Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit duket se ka nisur ta lërë pa gjumë familjen e ish-kryeministrit Sali Berisha. Arrestimet e fundit në kampin e majtë po terrorizojnë të gjithë pushtetarët e lartë që kanë dosje në SPAK. Sali Berisha, Shkëlzeni dhe Jamarbër Malltezi janë futur në sitë nga drejtësia e re dhe shumë shpejt priten lajme “bombë”. Është gazetari Adriatik Doçi i cili paralajmëron se në rrjetën e SPAK në gusht rrezikon të bjerë dhëndri i Sali Berishës Jamarbër Malltezi dhe dosja që do ta fundosë sipas tij është “ish Klubi Partizani” në Tiranë. Doçi zbulon gjithashtu se nga paniku Berisha dhe Shkëlzeni e kanë hedhur në “gojën e SPAK” Malltezin dhe po përgatiten të ndjekin të njëjtën skemë si ish-ministri socialist Arben Ahmetaj. Pra ata do të arratisen nga Shqipëria. Ishte Doçi ai që zbuloi pak ditë më parë se SPAK i ka sekuestruar kompjuterat Malltezit duke thelluar hetimet nga kjo dosje. “Nga e ecura duket sikur po bëjnë plan për t’u arratisur. Dhëndrin e kanë lëshuar. Me shumë gjasë pushimet e gushtit do t’i kalojë me Safetin. 19 kulla me 39 mijë euro! Që kur SPAK i ka sekuestruar kompjuterat, i është holluar zëri krejt. Del edhe jep mend për problemet e mjedisit dhe korrupsionin!”, shkruan Doçi.
Dosja në SPAK
Sipas gazetarit, dhëndri i Berishës ka ngritur 19 kulla me 39 mijë euro kursime në 27 m2 tokë që ishte shpronësuar një herë. Ai zbuloi pak kohë më parë se kjo dosje është e qepur mirë pasi kjo “i hëngri kokën” Sali Berishës tek amerikanët, të cilët e shpallën “non grata”. Doçi thotë se Jamarbër Malltezi, pretendon se ishte trashëgimtar i 27 m2 tokë tek ish Klubi Partizani në Tiranë. “Themi pretendon se nisur nga praktika e normuar, paraardhësit e tij janë shpronësuar nga Italia fashiste në vitin 1939. Për të gjitha pronar kufitare ekzistojnë dokumentet e shpronësimit, ndërsa për pronën në fjalë, rreth 29 mijë m2, dyshohet se janë zhdukur dokumentet. Arkivi i Shtetit ku gjenden dokumentet e tjera, është drejtuar nga babai i Jamarbrit, me miratim të krushkut në pushtet. Por e marrim si të mirëqenë sikur dhëndri zëhollë i Berishës është trashëgimtar real i tokës. Për ta bërë dhëndrin pronar të pronës, vjehrri i tij angazhoi qeverinë nga viti 2006 deri në vitin 2009. Kush refuzoi të firmoste, u kërcënua dhe shkarkua. Nga trashëgimtar i 27 m2 tokë, dhëndri i Berishës, mjedisori Jamarbër Malltezi ka ngritur 19 kulla, në të cilat ka 35-50 %. Investimin me vlerë dhjetëra milionë euro e ka realizuar duke pasur vetëm 39 mijë euro kursime, pa marrë asnjë kredi, hua apo burim tjetër të dokumentuar. Kjo dosje korrupsioni besohet se është një nga pikat më të forta të dosjes së DASH për shpalljen non grata të Sali Berishës dhe familjes së tij”, ka thënë gazetari.
Tmerrohet Berisha
Zhvillimet e bujshme që e presin familjen e tij ka bërë që Berisha të dalë jashtë kontrollit ditët e fundit dhe të nisë sulmet ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe gazetarëve. Berisha në çdo dalje publike, mediatike dhe sociale në rrjetet sociale, etiketon SPAK-un si pjesë e Partisë Socialiste, madje edhe notere e mazhorancës. Madje ai ka dalë dhe nga vetja si asnjëherë më parë. Sali Berisha e humbi toruan në një konferencë shtypi dy ditë më parë kur një reporter e pyeti nëse është thirrur nga SPAK. “Je prokuror ti apo gazetar” ? foli Berisha me zë të lartë. E më pas tha se nuk është thirrur në SPAK javën e fundit, duke shtuar se është i gatshëm të pyetet për çdo vendim që ka marrë në 32 vjet në politikë. “Nuk jam thirrur asnjëherë, jam i gatshëm të përgjigjem për çdo vendim nga viti 90 deri më sot pa asnjë lloj hezitimi. Sa herë më kanë thirrur kam shkuar dhe shkoj, nuk e mohoj asnjëherë të drejtën e hetimit, por ata bëjnë politikë”, tha Berisha.









































