Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka zhvilluar ditën e djeshme një takim me Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfiri dhe Presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik. Pas takimit lideri serb tha se kishin diskutuar “të gjitha çështjet kryesore kombëtare për popullin serb”. “Në të ardhmen e afërt janë rënë dakord për takime të rëndësishme të përbashkëta në territorin e Republikës Srpska dhe patriarku Porfiri dhe unë kemi pranuar propozimin e Presidentit Dodik që përkujtimi i Ditës së Përkujtimit të të gjithë serbëve që vuajtën dhe u internuan në aksionin e armatosur “Stuhia” të mbahet në Prijedor më 4 gusht”, shkroi Vuçiç në Instagram, pas takimit. Po ashtu, liderët janë pajtuar për organizim të shpejtë të një takimi të “të gjitha autoriteteve shtetërore” të Serbisë dhe Republikës Sërpska, në territorin e Republikës Sërpska në Bosnje.“E kam dëgjuar presidentin Dodik me vëmendje të madhe, lidhur me të gjitha zhvillimet në Republikën Sërpska dhe në Bosnje-Hercegovinë dhe jemi pajtuar që ta organizojmë një takim të të gjithë trupave shtetërore të Serbisë dhe Srpskas, në territorin e Republikës Srpska, sa më shpejt që është e mundur”, ka shkruar presidenti serb. Takimi mes Dodikut dhe Vuçiçit zhvillohet në kohën e rritjes së kritikave të faktorit ndërkombëtar ndaj Dodikut, kryesisht për shkak të deklaratave dhe veprimeve të institucioneve të këtij entitetit, që konsiderohen destabilizuese për shtetin e Bosnje-Hercegovinës. Së fundi, Qeveria e Republikës Sërpska ka miratuar ligje për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe që të mos i publikojë vendimet e Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare.


































