Tri lëvizje të fuqishme kanë ndodhur në merkaton e Superiores tonë gjatë 24 orëve të fundit. Bëhet fjalë për dy largime cilësore drejt kampionateve të lindjes, si dhe një afrim, më saktë një rikthim të një lojtari me vlera teknike. Herald Marku e Shqiprim Taipi kanë zgjedhur të luajnë jashtë, kurse Erjon Vucaj kthehet në Shqipëri e firmos zyrtarisht për Flamurtarin e Vlorës.
Marku zgjedh Rumaninë
Transferim në Rumani për Herald Markun. Ish-mesfushori i Vllaznisë, është prezantuar tek UTA Arad, klubi që garon në elitën e futbollit rumun. Aty ku luajtën edhe Idriz Batha dhe Erion Hoxhallari. 27-vjeçari ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun. “UTA dhe mesfushori qendror Herald Marku, sot kanë arritur marrëveshje për kontratë të vlefshme për dy sezonet e ardhshme. Sallaksi shqiptar, i cili ka lindur më 18 maj 1996 dhe është 1.88 m i gjatë, vjen nga Shqipëria, nga FK Vllaznia. Në sezonin e fundit, ai zhvilloi 45 ndeshje, shënoi 7 gola dhe dhuroi 4 asistime”, lexohet në komunikatën zyrtare të UTA Arad. Marku veshi dy herë fanellën kuqeblu të Vllaznisë: në sezonet 2019-2021 dhe 2022/2023. Gjatë aventurave në Shkodër, mesfushori regjistroi 117 ndeshje dhe 13 gola mes kampionatit, Kupës së Shqipërisë dhe dueleve europiane.
Fantazisti Vucaj zgjedh Flamurtarin
Flamurtari ka zyrtarizuar afrimin e fundit. Kuqezinjtë nga Vlora kanë prezantuar Erjon Vucajn, fantazistin e njohur shqiptar. Një rikthim në qytetin bregdetar për shkodranin, i cili ishte pjesë e Flamurtarit në sezonin 2014/2015. 32-vjeçari vjen nga De?i?, skuadra shqiptare që garon në Malin e Zi, me të cilën luajti gjatë dy sezoneve të fundit. Vucaj debutoi te Vllaznia dhe shkëlqeu me Laçin, duke u kthyer në një nga lojtarët më të mirë të Superiores. Më pas erdhën aventurat te Flamurtari dhe Tirana. Një rikthim i shkurtër në Kurbin dhe pastaj te Vllaznia. Në vitin 2018 u transferua në Kosovë. Tek ekipi i Dritës. Në Gjilan kaloi katër sezone fantastike, duke fituar titullin dhe duke qenë një nga lojtarët më të mirë të Dritës. Tani rikthehet në futbollin shqiptar, me misionin për të ndihmuar Flamurtarin në objektivin për t’u rikthyer në Superiore. Vucaj ka një eksperiencë të madhe, pasi numëron 22 ndeshje ndërkombëtare. Mes tyre edhe me Skënderbeun dhe Luftëtarin. Në vitin 2013 u ftua nga Kombëtare nga De Biazi për miqësoren ndaj Gjeorgjisë, sfidë ku grumbullohej për herë të parë edhe një shkodran tjetër: Elseid Hysaj.
Shqiprim Taipi përfunon në Kazakistan
Shqiprim Taipi është transferuar në Kazakistan. Mesfushori dardan ishte pjesë e Kukësit në dy sezonet e fundit, ndërkohë që më parë ka luajtur edhe me Skënderbeun në Superiore. Por edhe me Shkëndijën e Shkupin në Maqedoninë e Veriut, dhe Prishtinën në Kosovë. 26-vjeçari nga Bujanovci është prezantuar si lojtari më i ri i Kaspiy Aktau. “Kemi nënshkruar kontratë me Shqiprim Taipin, i cili vjen nga skuadra e Kukësit. Mirë se vjen, Shqiprim”, lexohet në postimin zyrtar të klubit kazak. Kaspiy Aktau renditet në vendin e parafundit në kampionatin e Kazakistanit. Me vetëm 10 pikë të grumbulluara në 14 takime. Gjatë dy sezoneve të kaluara në Kukës, Taipi zhvilloi 70 ndeshje në total. Gjatë së cilave realizoi 4 gola.









































