentare të së enjtes që shkoi, deputetët socialistë, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erion Braçe i dolën hapur kundër qeverisë për ligjin e kanabisit. Ata e dhanë sinjalin se situata në kampin rozë nuk është si më parë. Por duket se i zhgënjyer ka mbetur edhe Petro Koçi. Ndonëse ky i fundit ishte ai, i cili i dha një mandat tjetër Skënder Gjinushit, si iniciator ligji, nuk i ka pëlqyer mënyra se si kolegët e tij pritën draftin. Për këtë arsye ai dha pak ditë më parë dorëheqjen si nënkryetar i Komisionit të Medias dhe Edukimit, ndërkohë që dje ka lëshuar një tjetër silurë kundër qeverisë dhe kryesocialistit Edi Rama. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, zoti Koçi ripërsëriti se nuk i pëlqeu mënyra se si kolegët e tij pritën draftin që ai përgatiti për Akademinë e Shkencave dhe theksoi se kjo ishte arsyeja pse ai dha dorëheqjen si nënkryetar i Komisionit të Medias dhe Edukimit.Madje në një mesazh drejtuar kolegëve dhe kryeministrit Rama, Koçi tingëllon unison me Fatmir Xhafajn kur thotë se PS duhet të ndalet dhe të reflektojë.“Është një situatë që tregon një mungesë disipline politike.Ky reagim me tërheqje nga një detyrë, PS ka nevojë që të reflektojë për gjëra të tilla, pasi edhe kur ka paqartësi për ndonjë formulim të caktuar, besimi tek kolegu na bën të votojmë pro. Solidariteti moral është shumë i nevojshëm”, deklaroi deputeti Koçi. Pra fakti se disa deputetë brenda PS, si Xhafaj, Braçe, Majko e tani më dhe Koçi po tregojnë hapur pakënaqësitë e tyre, jep shenja se një grupi i ri që mund të shkaktojë përçarje të mëdha po ngrihet brenda PS.

Rama mbledh qeverinë në Tepelenë

Ndërkohë duhet theksuar se Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste sot, vjen 1 vit pas mbledhjes më të fundit mes socialistëve e cila do të pasohet nga një tjetër takim dy ditë më pas. Më 28 dhe 29 korrik në Tepelenë, kryeministri Edi Rama do të mbledh Qeverinë në një takim informal. Zyrtarisht thuhet se në këtë takim do të shpallen objektiva të reja për ministritë përkatëse. Gjithsesi asambleja mblidhet në një situatë delikate brenda kampit rozë. Socialistë me emër, kryetarë bashkish janë arrestuar, dhe së fundi prej disa ditësh Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka urdhëruar arrestimin e zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili akuzohet së është përfshirë në aferën e inceneratorëve, mbi të cilin madje rëndojnë disa akuza, që nëse faktohen, do ta çojnë ish-ministrin në qeli, teksa rrezikon disa vite burg.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here