Arben Ahmetaj vazhdon të jetë i zhdukur pa lënë asnjë gjurmë. Njeriu që prej disa ditësh është në qendër të vëmendjes mediatike dhe politike dhe që pritej të arrestohej nga SPAK dyshohet se është arratisur jashtë vendit. Është një arsye shumë e fortë që të bën të mendosh se Ahmetaj ka zgjedhur të largohet dhe të mos bëjë burg, njësoj si ish-kolegët e tij deputetë, Lefter Koka dhe Alqi Bllako, apo dhe Saimir Tahiri. Një burim i sigurt ka konfirmuar për gazetën “SOT” se Ahmetajn e kanë marrë shërbimet sekrete nën patronazh. Ndryshe nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri që ra në burg, Ahmetaj u tregua më inteligjent dhe mori të gjitha dosjet e aferave në qeveri dhe u arratis. Në këto situata, në fshehtësi të plotë dhe pa zhurmë, shërbimet sekrete futen në lojë duke i marrë Ahmetajt çdo dokumentacion dhe çdo detaj tjetër kundër kryeministrit Edi Rama si i penduar i drejtësisë. Ish-ministri i Ramës nuk është i vetmi që e ka përdorur këtë skemë, pasi edhe pushtetarë të lartë në vende të tjera janë larguar me informacione të fuqishme në duar dhe i kanë përdorur për interesat e tyre në bashkëpunim me shërbimet sekrete, apo edhe agjenci të tjera ligjzbatuese.
Ahmetaj, bashkëpunëtor i drejtësisë
Sinjalet se Ahmetaj pritet të hapë “Kutinë e Pandorës” për të gjithë qeverinë socialiste i dha vetë ish-ministri socialist. Përmes një reagimi të gjatë pak ditë më parë, të cilin e publikoi në llogarinë e tij në “Facebook”, Ahmetaj u përpoq të shfajësohej, duke e nxjerr veten e larë nga afera e inceneratorëve, teksa la të nënkuptohet se është gati të kthehet në bashkëpunëtor i drejtësisë nëse i japin garanci për familjen. I drejtpërdrejt në atë që thoshte, ish-ministri më i fuqishëm i PS, mesazhin më të fortë ja dërgoi kryeministrit Edi Rama dhe Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që me sa duket i prishi atij qetësinë e madje edhe pushimet verore. Ndër rreshta ai ka përmendur edhe një thënie të vjetër nga Franca “E shoh që dy zgjidhje të mundshme ka në tavolinë, ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e revolucionit”.
Frika e madhe e Ramës
Frika e Ramës filloi që në momentin kur shpërtheu skandali i inceneratorëve. Në pozicionin e vështirë në të cilën ai u ndodh, Rama në atë periudhë i dha një mesazh të koduar Ahmetajt. Pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, kryeministri Rama doli në një prononcim për gazetarët. Kreu i qeverisë e paralajmëroi Ahemtajn që të mbyllë gojën pasi nëse ndodh e kundërta, do e pësojë keq. “Nëse unë do të kisha bërë rolin e gjykatësit, gjërat do të kishin qenë shumë më keq për ata që duan që unë të bëj rolin e gjykatësit”, tha Rama. Pra nën rreshta lexohet se Rama i kërkoi që të mos bëhet i penduari i drejtësisë. Ndarja mes zotit Ahmetaj dhe kryeministrit u zyrtarizua në korrik të vitit të kaluar, kur zoti Rama e shkarkoi nga detyra e zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Rindërtimin, ndërsa disa javë më pas e largoi dhe nga funksioni i drejtuesit politik të Partisë socialiste në një nga qarqet e vendit. Ndaj të gjithë ish bashkëpunëtorëve të tij, që kanë përfunduar para drejtësisë, Rama ka përdorur të njëjtin arsyetim se “përgjegjësia është individuale”, duke larë duart me ta. Por Ahmetaj i doli nga pritshmëritë dhe plani i tij mund të fundosë të gjithë Partinë Socialiste.
