Tirana nuk ia doli të fitonte duelin e parë të turit të parë në Ligën e Konferencës përballë Dinamo Batumit të Gjeorgjisë, vetëm barazim 1-1 në stadiumin “Air Albania”. Pjesa e parë u mbyll në barazim o-o, por në pjesën e dytë gjeorgjianët shënuan të parë në të 67’ me anë të Flamarion. U desh të vinte minuta e tretë shtesë që Tirana të barazonte shifrat me një gol të Regi Lushkjes. Statistikat e këtij takimi kanë shumë rëndësi të pasqyrohen, pasi u luajt një futboll tekniko-taktik, ku gjeorgjianët kontrolluan më shumë topin, por Tirana pati më shumë raste dhe goditje drejt portës. Kualifikimi në raundin tjetër duket i vështirë, pasi dueli i kthimit pas një jave luhet në fushën e Dinamo Batumit.
Vllaznia bie në Irlandën e Veriut
Vllaznia u përball mbrëmë me Linfiled të Irlandës së Veriut, ndeshja e parë e këtij turi u luajt në Belfast, pjesa e parë barazim 0-0, por në të dytën veriirlandezët shënuan në të 57’ me anë të Mek Kee. I njëjti futbollist shënoi edhe golin e dytë për vendasit në minutën e 68-të. Por turpërimi i shkodranëve erdhi në të 76’ ku Skot shënoi golin e tretë. Gjithsesi, Juri? shënoi golin e nderit për Vllazninë në të 89’, duke ngjallur sadopak shpresë për përmbysje në duelin e kthimit në Shkodër pas një jave.
Egnatia debuton me rezultat pozitiv në Europë
Debutim pozitiv i Egnatias në Conference League. Skuadra nga Rrogozhina siguroi barazimin 1-1 në “limitet” e ndeshjes, në transfertën armene përballë Ararat. Redi Kasa pati dy shanse të pastra në pjesën e parë, ndërkohë që vendasit kaluan në avantazh në minutën e 36-të Falë golit me kokë të brazilianit Alemao. Skuadra nga Rrogozhina tentoi barazimin në pjesën e dytë. Rafael Duamena u ndal nga një pritje fantastike e portierit vendas në minutën e 64-t. Por asgjë nuk e ndali sulmuesin ganez në minutën e shtatë shtesë, i cili përfitoi nga një rrëmujë në zonë dhe dërgoi topin në rrjetë.
Gjilani barazon, Dukagjini fitore në sekondën e fundit
Debutoi në Europë me fitore edhe Dukagjini, që triumfoi 2-1 në sekondat e fundit, ndaj luksemburgasve të Europe. Vendasit kaluan të parët në avantazh me anë të mesfushorit Bujar Shabani, por miqtë rikthyen baraspeshën me Pozo në shtesën e pjesës së parë. Kur dukej se gjithçka po shkonte drejt barazimit, ishte Iljasa Zulfiji që shënoi në shtesë golin e fitores për Dukagjinin. Vetëm barazim 2-2 mori Gjilani i Klodian Duros në transfertën ndaj luksemburgasve të Niedercorn. Skuadra dardane e pa veten dy herë në disavantazh, por barazoi dy herë me golat e Ramadanit nga pika e bardhë, duke shtyrë kualifikimin për javën e ardhshme në “Fadil Vokrri”.
Shkupi fitore kualifikuese, Shkëndija fitore minimale
Shkupi ka hipotekuar kualifikimin në turin e dytë të Conference League, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin e thellë 0-5 në ndeshjen e parë ndaj lituanëve të Hegelman. Në Kaunas shkëlqeu sulmuesi nga Xhamajka, Cefas, që shënoi 4 nga 5 golat e skuadrës shqiptare nga Maqedonia e Veriut, teksa goleada u kompletua nga Queven. Sfida e kthimit mes dy skuadrave do të zhvillohet javën e ardhshme. Bëhet fjalë thjesht për një formalitet për Shkupin, që do të provojë të kënaqë tifozët me një tjetër fitore me goleadë. Ndërkohë, fitore minimale arriti Shkëndija e Tetovës, që mundi Haverforduest me shifrat 1-0, me gol të Shalës në të 47’.
Rezultatet e ekipeve shqiptare në UEFA Conference League
Ararat -Egnatia 1-1
Tirana-Dinamo Batumi 1-1
Linfield-Vllaznia 3-1
Dukagjini-Europa 2-1
Niederkon-Gjilani 2-2
Shkëndija-Haverforduest 1-0
Hegelman-Shkupi 0-5









































