Në Shqipëri pritet që të ketë zhvillime të bujshme. Nga analistë, gazetarë, deputetë dhe ekspertë janë paralajmëruar arrestime të shumta, ndër ta edhe miku i ish-kryeministrin Sali Berisha, ndërsa 19 persona të tjerë pritet që të shpallen non grata. Po ashtu, është paralajmëruar se këto zhvillime pritet të sjellin edhe zgjedhje të parakohshme në vend. Ishte ish-deputeti Halit Valteri, i cili ka deklaruar dje në një intervistë televizive, se miku i ish-kryeministrit Sali Berisha së shpejti do të arrestohet nga SPAK, por pa përmendur emra. Por, nga deklarata e tij duket se bëhet fjalë për Ilir Metën. “Zoti Berisha e provoi para pak kohësh, u votua nga shqiptarët, mori atë rezultat që u pa bashkë me shokun e tij i cili pritet të jetë i radhës nga të arrestuarit e SPAK”, tha Valteri. Ai theksoi se Berisha del dhe mbron bizneset e familjes së tij, në mënyrë që t’i shpëtojë drejtësisë.“Zoti Berisha është non grata në Amerikë, dhe rrjedhimisht është edhe kjo 5-shja, Gjermania, Anglia, Kanadaja që e marrin të mirëqenë këtë pjesë. Berisha nuk e ka problemin me shqiptarët, ai ti drejtohet shqiptarëve për ta votuar. Ju sugjeroj te mos i jepni kohë Berishës të mbrojë bizneset e Shkëlzenit, Jamarbër Malltezit dhe Argita Berishës”, tha Valteri. Gjatë fjalës së tij Valteri është shprehur se në tetor mund të ketë zgjedhje të parakohshme.“Në tetor them unë mund të kemi dhe zgjedhje të parakohshme. Me këtë opozitë që kemi mund të vendosen disa pika mbi “i”. A do të ketë më rol Berisha dhe Meta? Duhet parë kjo gjë”, tha Valteri.
Lirohen hapësirat në qelitë e paraburgimit
Ndërkohë, gazetarja e kronikës, Anila Hoxha ka bërë të ditur dje se Drejtoria e Burgjeve po liron hapësirat në qelitë e paraburgimit. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Hoxha thotë se autoritetet kanë transferuar mbi 30 të ndaluar nga qelitë e paraburgimit duke i shpërndarë në Fier dhe Shkodër, një sinjal ky se pritet të ketë me dhjetëra arrestime. “Çfarë pritet të ndodhë ? Burgjet sapo boshatisën 30 vende në qeli pranë paraburgimit 313. Të paraburgosurit janë shpërndarë në Fier dhe Shkodër”, tha ajo.
Analisti plas ‘bombën’: 19 politikanë do të shpallen “non grata”, edhe shqiptarë
Nga ana tjetër, analisti Bedri Elezi deklaroi dje gjatë një interviste televizive se 19 personalitete në Ballkanin Perëndimor, kryesisht nga sfera politike, do të shpallen non-grata së shpejti nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Analisti tha, se në listën që do të publikohet do të ketë dhe politikanë nga Shqipëria dhe po ashtu edhe nga Kosova.“Lista vazhdon të publikohet dhe janë një numër rreth 19 persona të cilët priten të shpallen non-grata. Nga i gjithë Ballkani Perëndimor mendohet të jenë diku te 19 persona, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë, kryesisht janë njerëz që janë marrë me jetën politike”, tha analisti. Analisti shtoi se shpallja e këtyre personave si të padëshiruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vjen pas një hulumtimi 5-vjeçar të bërë nga shërbimet sekrete amerikane në rajon. Ai shton se këta persona konsiderohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si individë që kanë cenuar marrëdhëniet e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Departamentin e Shtetit, si dhe kanë kërcënuar sigurinë e SHBA-ve.“Pritet të kemi në Shqipëri, pritet të kemi në Kosovë, pritet të kemi në Malin e Zi, në Maqedoninë e Veriut, Bosnjë, në të gjithë Ballkanin persona non-grata. Është një hulumtim që është bërë diku te 5-vite nga administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është zbatuar përmes shërbimeve sekrete në Ballkan. Tani këto informacione janë përpunuar dhe vendimi është që minimalisht të shpallen persona të padëshiruar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës të gjithë ata që kanë cenuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikiës, sigurinë e saj apo interesat e saj në Ballkanin Perëndimor”, tha Elezi.









