Klodiana Lala nxjerr detajet e bujshme
Që Ahmetaj është larguar me dokumente të rëndësishme me vete që rrezikojnë të gjithë qeverinë e tregoi ditën e djeshme dhe gazetarja Klodiana Lala. Lala tha se Ahmetaj me gjasë është larguar me një valixhe me dokumente me vete, duke nënkuptuar se ai ka prova edhe për implikimin e personave të tjerë në aferën e inceneratorëve. “Fakti që vendi ynë i vogël ka një ish zv.kryeministër në arrati, nuk më lë shije të mirë. Arsyet pse Ahmetaj ka zgjedhur ta bëjë betejën e tij në distancë, do ta dëshmojë koha. Të nesërmen, ai nuk ka shkuar me duar në xhepa, besoj ka marrë edhe valixhe me dokumente. Faktet, na rezulton se ka edhe zyrtarë të tjerë, afera të tjera, është histori ku kupton dështimin e shtetit. Ku ndodhet Ahmetaj? Avokatët thonë që ndodhet në Londër. Por, kam parë një përpjekje për të patur mjegullnajë për këtë, ndodh sa herë ka tentative për të devijuar thelbin e historisë”, deklaroi Lala. “Tani ka nisur historia e inceneratorëve, është korrupsion shtetëror, tani ka shpërthyer. Të gjithë palët do të përpiqen të shpëtojnë veten duke shitur shokun”, shtoi gazetarja.
Artan Hoxha zbardh skemën që ndoqi Ahmetaj
Edhe gazetari investigativ Artan Hoxha zbulon se Ahmetaj ka ndjekur një skemë të mirëmenduar. Sipas tij, nëse qëndronte në Shqipëri dhe arrestohej nuk do të kishte mundësi të fliste. “Zoti Ahmetaj po të ishte këtu, nuk do të kishte mundësi të kishte përballje reale me drejtësinë, duke qenë jashtë mund ta bëjë. Po të jesh i ndaluar nuk ke shans, po të futën brenda nuk flet”, deklaroi Hoxha. Hoxha tha se Arben Ahmetaj ndodhet në Londër. Gazetari hodhi idenë se Ahmetaj mund të kërkojë edhe azil politik, për shkak të deklaratave të kryeministrit Rama, por tha se shtetet pritëse nuk e deklarojnë një gjë të tillë nëse ndodh. “Radhën e parë e nxorëm me saktësi edhe orën kur kishte kaluar. Pastaj filloi historia, sepse nuk i interesonte njeriu e vërteta. Ai ka bërë rrugën që bën gjithmonë. Nga Greqia ka shkuar në Angli, në Londër. Nuk duhet të dilte derisa të paraqitej në Këshillin e Mandateve, sepse Arben Ahmetaj është qytetar i lirë nuk ka masë sigurie në ngarkim të tij. Ai është qytetar i lirë, nuk ka patur pengesë. Ai ka ikur dhe ka ardhur gjatë kësaj kohe. Në telefonatën e fundit, dëgjoja zhurmë, vajzën në sfond, dukej në ambient familjar. Pse ka vendosur të ikë? Ai ka kaluar rreth orës 13:00 traun e doganës. Në fund të asaj dite i është çuar kërkesa Kuvendit. Nga ai moment, Ahmetaj ishte njeri i lirë, rastësisht u fotografua. Nga ai vend dhe deri momentin që flasim, Ahmetaj ka shkuar nga Tirana në Greqi dhe më pas ka ikur në Londër. Asnjëherë nuk kemi marrë vesh kërkesat për azil politik nga vendet pritëse, nuk e bëjnë me dije vendet. U fol që nuk mund të ketë ikur në Britani, sepse Britania të ekstradon. Jo. Ilir Kumbaron përshembull nuk na e kanë sjellë edhe pse e dinin se ku ishte. Britania, siç ka dhënë shembuj ekstradimi në shumë raste, ka dhënë edhe raste kur ka implikim politik, nuk i kanë kthyer njerëzit”, tha Hoxha ndër të tjera.










































