Më në fund vjen fitorja e parë e Partizanit për këtë sezon në kompeticionet e UEFA-s. Pas dy humbjeve që pësoi në turin e parë të Ligës së Kampioneve, ndaj BATE Borisovit, ekipi i kuq zbriti sipas formulës së UEFA-s në Ligën e Konferencës, por tani në raundin e dytë të saj. Partizanit i ra në short skuadra modeste nga Andorra, Atletiko d’Ekaldes, e cila ka bërë sezone të mira vitet e fundit dhe ka mundur madje të kalojë një e dy raunde në aktivitetet e UEFA-s, duke dëshmuar progres sportiv. Por eksperienca e Partizanit dhe kualiteti i grupit bënë diferencën, pavarësisht se skuadra e kuqe nuk shkëlqeu aspak në këtë takim. Sidoqoftë, në futboll vlen rezultati dhe Partizani e mori atë që dëshironte, pra fitoren. kjo fitore e bën favorit për të kaluar turin dhe një tur i kaluar sjell më shumë të ardhura, më shumë imazh për lojtarët dhe klubin e padyshim edhe ballafaqimin e futbollit shqiptar me atë europian, pra i bën mirë ligës.
Ndeshja dhe rezultati
Në kuadër të turit të dytë, të Conference League, Partizani gjen kështu fitoren e parë europiane, pasi ka mposhtur me rezultatin minimal 0-1 skuadrën e Atletiko Eskaldes në Andorra, një duel mes dy kampioneve të vendeve të tyre. Të kuqtë e drejtuar nga trajneri kroat Zoran Zekiç dominuan gjatë gjithë 90-minutëshit në Andorrë, megjithatë nuk shënuan dot më shumë se një gol për pasaktësi në finalizim, por edhe formë të mirë të portierit kundërshtar. Golin e vetëm të takimit e shënoi Kristian Mba, që në minutën e 53-të përfitoi nga një gabim i portierit kundërshtar dhe dërgoi topin në rrjetë. Me këtë rezultat, Partizani hedh një hap drejt kualifikimit për të turin e tretë eliminator të Conference League. Por do të duhet të presë edhe ndeshjen e kthimit pas një jave në Tiranë për të mësuar edhe zyrtarisht kalimin në turin tjetër. Fitorja pa shkëlqim dje sjell dilema, ndaj trajnerit i duhet të punojë fort për të gjetur ekuilibrat e duhur që ekipit t’i merret maksimumi. Për momentin, për fitoren e Partizanit, për lojtarët dhe stafin,vlen shprehja “fituesi nuk gjykohet”. Por në brendësinë e klubit e kanë të qartë se nuk ka asgjë të sigurt, sepse edhe andorrianët kanë një skuadër të mirë dhe do të vijnë të mobilizuar, pasi s’kanë asgjë për të humbur. Ndaj duhet kujdes, në mënyrë që të kuqtë ta fitojnë duelin e ardhshëm dhe të shkojnë me optimizëm në turin tjetër.
Merkato
Kualifikimi ose jo i Partizanit në Ligën e Konferencës do të ndikojë shumë edhe vijueshmërinë e merkatos së skuadrës. Kjo pasi blerjet e fuqishme që ka bërë klubi si me Grezdën e të tjerë, nuk do të jenë brenda pritshmërive nëse Partizani nuk e kalon ekipin andorrian. Ndaj fitorja e djeshme është shumë e frytshme dhe mund të rezultojë vendimtare edhe për merkaton e klubit të kuq. Një kalim i turit do të thotë se grupi e ka justifikuar besimin dhe të shkosh në turin e tretë, është gjithsesi sukses. Grupi dhe trajneri Zekiç e dinë këtë, ndaj po përpiqen ta sigurojnë kualifikimin pa shumë bujë, për të qenë të karikuar e të motivuar për të bërë më të mirën e tyre në Europë. Nga rezultatet në Europë do të varet e ardhmja e grupit dhe objektivat e sezonit të ri.










































